Lajmet

21 komuna zgjedhin kryetarët në rundin e parë, 17 të tjera shkojnë në balotazh

Published

on

E përditësuar:

10:10

Zgjedhjet Lokale- Një krahasim me vitin 2021 

Eugeni Cakolli nga KDI-së ka bërë një analizë për zgjedhjet lokale të cilat sipas tij kanë dhënë një pamje të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Ai ka përmbledhur një listë të përgjithshme për secilën parti krahasur me vitin 2021.

Postimi i plotë: 
Nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%.
LVV fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).
Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10.
LDK ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë).
– LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3.
PDK fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë).
PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.
AAK ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik).
AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë)

09:21

Nga 38 komunat e Kosovës, 21 kanë përmbyllur garën për kryetarë që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), disa nga fitoret janë shënuar në komunat e mëdha si në Ferizaj, Agim Aliu nga PDK ka fituar me mbi 56% të votave, duke siguruar mandatin e dytë.

Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga LVV ka siguruar mbi 53% të votave.

Në Skendera, Sami Lushtaku nga PDK ka arritur një fitore bindëse me mbi 83% të votave.

Në Kamenicë, Kadri Rahimaj i LVV-së ka fituar me mbi 50%.

Në Istog, Ilir Ferati i LDK-së ka fituar me 58% të votave.

Në Lipjan, Imri Ahmeti nga LDK ka fituar pa balotazh me mbi 51%.

Në Shtime, Qemajl Aliu i LVV-së ka siguruar mandatin e dytë me mbi 50%.

Në Malishevë, Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate ka fituar Malishevën me mbi 53%.

Në Deçan, Bashkim Ramosaj i AAK-së ka fituar me mbi 51%.

Në Drenas, Ramiz Lladrovci, nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, ka fituar me mbi 52% të votave.

Në Hanin e Elezit, Mehmet Ballazi i PDK-së ka fituar me mbi 50%.

Në Mamushë, Abdulhadi Krasniç i KDTP-së ka siguruar fitore me mbi 50% të votave.

Ndërsa në katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok fitues janë kandidatët e Listës Serbe, parti kjo që ka siguruar fitore edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Në 17 komuna të tjera gara do të vazhdojë në rundin e dytë, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votime në nivel vendi ka qenë rreth 39%./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Rumania rrezikon të humbasë 770 milionë euro nga fondet e BE-së

Published

on

Rumania rrezikon të humbasë rreth 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë një afat kyç për reformat e planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati i 31 gushtit lidhej me miratimin e një ligji të ri për pagat në sektorin publik, por partitë kryesore politike nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

Sipas burimeve të BE-së, mosrespektimi i afatit mund të çojë në zbritjen e rreth 770 milionë eurove nga 8.44 miliardë eurot që Rumania i ka ende në dispozicion nga fondet evropiane.

Shuma e rrezikuar përbën rreth 40 për qind të planit të përgjithshëm të rimëkëmbjes së Rumanisë, i cili kap vlerën prej 21.41 miliardë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare e fondeve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë, e cila duhet të dorëzohet deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se legjislacioni është pothuajse i përfunduar teknikisht dhe se mund të miratohet deri në fund të vitit.

Ai e ka cilësuar reformën si një proces të ndërlikuar, me pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, që është zhvilluar nën presion të madh kohor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga 1 shtatori

Published

on

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.

Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.

Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.

Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hoti nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president: “Nuk është çështje individësh, por parimesh”

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush këto kritere.

Hoti ka thënë gjithashtu se kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj. Sipas tij, partia nuk duhet të mbështesë një kandidat vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ai nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e votuesve.

“Nuk është çështje individësh, por çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Published

on

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara