Aktualitet

15 të vdekur nga përplasja e kamionit me një autobus në Kanada

10 të tjerë u dërguan në spital, thanë autoritetet.

Published

on

Të paktën 15 persona vdiqën pasi një kamion u aksidentua të enjten me një autobus që transportonte qytetarë të moshuar, në një pjesë rurale të provincës Manitoba të Kanadasë.

Autobusi ishte nisur në jug në autostradën 5 drejt një kazinoje pranë qytetit të Carberry, ndërsa gjysmërimorkio ishte drejtuar në lindje në autostradën 1, tha në një konferencë shtypi oficeri i Policisë, Rob Lasson, shkruan CNN.

Kamioni gjysmërimorkio goditi autobusin në kryqëzimin e dy autostradave në veri të Carberry, afërsisht 170 kilometra në perëndim të Winnipeg-ut.

Përveç 15 të vdekurve, 10 të tjerë u dërguan në spital, thanë autoritetet.

Të lënduarit që po trajtohen përfshijnë drejtuesit e gjysmërimorkios dhe autobusit.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve.

Bota

​Vuçiq u kërkon falje qytetarëve pas votimit pro rezolutës së OKB-së për paqen në Ukrainë

Published

on

By

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia votoi pro rezolutës evropiane për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por që ai beson se ajo bëri gabim dhe duhej të kishte abstenuar.

“Unë mendoj se Serbia ka bërë një gabim sot. Për këtë u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë dhe vet mbaj përgjegjësi për këtë, sepse ndoshta jam i lodhur dhe i ngarkuar dhe nuk mund të arrij gjithçka”, tha Vuçiq si ftuar në një televizion lokal.

Ai shtoi se Serbia duhej të kishte abstenuar në votimin e rezolutës evropiane për Ukrainën, ashtu siç bëri në votimin e rezolutës amerikane.

“Sa i përket rezolutës amerikane, abstenuam, ashtu siç duhej. Sipas mendimit tim, duhej të kishim abstenuar edhe për rezolutën evropiane”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se Serbia nuk duhet t’i bëjë lajka as Rusisë dhe as SHBA-së, por se do të ishte në interesin e saj më të mirë të ushtrojë përmbajtje.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të hartuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë me rastin e përvjetorit të tretë të luftës në Ukrainë.

Rezoluta bën thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Rusia dhe SHBA-ja votuan kundër saj.

Ajo riafirmon rezolutat e mëparshme të OKB-së që kërkonin tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të Rusisë nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Continue Reading

Bota

Presidenti i Finlandës: SHBA-ja nuk ka strategji të qartë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Published

on

By

Presidenti finlandez Alexander Stubb u shpreh se SHBA-ja nuk ka strategji të qartë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Unë personalisht guxoj të them se SHBA-ja nuk ka strategji solide për t’i dhënë fund kësaj lufte. Kjo është arsyeja pse ne në Evropë duhet të marrim iniciativën“, tha Stubb, duke folur për të përditshmen “Iltalehti”.

Megjithatë, nuk besoj se marrëdhënia transatlantike po shembet. Aktualisht është duke u sfiduar dhe duhet njohur ky fakt në politikën e jashtme“, shtoi ai.

I pyetur se si mund të arrihet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, Stubb tha: “Kjo zgjidhet me faktin se marrëveshja e paqes nuk do të ishte marrëveshja e paqes e Putinit (presidentit rus Vladimir), në të cilën Putini i dikton Ukrainës se çfarë do të bëhet”.

Ai theksoi se Ukraina nuk duhet të lihet vetëm kundër Rusisë, siç ishte lënë Finlanda në vitin 1944. Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të katërt, dinamika e zhvendosur globale sugjeron një zgjidhje të mundshme.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili bëri fushatë për t’i dhënë fund luftës, ka marrë një qasje jokonvencionale, duke u angazhuar drejtpërdrejt me Rusinë, duke lënë anash Ukrainën dhe Evropën, një veprim që shkaktoi reagime të shumta në të gjithë kontinentin evropian.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vazhdon të bëjë presion për anëtarësimin në NATO, duke nënvizuar se Ukraina ka nevojë për garancitë e sigurisë të aleancës për paqe të qëndrueshme.

Duke shënuar përvjetorin e tretë të luftës ruse, udhëheqës nga disa vende evropiane dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u mblodhën në kryeqytetin ukrainas Kiev për të treguar mbështetje.

Megjithatë, administrata e Trumpit ka sinjalizuar se aspiratat e Ukrainës në NATO dhe shpresat për të rifituar kufijtë para vitit 2014 nuk janë të realizueshme.

Continue Reading

Bota

Takimi me Trump, Macron: Paqja nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Published

on

By

Presidenti francez, Emanuel Macron ka deklaruar se paqja “nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës” gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e SHBA Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Të dy liderët zhvilluan një takim këtë të hënë (24 shkurt), në 3 vjetorin e luftës në Ukrainë.

Macron tha se ai dhe Trump patën diskutime të gjata rreth dëshirës së tyre për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, dhe për të pasur një armëpushim që është i matshëm, i verifikueshëm, dhe që mundëson negociatat e një paqeje të qëndrueshme.

Ai tha se paqja “nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës, apo armëpushim pa garanci”.

Edhe Trump deklaroi se qëllimi i takimit të sotëm ishte për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai tha se qindra mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur “pa qenë nevoja”, dhe se një brez i tërë është zhdukur.

Ai tha se beson se Macron është dakord me të se “kjo është koha e duhur dhe mund të jetë e vetmja kohë” për t’i dhënë fund luftës.

Trump theksoi edhe njëherë se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes duhet të paguhen nga vendet e Evropës, jo vetëm nga SHBA.

“Evropa duhet të marrë atë rol qendror në garantimin e sigurisë afatgjatë të Ukrainës, gjë që ata duan ta bëjnë,” tha ai.

Macron nga ana tjetër këmbënguli se Evropa nuk është larguar nga përgjegjësitë e saj për të ndihmuar Ukrainën.

“BE investoi 128 miliard $ në sigurinë ukrainase. Ne admirojmë shumë guximin e popullit ukrainas dhe besojmë se askush në këtë dhomë nuk dëshiron të jetojë në një botë ku vullneti i më të fuqishmëve thjesht mund të imponohet, dhe ku kufijtë e njohur ndërkombëtarisht mund të shkelen”, deklaroi Macron.

Continue Reading

Bota

Ministri gjerman: Rusia nuk do të pranohet sërish në G7

Published

on

By

Rusia nuk do të kthehet në G7 (grupin e shtatë shteteve më të industrializuara të botës) siç ka kërkuar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë ministri i Financave i Gjermanisë, Joerg Kukies.

G7 e dënon shumë qartë luftën e agresionit të Rusisë, veçanërisht në përvjetorin e tretë të sulmit brutal nga Rusia”, ka thënë Kukies në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se propozimi i Trumpit nuk do të sigurojë mbështetjen e nevojshme unanime.

Kukies do të udhëtojë të martën drejt Kejp Taunit, për samitin e ministrave të financave të G20-s, teksa sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, do të mungojë, për shkak të angazhimeve të tjera.

Gjendja aktuale e ekonomisë globale do të jetë temë kyç e takimeve.

Ne duhet vërtet t’i rikthehemi rrugës së zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kukies. Gjermania “ka shumë detyra shtëpie për të bërë”, ka shtuar ai.

Kukies u emërua ministër i Financave nga kancelari në largim, Olaf Scholz, në nëntor, pasi koalicioni qeverisës i Scholzit u rrëzua me votë mosbesimi, dhe pritet të shërbejë në këtë post derisa të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve të së dielës, të cilat i fituan konservatorët e Friedrich Merzit.

Një luftë tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Evropës mund të shmanget, teksa të dyja palët janë të gatshme të negociojnë, ka thënë Kukies. “Askush s’është i interesuar të nisë luftë tregtare”, është shprehur ai.

Continue Reading

Të kërkuara