Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur t’u përgjigjet pretendimeve të palëve, duke kundërshtuar qëndrimin e mbrojtjes së Rexhep Selimi se nuk është dëshmuar lidhja mes krimeve të pretenduara dhe të akuzuarit. Ai theksoi se “trupi gjykues nuk përballet me pyetjen nëse vuajtja ka ndodhur, por nëse ka prova që lidhin në mënyrë të ligjshme këtë vuajtje me krimet për të cilat akuzohet Rexhep Selimi”. Sipas tij, mbrojtja ka ngritur dy pretendime kryesore: “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis dëmit të pësuar nga viktimat dhe krimeve për të cilat janë ngritur akuza” dhe “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis krimeve dhe të akuzuarit Selimi”.
Në përgjigjen e tij, Laws u shpreh se “nuk ka kriter apo kusht ligjor për ne që të vërtetojmë ekzistencën apo lidhjen në mes krimeve dhe Selimit, jo në këtë fazë dhe në fakt në asnjë fazë”. Ai shtoi se pala që përfaqëson “nuk është përpjekur të vërtetojë një krim në lidhje me Selimin”, pasi roli i saj është të paraqesë informacione dhe prova për dëmin e viktimave. “Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat kundër Selimit, ajo është punë e prokurorisë”, përfundoi ai.
Hagë: Seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Në gjashtë seancat paraprake, fjalët përmbyllëse janë paraqitur nga prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje për palët. Siç u bë e ditur në seancën e së hënës, sot radhën për paraqitjen përfundimtare e ka mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Katër të akuzuarit kanë gjithashtu të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues. Në Hagë janë të pranishëm familjarë të tyre, si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili përfaqëson Qeverinë e Kosovës.
Para nisjes së seancës, Konjufca deklaroi se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se ata prej më shumë se pesë vitesh mbahen në paraburgim në Hagë. Ai e cilësoi gjykatën si një entitet që, sipas tij, ka pasur fokus të padrejtë ndaj UÇK-së.
“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kundër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha Konjufca. Ai shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.
Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Seanca e sotme zhvillohet një ditë pasi, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes dhe për të kërkuar një proces gjyqësor të drejtë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, kërkesë që ekipet mbrojtëse e kanë cilësuar si të barasvlershme me burgim të përjetshëm.
Zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë pritet të vijojnë gjatë ditës. /REL/