Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm, pavarësisht planeve të mëparshme. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke saktësuar se organizimi në Tiranë mund të zhvendoset për në vitin 2028.
Duke folur në Dublin përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama deklaroi se ende nuk ka një dakordësi të përbashkët brenda aleancës se kur do të zhvillohet samiti i radhës, por përjashtoi kategorikisht vitin 2027.
“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se “samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri”, por shtoi se vendimi për datën ende nuk është marrë.
Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Tiranë ishin vënë në dyshim që në muajin qershor, për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive mes vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Gjithashtu, NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së samiteve vjetore, një lëvizje që shihet si mënyrë për të shmangur tensione të mundshme me presidentin Trump.
Ndërsa në deklaratën e samitit të Hagës në qershor 2025 parashikohej që takimi në Turqi në vitin 2026 të pasohej nga ai në Shqipëri, në deklaratën e samitit të Ankarasë të mbajtur në korrik të këtij viti, liderët e aleancës nuk përmendën as kohën dhe as vendin e takimit të ardhshëm. /Reuters/