Lajmet

12 fakte që nuk i dinit për Kleopatrën

Kleopatra ishte shumë e ndryshme nga ajo që na ka përcjellë historia.

Published

on

Historia nuk ka qenë bujare me të fundmen e faraonëve të Egjiptit. Ajo cilësohet si një mbretëreshë manipuluese që magjepsi dy liderët nga perandoria më e madhe në botë dhe se ishte e gatshme të vriste për të drejtën e saj për të sunduar.

Ajo ishte një politikane inteligjente, grua shumë e ditur, nuk ishte egjiptiane dhe nuk ishte një “femme fatale”…dhe nuk vdiq nga një gjarpër.

E lartësuar në art dhe kinema, teksa për të janë bërë thashetheme prej 2000 vjetësh, Kleopatra ishte shumë e ndryshme nga ajo që na ka përcjellur historia. Për të dhënë drejtësi për këtë personazh karizmatik, ja disa fakte pak më pak të njohura, dhe ndoshta të papritura, për jetën e saj.

1. Nuk ishte egjiptiane

Ishte maqedonase, si e gjithë familja e saj. Në fakt e kishte prejardhjen nga një prej gjeneralëve të Aleksandrit të Madh, të cilët pas vdekjes së luftëtarit kishin ndarë mbretërinë e tij. Ajo u lind në vitin 69 PK, nga një konkubinë e faraonit Ptolemeut XII, dhe për këtë arsye i përkiste dinastisë së Ptolemeut. Ajo ishte e fundit sovrane e epokës helenistike dhe ndoshta e vetmja nga familja që kishte dhunti politike, aq sa hipi në pushtet kur ishte 18 vjeç dhe qëndroi aty për rreth dy dekada.

2. Nuk ishte e bukur, por ishte inteligjente

Imazhi i femrës sëbukur iu “ngjit” gjatës Rilindjes (në atë kohë ishte imagjinuar edhe si suedeze bionde). Por Plutarku, historiani grek i cili gjurmon portretin më besnik të saj, nuk i përshkruan aq shumë bukurinë, se sa inteligjencën dhe simpatinë. Nga i ati i saj kishte marrë një hundë si shqiponjë, dhe madje edhe stili i flokëve, me të cilin ajo është paraqitur në monedha nuk ishte i bukur. Gjithashtu ajo zakonisht vishej si burrë (në traditën e grave Faraone).

3. Lexonte shumë

Kleopatra ishte shumë kurioze dhe e kulturuar. Ishte rritur me tragji-komeditë greke dhe dinte bazat e astronomisë, gjeometrisë, aritmetikës dhe mjekësisë. Ajo ishte shumë e zgjuar në retorikë dhe veçanërisht në gjuhë. Dinte të paktën 8 gjuhë dhe i pëlqente të studionte në perfeksion për të ndjekur traditën e familjes së saj.

4. E kishte origjinën nga një familje vrasësish

Në luftën për pushtet, Kleopatra kishte vrarë, nëpërmjet trupave të të dashurit, Cezarit, vëllanë-bashkëshort, Ptolemeun XIII. Por kjo nuk ishte e vetmja vëllavrasje në shtëpi. Babai i saj, Ptolemeu XII, kishte ekzekutuar të bijën Berenice IV, e cila kishte provuar që t’i merrte pushtetin; xhaxhai i saj kishte eleminuar bashkëshorten pas vetëm 19 ditësh martesë, dhe stërgjyshi Ptolemeu VIII ishte vrarë nga nipi, për t’i marrë fronin.

5. Nuk dihet për romanca të tjera

Nuk dihen marrëdhënie të tjera, përtej atyre me dy liderët romakë Jul Cezarin dhe Mark Antonin. Nuk e dimë nëse me ta ishte dashuri e sinqertë: Kleopatra me siguri e dinte se si të përfitonte nga inteligjenca e saj për të konsoliduar pushtetin politik. Cezari kishte më shumë se dy herë moshën e saj (52, kundër 21 të mbretëreshës), dhe me të, llogaria politike ishte më e dukshme. Mbretëresha e përdori atë për të rimarrë Aleksandrinë dhe pushtetin e uzurpuar nga vëllai i saj, Ptolemeu XIII. Me Mark Antonin, me të cilin pati tre fëmijë, ishte ndoshta dashuri e vërtetë, edhe pse mbretëresha u akuzua nga kundërshtarët politikë në Romë, se e kishte joshur atë me magji.

6. Viktimë e thashethemeve dhe e fushatave shpifëse

Në një korrespondencë kërcënuese që i parapriu përplasjes direkte, Oktaviani akuzoi mbretëreshën se e kalonte kohën duke u dehur apo se e kishte joshur Mark Antonin me magji. Kleopatra nuk u prek dhe shfrytëzoi llafet e Oktavianit, për të bërë bashkë një flotë të fuqishme që t’u bënte ballë romakëve.

7. Ishte xheloze

Kleopatra ishte shumë posesive dhe xheloze ndaj Antonit dhe fakti që ky i fundit ishte një feminist, nuk ndihmonte aspak. Kronikat raportojnë se Antoni kishte kërkuar një portret të bijës së mbretit Herod, e njohur për bukurinë e saj, duke bërë që Kleopatra të shpërthejë. Me t’u kthyer në Romë, Antoni u martua me motrën e rivalit të tij Oktavianit, për të sanksionuar zyrtarisht ndarjen e territoreve romake pas vdekjes së Cezarit. Dhe ndërsa gruaja e tij ishte shtatzënë u kthye tek Kleopatra, e cila nuk e la më të shpëtojë përsëri, dhe u martua me të sipas riteve egjiptiane.

8. Nuk vrau për dashuri

Por preferoi të vdesë si një mbretëreshë, në vend se të përfundonte në zinxhirë para popullit romak, pas triumfit të armikut Oktavian. Vetëvrasja e saj ishte një akt krenarie, thirrja e fundit e lirisë, pasi ishte përpjekur, sipas disa burimeve, që të joshte edhe Oktavianin, kur ai erdhi për të në Aleksandri. Ky version duket më i besueshëm se sa vetëvrasja për dashuri e Antonit, i cili duke besuar që mbretëresha kish vdekur, u hodh mbi shpatën e tij.

9. Nuk vdiq nga gjarpri

Edhe rrethanat e vetëvrasjes së Kleopatrës duken të imagjinuara. Vështirë se mbretëresha është vrarë duke lënë të kafshohet nga një gjarpër. Gjarpri i vërtetë (Vipera Aspis) në fakt nuk ekziston në Afrikën e Veriut. Gjarpëri tjetër më bindës, Kobra i Egjiptit që ishte i shenjtë për faraonët (Naja Haje) ishte shumë i madh për t’u futur në një shportë. Ndoshta Kleopatra vdiq e kafshuar nga një echide careened (Echis carinatus), një gjarpër në Lindjen e Mesme, më pak se një metër i gjatë dhe vdekjeprurës.

Por një teori e fundit tregon se Kleopatra nuk vdiq pasi u pickua nga një gjarpër, por thuhet se kishte pirë helm. Studiuesit thonë se pickimi i gjarprit do t’i kishte shkaktuar asaj një vdekje të ngadaltë torturuese, dhe se Kleopatra duhet ta kishte ditur këtë nga interesat e saj rreth mjekësisë.

10. Një mendje mjekësore

Sipas studimeve të fundit, Kleopatra kishte studiuar shkencë dhe mjekësi siç bënin shumë femra në Egjipt, dhe shkroi një traktat të quajtur “Kozmetika”, jo në lidhje me makiazhin, por për mjetet juridike mjekësore.

11. Basti me Mark Antonin

Ekziston një histori e famshme se si Kleopatra një herë piu një koktej me një margaritar të tretur në mënyrë që të fitonte një bast me Mark Antonin.

Sipas gojëdhënave, çifti vuri bast nëse Mbretëresha e Egjiptit do të mund të shpenzonte një pasuri të madhe në një vakt të vetëm. Prandaj ajo futi një perlë në koktejin e saj dhe e piu.

12. Nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e saj

Para se të vriste veten, Kleopatra shprehu dëshirën e saj për t’u varrosur ngjitur me Mark Antonin. Kronikat thonë se Oktaviani ia plotësoi, por varri i çiftit nuk është gjetur.

Në vitin 2009, egjiptologu Zahi Havass njoftoi se ai kishte zbuluar vendin ku të dy ishin varrosur, një dhomë e fshehur nën tempullin e Taposiris Magna, 50 km në perëndim të Aleksandrisë, ku u gjetën 10 mumjet që i përkasin fisnikërinë e kohës. Gërmimet vazhdojnë, por zbulimi ende nuk është konfirmuar./syri.net

lajme

Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së

Published

on

By

Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?

Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.

Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.

Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.

Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.

Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.

Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.

Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.

Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.

Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.

Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Magazinë

Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”

Published

on

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës promovon Prishtinën dhe njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes shërbimit Google Maps Street View.

Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View.”

Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton ndjekësit ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.

“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View,” thotë ajo.

Artistja prezanton disa prej vendeve të saj të preferuara në kryeqytet, duke nisur me një librari që, sipas saj, e viziton sa herë kthehet në Prishtinë, ku gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.

Ajo ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kulturën shqiptare, energjinë dhe atmosferën unike të Prishtinës.

Në fund të videos, Dua Lipa i kushton rëndësi edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet dhe një ngjarje që mishëron frymën e qytetit, duke mbledhur çdo vit mijëra vizitorë dhe artistë nga e gjithë bota.

Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë qyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të rinovuar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimeve, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat dhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e siguruara përmes autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa shtete evropiane.

Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij të vërtetë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për shtetasin e Shqipërisë me inicialet E.K., i cili kërkohej ndërkombëtarisht me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për sjelljen para drejtësisë të personave që kërkohen nga ligji./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara