Kulturë

11 zakonet e çuditshme të adhuruesve të librit

Adhuruesit e librave e dinë se këto kanë një aromë të mirë, gjë që nxit nuhatjen e tyre intensive.

Published

on

Dashamirët e librit kanë obsesione të vërteta në marrëdhëniet e tyre me librin dhe leximin. Por tek e fundit, kush nuk ka obsesione? Për ata që duan të lexojnë, libri është një objekt shumë i çmuar dhe si i tillë duhet të mbrohet nga çdo gjë dhe nga kushdo. Nga ana tjetër leximi ka nevojë për momentet e tij dhe atmosferën e duhur. Kjo është arsyeja pse adhuruesit e librit kanë zakone dhe mënyra sjellje të veçanta.

1. Nuhasin libra që lexojnë

Adhuruesit e librave e dinë se këto kanë një aromë të mirë, gjë që nxit nuhatjen e tyre intensive. Qoftë letra apo boja, librat (sidomos të vjetrit) kanë një aromë shumë të veçantë.

2. Shpenzojnë shumë parave për blerjen e librave

Shumë pak adhurues të librit janë në gjendje të hyjnë në një librari pa blerë më shumë sesa një libër. Të kuptohemi: blerja e librave nuk është një gjë e keqe, por mund ta lini portofolin tuaj të “marrë frymë”, duke i kujtuar vetes se ka shumë biblioteka publike.

3. Përditësojnë vazhdimisht listën e librave që duan të blenë

Renditja dhe përditësimi i rafteve të librave të sapo blerë është një gjë shumë normale për adhuruesit e librave. Ashtu si në komodinën e tyre, renditja e tyre shndërrohet në një praktikë thuajse obsesive.

4. Përfitojnë nga çdo moment për të lexuar

Për ta çdo vend apo kohë është ideale për të lexuar. Nga trenat tek autobusët tek leximi gjatë ecjes në rrugë. Por sapo adhuruesit e librave kthehen në shtëpi, ata nuk humbasin asnjë rast për të krijuar një situatë super relaksuese për t’u kënaqur me leximin. Si për shembull mbushja e vaskës me ujë të nxehtë dhe rrethimi i saj me qirinj aromatikë.

5. E krahasojnë librin me serialin televiziv

Diskutimi me miqtë përqendrohet pothuajse gjithmonë tek serialet televizive të bazuara në librat tuaj të preferuar. Sigurisht, adhuruesit e librit nuk humbasin asnjëherë shansin për të mbrojtur variantin letrar, dhe pse librat nuk mund të zëvendësohen nga filmat dhe serialet televizive.

6. Gjykojnë vazhdimisht bibliotekën e të tjerëve

Dashamirësit e librit dinë të mos e gjykojnë një libër nga kopertina e tij. Por nuk humbin asnjëherë rastin për të gjykuar njerëzit nga librat që kanë në bibliotekën e tyre private.

7. Gjejnë justifikime për të qëndruar në shtëpi dhe për të lexuar

Adhuruesit e librit duan të kalojnë kohë me miqtë, por në të njëjtën kohë preferojnë shumë të qëndrojnë në shtëpi dhe të lexojnë një libër.

8. Bëjnë gati disa libra për t’i marrë me vete kur udhëtojnë

Ndonjëherë, qoftë vetëm për një fundjavë, duhet të largohen për diku, por për adhuruesit e librit kjo gjë nuk e ndal dëshirën e tyre për të lexuar. Në valixhen e tyre nuk duhet të mungojnë asnjëherë librat e preferuar që do të lexohen gjatë pushimeve.

9. Nisin të lexojnë një libër teksa janë duke lexuar një tjetër

Kush thotë se librat duhet të lexohen njëri pas tjetrit? Sigurisht, disa nga momentet e rrëfimit mund të fillojnë të ngatërrohen me njëri-tjetrin, dhe kërkohet më shumë kohë për të përfunduar të dy librat. Por pavarësisht kësaj nuk ka asnjë arsye për të mos lexuar dy ose më shumë libra në të njëjtën kohë.

10. E përdorin çdo gjë si faqe-shënues

Faturat dhe deklaratat bankare mund të jenë faqe-shënuesit tuaj. Me siguri edhe faqe-shënuesit më të sigurt në botë, e përdorin herë pas here kartën e tyre të kreditit ose kartën e biznesit. Madje disa dashamirës të guximshëm të librit, mund ta kenë zakon që thjesht të kujtojnë numrin e faqeve të tyre.

11. Lexojnë gjithë natën për të përfunduar një libër

Çdo adhurues i librit e di se si është të shtrihesh në shtrat duke ia ngulur sytë librit, dhe duke e lexuar deri në orën 3 të mëngjesit, në pamundësi për të fjetur pa mësuar fundin e tij./libreriamo – Bota.al

Lajmet

26 vjet nga vdekja e Adem Kastratit, piktorit që e ktheu jetën shqiptare në art

Published

on

Piktori shqiptar Adem Kastrati u lind më 15 janar 1933 në Karaçevë të Dardanës, në një familje të njohur për veprimtarinë patriotike dhe arsimdashëse. Ai ishte piktor, pedagog i artit figurativ, krijues letrar, mbledhës dhe studiues i folklorit, ndërsa veprimtaria e tij përfshiu edhe analizën e marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe zhvillimeve shoqërore e historike.

Kastrati i përket gjeneratës së parë të piktorëve shqiptarë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Përvojat e kohës në të cilën u rrit dhe u formua si artist lanë gjurmë të dukshme në krijimtarinë e tij.

Ai jetoi në periudha të ndryshme historike dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Katër herë ndryshoi shtetësinë, duke jetuar në Mbretërinë e Jugosllavisë, Mbretërinë Shqiptare, Jugosllavinë socialiste dhe më pas në Republikën e Maqedonisë.

Në qendër të veprave të tij ishte njeriu i zakonshëm dhe jeta e përditshme shqiptare. Familja, nëna, gruaja, fshati, puna, toka, dasmat, traditat dhe folklori u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij.

Një vend të veçantë në pikturat e Kastratit zë figura e nënës. Ai e paraqiste atë si shtyllë të familjes dhe si figurë që përcillte dashurinë, kujdesin dhe vazhdimësinë e jetës. Edhe burrat dhe gratë në veprat e tij paraqiten përmes roleve të tyre në familje, punë, valle dhe jetën e komunitetit.

Kastrati u dallua edhe për teknikën e veçantë të përdorimit të dheut shumëngjyrësh, përmes së cilës krijoi një stil karakteristik. Në veprat e tij ndërthuren ngjyrat, teksturat dhe motivet tradicionale, duke krijuar një gjuhë të veçantë artistike.

Krijimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në paraqitjen e jetës së përditshme. Pikturat e Kastratit shpesh shërbyen edhe si dëshmi të ngjarjeve shoqërore dhe historike. Ai trajtoi shpërnguljet e shqiptarëve, varfërinë, ndarjet familjare dhe ngjarjet që prekën shqiptarët gjatë shekullit XX.

Në veprat e tij të mëvonshme trajtohen edhe temat që lidhen me tragjedinë e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998–1999.

Ndër veprat e njohura të tij janë “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Mikpritja”, “Darka” dhe “Dasmorët”. Ai trajtoi gjithashtu motive nga legjendat popullore, si “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër” dhe “Krushqit e ngurosur”.

Përveç pikturës, Kastrati kishte një veprimtari të gjerë në mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit dhe etnografisë shqiptare. Ai bashkëpunoi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe dokumentoi këngë, valle, veshje, zakone dhe tradita të ndryshme shqiptare.

Ai ishte gjithashtu autor i dramave, tregimeve dhe shkrimeve publicistike, disa prej të cilave i botoi me pseudonimin R. Kosova.

Interesi për artin te Kastrati ishte shfaqur që në fëmijëri. Ai kujtonte se si përdorte baltën shumëngjyrëshe të vendlindjes për të krijuar figura njerëzish dhe kafshësh dhe për të vizatuar mbi pllaka balte. Talenti i tij u vu re edhe gjatë shkollimit, ku mësuesit e vlerësuan për aftësitë në vizatim.

Gjatë karrierës së tij, Kastrati ekspozoi në galeri të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kritika artistike vlerësoi origjinalitetin e stilit të tij, përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën se si ai e ndërthurte artin me jetën dhe traditën shqiptare.

Numri i saktë i veprave të tij nuk dihet. Sipas evidencave të lëna nga vetë piktori, fondi i tij mund të ketë pasur rreth 830 vepra, ndërsa qindra të tjera janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës, përmes shitjes apo dhurimit.

Adem Kastrati vdiq në Shkup më 24 shtator 2000, në moshën 67-vjeçare. Sot, më 24 shtator 2026, shënohen 26 vjet nga vdekja e tij.

Me veprën e tij, Kastrati la pas një dëshmi të veçantë artistike për jetën, traditat dhe historinë shqiptare, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar të shekullit XX./A.K.

Continue Reading

Lajmet

Një vit nga vdekja e Enver Petrovcit, Teatri Kombëtar e kujton artistin e madh

Published

on

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u përkujtua aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Mes kolegëve, studentëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, u kujtua një prej figurave të rëndësishme të skenës dhe filmit shqiptar, i cili la gjurmë të veçanta në teatrin dhe kulturën shqiptare.

Petrovci u kujtua për kontributin e tij artistik, por edhe për raportin e veçantë me publikun dhe brezat e rinj të artistëve.

Një vit pas vdekjes së tij, kujtimi dhe vepra e Enver Petrovcit vazhdojnë të mbeten pjesë e skenës dhe kulturës sonë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Java e Bibliotekës në Kosovë

Published

on

Nga 28 shtatori deri më 2 tetor, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, zhvillohet programi i Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Më poshtë gjeni programin për dy ditët e para./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Tërmeti 3:54 AM”, historia e pesë njerëzve të bllokuar nën rrënojat e Durrësit

Published

on

Filmi aksion-dramë “Tërmeti 3:54 AM”, me skenar dhe regji nga Koloreto Cukali, është shfaqur në kuadër të Tirana International Film Festival (TIFF).

Filmi rrëfen historinë e pesë njerëzve që mbeten të bllokuar nën rrënojat e një pallati pas tërmetit në Durrës. Në hapësirën e ngushtë, mes frikës dhe pasigurisë, ata presin shpëtimin ndërsa përballen me një luftë të vështirë për mbijetesë.

Në rolet kryesore interpretojnë Sara Hoxha, Besmir Bitraku, Giulio Neglia dhe Nika Perrone.

Pas shfaqjes në TIFF, filmi do të shfaqet në Kinema “Republika” në Shkodër nga 23 shtatori deri më 1 tetor, ndërsa nga 8 tetori do të nisë shfaqjen në kinematë e Shqipërisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara