Lajmet

​106 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Published

on

Sot bëhën 106 vjet nga vdekja e atit të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarit të madh Ismail Qemali.

U lind në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll.

Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).

Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.

Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e Princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”.

Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet Evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Cetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike jo vetëm që e ndërpreu formimin e një strukture të tillë, por solli edhe pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare. Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Në muajin mars 1913, nëpërmjet Dukës de Monpensier kaloi në Brindizi dhe më pas vizitoi kryeqytet e shteteve Evropiane për të siguruar mbështetje për çështjen e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.

Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Perugia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë.

Vendi

Ekzekutohen pensionet për mbi 286 mijë përfitues në Kosovë

Published

on

By

Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës ka njoftuar se sot është bërë alokimi i pensioneve për të gjitha kategoritë në vend.

Ky proces përfshin mbi 272 mijë pensionistë moshorë dhe kontribuues, si dhe mbi 14 mijë përfitues të skemave për invalidët e luftës dhe viktimat civile.

Sipas njoftimit, mjetet janë transferuar dhe të gjithë përfituesit mund t’i tërheqin ato që nga pasditja e sotme përmes bankomatëve.

Ministria bën të ditur se në nivel vendi, numri i përgjithshëm i qytetarëve që përfitojnë nga këto skema arrin në mbi 286 mijë.

Continue Reading

Aktualitet

Sorensen sot në Kosovë për takim me Kurtin

Published

on

By

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të qëndrojë më 15 prill në Prishtinë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha një burim në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

REL i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë takim, për temat që pritet të diskutohen dhe është në pritje të përgjigjeve.

Vizita e Sorensenit në Prishtinë vjen pasi ai vizitoi Beogradin më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Emisari evropian tha se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

Sipas burimeve jozyrtare po punohet intensivisht për organizimin e një rundi të ri të dialogut në nivel udhëheqësish. Kjo është arsyeja kryesore pse Sorenseni kohët e fundit ka intensifikuar bisedimet me faktorë të ndryshëm relevantë, përfshirë edhe me palën amerikane.

Siç kanë bërë të ditur burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmëri për të shkuar në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por për momentin nuk ka konfirmim se sa është i gatshëm për këtë udhëheqësi kosovar.

Takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

Pala evropiane, sipas burimeve diplomatike të REL-it, do të dëshironte në mënyrë të organizonte një rund dialogu në javët në vijim, gjithsesi para kësaj vere.

Nëse kjo ndodh, do të ishte takimi i parë pas tre vjetësh, por edhe i pari i këtij lloji për Kaja Kallas, shefen e diplomacisë evropiane.

Ajo mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri në dhjetor 2024. Kallas, në disa raste ka deklaruar se dialogu në nivelin më të lartë politik nuk ka ndodhur për shkak të situatës së ndërlikuar politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Pas zgjedhjeve në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ajo ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një takim të liderëve “sapo ta lejojnë rrethanat”. /REL/

Continue Reading

Botë

Tragjedi në Turqi: Katër të vrarë nga të shtënat me armë në një shkollë

Published

on

By

Një sulm i përgjakshëm ka tronditur sot qytetin e Kahramanmarashit në Turqi, ku të shtëna armësh në një shkollë të mesme të ulët kanë lënë të paktën katër viktima dhe 20 të plagosur.

Guvernatori i rajonit njoftoi se motivet e këtij sulmi mbeten ende të panjohura, ndërsa Ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes.

Kjo ngjarje e rëndë pason një tjetër sulm të ngjashëm që ndodhi ditën e martë në juglindje të Turqisë.

Atje, një ish-nxënës hapi zjarr duke plagosur 16 persona para se të vriste veten, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në institucionet arsimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet

Aksident fatal me traktor në Istog: Humb jetën një person nga Klina

Published

on

By

Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Polanë të Istogut, ku një person ka humbur jetën pasi është rrokullisur me traktor.

Sipas raportit të Policisë, viktima nga fshati Leskoc i Klinës kishte shkuar në pyll për dru, kur mjeti i tij u rrotullua duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Rreth orës 11:20, trupi i viktimës është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet kompetente policore, të cilat po merren me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.

Continue Reading

Të kërkuara