Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar lidhur me një vendimmarrje të fundit të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, për të cilën shpreh shqetësim për procedurat e ndjekura.

Sipas MAShTI-t, më 23 qershor 2025, pa një njoftim paraprak, përmes emailit zyrtar ka pranuar njoftimin nga Instituti Albanologjik se më 20 qershor 2025 është mbajtur një mbledhje e Këshillit Drejtues. Në këtë mbledhje, përveç pikave të tjera, është vendosur për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Ministria ka konfirmuar gjithashtu pranimin e një njoftimi zyrtar nga dy anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët kanë ngritur shqetësime për procedurën. Sipas tyre, mungesa e materialeve paraprake për shqyrtim ka bërë që ata të kërkojnë shtyrjen e mbledhjes, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Më tej, ata kanë theksuar se mbledhja është mbajtur pa kuorumin e nevojshëm, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimeve të marra.
MAShTI ka bërë të ditur se do të shqyrtojë me kujdes të gjitha informacionet dhe dokumentet zyrtare të pranuara lidhur me këtë proces dhe, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Ministria ka premtuar se për vendimin përfundimtar do të njoftohen institucionet përkatëse dhe zyrtarët përgjegjës./kp/