Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është pranuar si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (European Academy of Sciences – EurASc).
European Academy of Sciences (EurASc) është një nga akademitë më prestigjioze në Evropë, që bashkon shkencëtarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e ekselencës shkencore dhe teknologjike për të adresuar sfidat më të mëdha globale. Anëtarët e saj janë emra të njohur që kanë dhënë kontribute të mëdha në fushat përkatëse, përfshirë shumë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe nobelistë.
Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që njeh kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hajrizit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikëbërjes në nivel rajonal dhe evropian.
“Pjesëmarrja ime si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave është një vlerësim personal, por mbi të gjitha është një njohje për punën dhe përkushtimin afatgjatë të UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi akademik dhe shkencor në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit”, tha Rektori Hajrizi.
Akademia Evropiane e Shkencave (EurASc), në publikimin e saj në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Dr. Edmond Hajrizi për përvojën e tij mbi dydekadëshe në ndërthurjen e akademisë me ekosistemet e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.
Nën udhëheqjen e tij strategjike dhe vizionare, UBT është konsoliduar si një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes.
Si pjesë e angazhimeve të tij profesionale, Prof. Hajrizi ka udhëhequr me sukses dhjetëra projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe ka kontribuar si këshilltar për institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar transformimin digjital, prodhimin inteligjent dhe arsimin e orientuar drejt së ardhmes.
Ky pranim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Rektorin Hajrizi, por një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën në tërësi. Ai dëshmon se përkushtimi ndaj inovacionit, cilësisë akademike dhe vizionit global mund të sjellë njohje ndërkombëtare dhe ta vendosë Kosovën në hartën e qendrave të rëndësishme të dijes dhe teknologjisë.