Lajmet

​Ura në Rugovë do të mbyllet

Shembja mund të ndodhë në çdo kohë.

Published

on

Ura e fshatit Rugovë tash e nëntë muaj vazhdon të jetë në gjendje të rëndë për kalimin e qytetarëve me vetura. Akoma më e rëndë është bërë pas vërshimeve të fundit që ishin në vend.

Të shqetësuar për këtë janë banorët e këtij fshati, të cilët thonë se janë harruar nga institucionet, derisa bëjnë sërish kërkesë që komuna të merr masa dhe të fillojë sa më shpejtë me rregullimin e urës.

Vesel Bytyqi, i cili kalon pothuajse çdo ditë në këtë rrugë, thotë se nuk po interesohet askush ta ndërtojë urën.

“Për vetura është rrezik, por nuk po e shikojnë punën e rrezikut, si po dëshirojnë vet. A ka rrezik për veti, po e lënë qysh të dëshirojnë vet. Rrezik është, mirëpo nuk po interesohet askush me ndreq”, thotë Bytyqi.

Edhe Beqir Shala i cili jeton në Rugovë, ndihet shumë i rrezikuar teksa kalon rrugën nga ura.

“Shumë është rrezik. Këtu po kemi frikë edhe në këmbë me dalë, nuk di si po guxojnë të kalojnë këta me makina të mëdha, qysh nuk po ia kanë frikën se mundet dikush me ra në urë e me u mbyt…1:22 Kemi kërkesë nga komuna me ndreq, urën se po kemi frikë”, tha Shala.

Blerim Avdyli, po ashtu thotë se komuna duhet të fillojë punën sa më shpejtë. Sipas tij, ekziston mundësia e shembjes nëse sërish do të ketë vërshime.

“Shumë e rrezikshme është prej që është dëmtuar, është hera parë që po kaloj, por qenka shumë rrezik… Besoj që duhet të fillojnë ta ndreqin brenda muajit, sepse edhe njëherë me pas vërshime prishet e gjitha”, thotë Avdyli.

Ndërkaq, Filloreta Hoti, kryetare e Këshillit Lokal në Rugovë, thotë për KosovaPress, se e kanë adresuar si problem në takimin me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini. Ajo thotë se i njëjti ka lajmëruar se është në pritje të përgjigjes nga FSK, siç thotë ajo, nëse nuk ka zgjedhje për urë alternative, do të fillojë projekti për një urë të re.

“Gjatë takimit me kryetarin kemi biseduar për disa kërkesa dhe ankesa që i kanë kërkuar banorët e Rugovës. Një prej tyre ka qenë edhe Ura e Rugovës, që është një ankesë shumë e madhe për banorë, pasi po paraqet rrezik shumë të madh. Kryetari, Gjini na ka lajmëruar se fillimisht është duke prit përgjigje prej FSK-së, mandej për një urë alternative dhe nëse nuk ka urë të përshtatshme për Urën e Rugovës, atëherë do të fillojë projekti për një urë të re”, thotë Hoti.

Hoti po ashtu thotë se çdo i dyti banorë ka paraqitur ankesa lidhur me urën, derisa janë duke pritur ende përgjigje përfundimtare se çfarë tutje.

“Rrezikshmëria është jashtëzakonisht e madhe pasi që çdoherë e më shumë po shkon duke rënë ura dhe po paraqet rrezik të madh për banorët…Çdo i dyti banor e përmend urën dhe kërkojnë përgjigje për këtë çështje, sepse që nëntë vite gati kemi problem me urën”, tha mes tjerash Hoti.

Ndërkohë, lidhur me çështjen e kësaj ure, është deklaruar edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“E kemi pas një takim me FSK-në për ndërtimin e një ure metalike e cila derisa të ndërtohet të paktën nuk e bllokon fshatin. Problemi i parë që ka dal është gjatësia maksimale e urës që e përdorë FSK-ja është 58 metra, gjerësia e lumit te ura është më e madhe, kemi kërkuar të shikohet mundësia të vendoset ura metalike deri te këmbët e urës së të cilat janë të mira, deri tash FSK ka thënë se nuk kanë bërë diçka të tillë por duhet të pyesin, në të njëjtën kohë është parë edhe një vend alternativë, shumë afër urës ku gjerësi e lumit është më pak se 50 metra, me u ndërtuar këmbët dhe me u ndërtuar ura. Të gjitha janë duke u shqyrtuar….te projekti, jemi duke e pritur edhe Ministria e Infrastrukturës të cilët na kanë thënë se janë në fazën e fundit të kalimit të projektime të cilit e kanë bërë. Po është e vërtet që qytetarët kalojnë me mjete të rënda, disa herë e kemi bllokuar urën me gypa, janë thyer dhe janë larguar gypat. Komuna e ka bërë një porosi për piramida të betonit për ta mbyllë. Unë i kuptoj qytetarët që duan ta shkurtojnë rrugë, por me na ndodh ndonjë fatkeqësi, atëherë nuk i paguajnë të gjitha orët e humbura, kështu që ne kemi me mbyll urën për shkak se kemi raport zyrtar që ura është e rrezikshme dhe shembja mundet me ndodhë në çdo kohë”, tha ai.

Gjini njoftoi se për këtë çështje ka diskutuar edhe me ministrin e Mbrojtjes.

Continue Reading

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara