Kulturë

​Teatri Kombëtar i Kosovës dy muaj pa shfaqje teatrale për shkak të restaurimit të objektit

Objekti i Teatrit Kombëtar së shpejti do të ketë një renovim të tërësishëm.

Published

on

Me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës që nga data 1 korrik ka mbyllur dyert për publikun për shkak të renovimit të objektit.

Me një audiencë prej 1 mijë e 500 personave për shfaqje teatrale, objekti i Teatrit Kombëtar së shpejti do të ketë një renovim të tërësishëm.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i këtij institucioni kulturor, thotë se renovimi ka qenë i domosdoshëm pasi një renovim të tillë teatri nuk e ka pasur që nga koha e themelimit të tij. Ai thotë se përkundër shfaqjeve që kanë pasur në Teatrin Kombëtar, tash gjatë kohës së renovimit të objektit kanë dy hapësira të cilat do t’i shfrytëzojnë deri në përfundimin e punimeve.

“Teatri Kombëtar i Kosovës ka gati për çdo natë shfaqje në skenën e madhe dhe skenën e vogël. Tash në situatë ku nuk e dimë si do ta menaxhojmë për shkak se i kemi dy hapësira, me të cilat po mundohemi ta vazhdojmë punën tonë derisa të kryhet renovimi i teatrit. Njëra prej tyre është amfiteatri i Pallatit të Rinisë, të cilin presim ta adaptojmë dhe ta shfrytëzojmë për skenën e vogël. Në anën tjetër, kemi marrë premtime edhe nga Komuna e Prishtinës që do të mund ta përdorim edhe ish-objektin e kinemasë “Rinia” për nevojat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht që aty ta zhvendosim skenën e madhe deri në renovimin e tërësishëm. Kështu që nuk e di se kur do të fillojmë me reportuare. Nga tetori do të mundohemi të kemi reportuaret tona të rregullta dhe prodhimin e shfaqjeve të reja”, thotë ai.

Sheremeti thotë se restaurimi i objektit të teatrit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin artistik, por edhe për publikun kosovar.

“Po, renovimi i teatrit ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm. Ne shpresojmë të jemi të lumtur kur të eliminohen të gjitha problemet që kanë qenë të natyrës teknike, sanitare, dhe mezi presim të kthehemi në këtë objekt dhe të vazhdojmë punën”, tha ai.

Sheremeti flet edhe për bashkëpunimin që ka Teatri Kombëtar i Kosovës me teatrot e rajonit.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë sidomos me Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe atë të Shkupit, për shkak që është e natyrshme që të kemi bashkëpunim edhe që e kemi edhe të njëjtën gjuhë që flasim në teatër. Gjuha është faktor shumë i rëndësishëm brenda teatrit, por e kemi edhe audiencën afërsisht të njëjtë që mund të qarkullojë në këto teatro. Përndryshe, Teatri Kombëtar i Kosovës para tre muajve është anëtarësuar në Konventën teatrore evropiane e që është një platformë më e madhe evropiane”, thotë ai.

Pavarësisht mungesës së shfaqjeve teatrale, për publikun nuk kanë munguar aktivitetet kulturore të ndryshme gjatë kësaj sezone.

Sa i përket ndarjes së buxhetit për renovimin e objektit të Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka kthyer përgjigje.

Lajmet

Taylor Swift hyn në histori si artistja më e suksesshme e “MTV VMA”, ndërsa Madonna fiton çmimin e vitit

Published

on

By

Taylor Swift është shpallur artistja më e suksesshme në historinë e ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards, pasi fitoi çmimin kryesor “Videoja e Vitit” gjatë mbrëmjes së të dielës.

Këngëtarja hyri në këtë mbrëmje me barazim me Beyoncé me nga 30 fitore gjithsej, por mori çmimin më të rëndësishëm të natës për videoklipin e këngës saj “The Fate of Ophelia”, e cila është pjesë e albumit të saj të vitit 2025, The Life of a Showgirl.

Nga ana tjetër, Mbretëresha origjinale e Pop-it, Madonna, u shpall “Artistja e Vitit”, si dhe rrëmbeu çmimet “Kënga më e mirë Dance” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” përkrah Sabrina Carpenter. Çmimet i fituan me hitin “Bring Your Love”, që ishte edhe singli kryesor nga albumi i Madonnës i vitit 2026, Confessions II.

Gjithashtu, Swift u nderua me çmimin e parë inaugurues për “Regjinë Artistike” (Artist Director), pasi ka shkruar dhe đạoijuar vetë videoklipin me stil teatror e shkëlqyes të këngës “Ophelia”.

Continue Reading

Lajmet

Turizmi dhe inteligjenca artificiale në fokus të konferencës në Prishtinë

Published

on

Në Emerald Hotel në Prishtinë, sot, më 25 shtator, po mbahet Konferenca Qendrore për Shënimin e Ditës Botërore të Turizmit, ku përfaqësues të institucioneve, sektorit të turizmit, teknologjisë dhe arsimit po diskutojnë për gjendjen aktuale, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të turizmit në Kosovë.

Konferenca, e cila zhvillohet nga ora 09:00 deri në 14:00, ka temën “RE: TOURISM, AI në promovimin e turizmit në Kosovë”, me fokus te zhvillimi i sektorit turistik, promovimi i Kosovës dhe mundësitë që sjell digjitalizimi.

Paneli i parë trajton gjendjen aktuale të turizmit në Kosovë, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të tij, ndërsa paneli i dytë i kushtohet digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale si mundësi për transformimin dhe promovimin e sektorit.

Në konferencë marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave të turizmit, sektorit të teknologjisë, arsimit, hotelerisë dhe udhërrëfyes të turizmit.

Konferenca synon të bashkojë aktorë të ndryshëm për të diskutuar mënyrat se si teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të shfrytëzohen për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

26 vjet nga vdekja e Adem Kastratit, piktorit që e ktheu jetën shqiptare në art

Published

on

Piktori shqiptar Adem Kastrati u lind më 15 janar 1933 në Karaçevë të Dardanës, në një familje të njohur për veprimtarinë patriotike dhe arsimdashëse. Ai ishte piktor, pedagog i artit figurativ, krijues letrar, mbledhës dhe studiues i folklorit, ndërsa veprimtaria e tij përfshiu edhe analizën e marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe zhvillimeve shoqërore e historike.

Kastrati i përket gjeneratës së parë të piktorëve shqiptarë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Përvojat e kohës në të cilën u rrit dhe u formua si artist lanë gjurmë të dukshme në krijimtarinë e tij.

Ai jetoi në periudha të ndryshme historike dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Katër herë ndryshoi shtetësinë, duke jetuar në Mbretërinë e Jugosllavisë, Mbretërinë Shqiptare, Jugosllavinë socialiste dhe më pas në Republikën e Maqedonisë.

Në qendër të veprave të tij ishte njeriu i zakonshëm dhe jeta e përditshme shqiptare. Familja, nëna, gruaja, fshati, puna, toka, dasmat, traditat dhe folklori u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij.

Një vend të veçantë në pikturat e Kastratit zë figura e nënës. Ai e paraqiste atë si shtyllë të familjes dhe si figurë që përcillte dashurinë, kujdesin dhe vazhdimësinë e jetës. Edhe burrat dhe gratë në veprat e tij paraqiten përmes roleve të tyre në familje, punë, valle dhe jetën e komunitetit.

Kastrati u dallua edhe për teknikën e veçantë të përdorimit të dheut shumëngjyrësh, përmes së cilës krijoi një stil karakteristik. Në veprat e tij ndërthuren ngjyrat, teksturat dhe motivet tradicionale, duke krijuar një gjuhë të veçantë artistike.

Krijimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në paraqitjen e jetës së përditshme. Pikturat e Kastratit shpesh shërbyen edhe si dëshmi të ngjarjeve shoqërore dhe historike. Ai trajtoi shpërnguljet e shqiptarëve, varfërinë, ndarjet familjare dhe ngjarjet që prekën shqiptarët gjatë shekullit XX.

Në veprat e tij të mëvonshme trajtohen edhe temat që lidhen me tragjedinë e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998–1999.

Ndër veprat e njohura të tij janë “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Mikpritja”, “Darka” dhe “Dasmorët”. Ai trajtoi gjithashtu motive nga legjendat popullore, si “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër” dhe “Krushqit e ngurosur”.

Përveç pikturës, Kastrati kishte një veprimtari të gjerë në mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit dhe etnografisë shqiptare. Ai bashkëpunoi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe dokumentoi këngë, valle, veshje, zakone dhe tradita të ndryshme shqiptare.

Ai ishte gjithashtu autor i dramave, tregimeve dhe shkrimeve publicistike, disa prej të cilave i botoi me pseudonimin R. Kosova.

Interesi për artin te Kastrati ishte shfaqur që në fëmijëri. Ai kujtonte se si përdorte baltën shumëngjyrëshe të vendlindjes për të krijuar figura njerëzish dhe kafshësh dhe për të vizatuar mbi pllaka balte. Talenti i tij u vu re edhe gjatë shkollimit, ku mësuesit e vlerësuan për aftësitë në vizatim.

Gjatë karrierës së tij, Kastrati ekspozoi në galeri të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kritika artistike vlerësoi origjinalitetin e stilit të tij, përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën se si ai e ndërthurte artin me jetën dhe traditën shqiptare.

Numri i saktë i veprave të tij nuk dihet. Sipas evidencave të lëna nga vetë piktori, fondi i tij mund të ketë pasur rreth 830 vepra, ndërsa qindra të tjera janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës, përmes shitjes apo dhurimit.

Adem Kastrati vdiq në Shkup më 24 shtator 2000, në moshën 67-vjeçare. Sot, më 24 shtator 2026, shënohen 26 vjet nga vdekja e tij.

Me veprën e tij, Kastrati la pas një dëshmi të veçantë artistike për jetën, traditat dhe historinë shqiptare, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar të shekullit XX./A.K.

Continue Reading

Lajmet

Një vit nga vdekja e Enver Petrovcit, Teatri Kombëtar e kujton artistin e madh

Published

on

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u përkujtua aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Mes kolegëve, studentëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, u kujtua një prej figurave të rëndësishme të skenës dhe filmit shqiptar, i cili la gjurmë të veçanta në teatrin dhe kulturën shqiptare.

Petrovci u kujtua për kontributin e tij artistik, por edhe për raportin e veçantë me publikun dhe brezat e rinj të artistëve.

Një vit pas vdekjes së tij, kujtimi dhe vepra e Enver Petrovcit vazhdojnë të mbeten pjesë e skenës dhe kulturës sonë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara