Aktualitet

​Sveçla: Sot kujtojmë Monin e Arbenin, si dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje

15 vjet nga protesta e përgjakshme.

Publikuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kujtuar dy aktivistët e VV-së, Arben Xheladini e Mon Balaj, të cilët u vranë 15 vjet më parë teksa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

Sveçla tha se sot kujtojnë Monin e Arbenin si dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje.

“Sot bëhen 15 vite prej protestës së 10 shkurtit 2007. U organizuam për të protestuar kundër pakos së Ahtisarit, e cila theksonte kufizime kundrejt aspiratave legjitime të popullit të Kosovës. Popullit të Kosovës i takonte pavarësia dhe nuk kishim çfarë të jepnim më shumë se ç’dhamë. Mijëra protestues paqësorë që kërkonin vetëvendosje u përballën me dhunën e shfrenuar të policisë së UNMIK-ut. Mbi 232 plumba gome me afat të skaduar u hodhën mbi protestues nga të cilët u plagosën dhjetëra qytetarë, ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini dhe u plagosën rëndë Mustafë Nerjova, Zenel Zeneli e Hysni Hyseni. Sot kujtojmë Monin e Arbenin, si dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje. Ata dhanë jetën për Kosovën dhe sakrifica e tyre për liri e pavarësi është udhërrëfyesi ynë më i qartë në përgjegjësitë që kemi karshi tyre dhe gjithë qytetarëve të Republikës sonë. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne duhet e do të ecim drejt gjithmonë”, ka shkruar Sveçla.

KMDLNj ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

Aktualitet

Qeveria mban mbledhje elektronike

Merr dy vendime.

Publikuar

nga

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë dy vendime.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – Neni 1.

Qeveria po ashtu ka themeluar Komisionin e Pranimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas konkursit të shpallur me datën 14.03.2024.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Rama nis vizitën zyrtare në Paris, takim ‘kokë më kokë’ me presidentin Macron

Vizita bëhet me ftesë të presidentit Macron.

Publikuar

nga

Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Konkretisht, ditën e premte në orën 8:30, kryeministri Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e z. Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF, me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjoze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse, shkruan Top chanel, transmeton KosovaPress.

Të premten, në orën 12:30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Në orën 14:45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.

Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

​Vdes ish-gazetari Arben Rugova

AGK-ja i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit. 

Publikuar

nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit, Arben Rugova. Në njoftim thuhet se ai ka punuar në sektorin e arsimit dhe të politikës në disa media si Koha Ditore, Gazeta Express, Telegrafi, Gazeta Lajmi e të tjera.

Rugova punonte së fundi si Zyrtar për Qasje në Dokumente Publike në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Për vdekjen e gazetarit Rugova, kanë njoftuar familjarët e të ndjerit në rrjetet sociale.

AGK-ja i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Shpërthim në Lushnjë: Raportohet një i vdekur e gjashtë të plagosur, mes tyre deputeti i PS

Gjashtë të plagosurit nga shpërthimi në Lushnjë janë nisur drejt spitalit të Traumës.

Publikuar

nga

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një magazinë në ndërtim në Lushnjë. Një person humbi jetën, shtetasi R.H. Gjithashtu raportohet për gjashtë persona janë plagosur, mes tyre edhe deputeti i PS, Bujar Çela.

Gjashtë të plagosurit nga shpërthimi në Lushnjë janë nisur drejt spitalit të Traumës.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur në spitalin e Lushnjës, ndërkohë që ende nuk dihet gjendja e të plagosurve. Ndërsa ajo që dihet deri më tani është se deputeti Bujar Çela po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Në ndihmë po vijnë dhe mjekë nga spitali i Fierit dhe Beratit, bashkë me autoambulanca.

Ende nuk dihet shkaku i saktë i këtij shpërthimi, ndërsa dyshohet se gjatë punës në fabrikë, një vinç ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka pasur një shpërthim.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara