Lajmet

​Sveçla: Lista Serbe nuk është për zgjedhje sepse e ka humbur mbështetjen në veri

Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit sepse e njëjta e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje. Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët sipas tij ndjehen të rrezikuar nga sundimi i ligjit. Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Ministri i Brendshëm ka deklaruar po ashtu se Policia e Kosovës, por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që këto zgjedhje të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm. Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vetë qytetarët atje, janë çështje e vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje për këtë jemi të gjithë dëshmitar. Me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor ashtu siç është më së miri dhe unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundoj i qetë, i suksesshëm duke i tejkaluar edhe problemet që i përmenda”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje ka ardhur pas interesimit të kryetares së komisioni, Rrezarta Krasniqi, rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

“Edhe pasi që e dimë që tashmë gjendja në veri është pak më shqetësuese a mundesh me na tregua se si është gjendja atje tani sot, a munden me u mbajtur zgjedhjet data po afrohet më 23 prill”, ka pyetur ajo.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar të dijë se sa do të ketë siguri për mbajtjen e zgjedhjet në veri.

“Nëse mbahen në stacione të Policisë dhe me kallasha duke i ruajtur Policia sa kanë legjitimitet ne dëshirojmë me pas pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje me u zgjedh institucionet demokratike për neve është më mirë serbët që e pranojnë Republikën e Kosovës me u zgjedh dhe me pas legjitimitet sesa Lista Serbe që dirigjohet prej Beogradit, por sa do të ketë siguri në zgjedhje”, ka pyetur Kadrijaj.

Ndërsa Sveçla ka deklaruar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

“Nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe, është e qartë që segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje, tash ne si institucionet të Republikës së Kosovës kemi obligim që qytetarëve atje tu ofrojmë shansin për jetë të qetë dhe për rregullim demokratik jemi të obliguar. Pse një Listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit nga mungesa e humbja e përkrahjes nga dora e zgjatur e ligjit ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk duhet të presim që Lista Serbe të na thotë se a duhet të mbajmë zgjedhjet apo jo apo do ta bojkotoj apo jo. Një prej arsyeve që ata nuk janë për zgjedhje është për shkak se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen”, ka thënë Sveçla.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, Sveçla ka thënë se gjendja nuk është e kënaqshme por ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

Ndërsa sukses të Policisë së Kosovë në veri i ka vlerësuar aksionet kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike për të kultivuar kriptovalutat. E sa i përket dorëheqjes së ish-policëve në veri, Sveçla ka thënë se Kosova nuk ka humbur asgjë prej këtyre dorëheqjeve.

“Policia e Kosovës por as Kosova asgjë nuk ka humbur prej dorëheqjes së atyre të cilët i kanë raportuar Beogradit tashmë jemi në proces të rekrutimit të shtetasve tanë të komuniteteve të ndryshme me theks të veçantë në komunitetin serbe të cilët kanë filluar tashmë trajnimin në Akademinë Policore në Vushtrri për tu bërë pjesëtarë të Policisë, pjesëtar lojal të cilët punojnë sipas ligjeve të Kosovës.sa i takon kryetarëve të komunave ajo është çështje e vendimit të tyre politik Qeveria e Kosovës nuk mund të jetë e shantazhuar nga një grupacion i cili as nuk njeh as nuk punon për Republikën e Kosovës…Sa i takon MPB çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë të Kosovës kurrë punë më të mirë nuk kanë bërë absolutisht kurrë për këtë jemi dëshmitar”, është shprehur Sveçla.

Krahas situatës në veri, ministri Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka thënë se falë angazhimit është kthyer në agjendë edhe çështja e liberalizimit të vizave.

E pas këtij deklarimi ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se për këto dy vite nuk mund të thuhet se nuk ka pas skandale pasi edhe numri i punëtorëve që po e braktisin administratën publike është i madh.

“Pak punë kemi parë për dy vite të kësaj qeverisë për të thënë se nuk ka pas fare skandale ne çdo ditë shohim braktisje të punëtorëve prej sektorit publik në administratën që ju folët çdo numri i punëtorëve që lëshojnë administratën është në rritje edhe raportet ndërkombëtare që ju sapo i cilësuat flasim për nivel të lartë të korrupsionit.. nuk keni nevojë sot me marr rol dhe me thanë që e kemi kthyer në agjendë sepse padrejtësisht I është mohuar një e drejtë substanciale e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës dhe uroj që javën e ardhshme të merret epilogu përfundimtar”, ka thënë ajo.

E sa i takon liberalizimit të vizave Sveçla ka thënë se puna e tyre më e suksesshme ka qenë takimet me përfaqësuesit me shtetet skeptike. Ndërsa ka theksuar se tashmë kanë filluar përgatitjet e Kosovës për procedurat pas marrjes së liberalizimit të vizave.

“Ka pas shumë shtete skeptike të cilat kanë qenë barrierë për arritjen e liberalizimit të vizave dhe unë mendoj se punë jonë më e suksesshme ka qenë në drejtim të takimit të këtyre përfaqësuesve të këtyre shteteve edhe pastaj sqarimin e këtyre skepticizmave. Vetëm për liberalizim të vizave unë kam qenë 5 herë në Francë, nuk po flas ekipet e mija, kam qenë unë”, ka theksuar ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e ka pyetur ministrin se a janë rregulluar dy zyre të punës të njësive speciale në kampin Belvedere. Por këtë ministri i Punëve të Brendshme e ka mohuar duke e quajtur të pavërtetë.

“Nuk ka të vërtetë e dëgjova edhe dje nga një deputet i keni kanalet e verifikimit të informatave na pyesni drejtpërdrejt iu përgjigjemi ne si deputet por mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë”, ka thënë ai.

Si sfidë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sveçla ka adresuar rrezikun nga sulmet kibernetike. Ai ka përmendur edhe rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, për çka ka thënë se identifikimi dhe arrestimi i sulmuesve të tij është bërë në kohë rekorde.

I pyetur për Projektligjin për Pensionimin e Parakohshëm të Policisë, ministri Sveçla ka thënë se kjo çështje nuk është kompetencë e MPB-së, por në kuadër të Ministrisë së Financave.

Sa i përket planit kombëtar të zbatimit të MSA-së, ai ka thënë se prej 35 masave që janë nën përgjegjësinë e MPB-së deri në fund të vitit janë zbatuar 24 masa apo 68.57%, dhe nuk janë zbatuar 11 masa apo 21.43%. 

Lajmet

Deklaratat përmbyllëse në Hagë, ditët që mund të përcaktojnë epilogun

Published

on

By

Dhomave të Specializuara në Hagë ka njoftuar se më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para gjykatës deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30.

“Rendi i ditës më poshtë buron nga Njoftimi i Trupit Gjykues në lidhje me Mbylljen e Procedurës së Paraqitjes së Provave i datës 18 dhjetor 2025. Ky rend dite bazohet në vlerësimet aktuale dhe mund të ndryshojë, për shembull nëse një palë ka nevojë për më pak kohë seç mendohej. E hënë, 9 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë. E martë, 10 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Viktimave. E mërkurë, 11 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit. E enjte, 12 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit. E premte: 13 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit. E hënë, 16 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit; pyetje të mundshme nga Trupi Gjykues. E mërkurë, 18 shkurt: Përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

Historiku i çështjes

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Secili prej të akuzuarve akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për gjashtë akuza që lidhen me krime lufte.

Në aktakuzë thuhet se krimet për të cilat janë ngritur akuza janë kryer nga të paktën marsi deri në shtator 1999 dhe kanë ndodhur në disa vende në Kosovë dhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e saj në korrik 2025, dhe Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre nga shtatori deri në dhjetor 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në këtë çështje, 134 dëshmitarë kanë dhanë dëshmi në gjykatë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga Mbrojtja. Gjithashtu, 164 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.

Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të vijojë me kuvendimet për nxjerrjen e aktgjykimit. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave. Në rast se për shkak të rrethanave kërkohet kohë shtesë, ky afat mund të zgjatet me 60 ditë të tjera.

Data dhe ora e gjithë seancave publike të planifikuara mund të gjendet në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DHSK-së. Ndryshimet e mundshme të seancave të planifikuara të përshkruara në këtë informim do të pasqyrohen në kalendar.

Continue Reading

Lajmet

​Walker vlerëson avancimin demokratik të Kosovës

Published

on

By

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka deklaruar se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë.

Ai në akademinë përkujtimore në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, vlerësoi zhvillimin e vendit, derisa tha se kjo do të ishte e paimagjinueshme 27 vjet më parë.

Kam dëgjuar fjalë lavdërimi, me të drejtë, për UÇK-në, për ata që hodhën bombat nga NATO dhe që sollën atë që shohim sot. Dhe, natyrisht, nëse dikush do të më kishte thënë 27 vjet më parë se sot do të qëndroja përballë një kryeministri dhe një presidenteje të Republikës së pavarur dhe demokratikisht të zgjedhur të Kosovës, do t’i kisha thënë se ishte i çmendur. Gjithçka që ju përfaqësoni për mua është fakti se sa shumë ndryshime ka pasur brenda vetëm 27 viteve. Këtë desha ta përmend për të kaluarën, por ajo që dua të theksoj gjithashtu është se një grup njerëzish, që sipas meje meritojnë shumë respekt dhe mirënjohje për atë që bënë për ta bërë të mundur shfaqjen e Republikës së Kosovës ashtu siç është sot”, tha ai.

Walker para të pranishmëve përmendi edhe rolin që e kanë pasur mbi 1.200 vullnetarë nga 30 vende anëtare të OSBE-së në Misionin Verifikues të OSBE-së në atë periudhë.

Rrallëherë përmenden në fjalimet që dëgjoj, as këtu e as jashtë Kosovës, janë ata që erdhën me mua, që erdhën për të shërbyer në Kosovë kur ajo ishte ende një vend shumë i rrezikshëm. Këta ishin vullnetarë nga rreth 30 vende anëtare të OSBE-së. Deri në momentin kur u larguam, vetëm tre muaj pasi kishim ardhur dhe kishim tentuar të vendosnim misionin, erdhën deri në 1.200 vullnetarë nga shtetet anëtare të OSBE-së. Ky ishte Misioni Verifikues i Kosovës. Këta njerëz, të rinj dhe të moshuar, erdhën me shumë aftësi, me shumë për të ofruar për popullin e Kosovës dhe për të përmbushur detyrën për të cilën ishin dërguar këtu: të verifikonin se cila palë po bënte çfarë ndaj cilës palë”, tha ai.

Derisa nënvizoi se nuk kishte frikë në asnjë moment gjatë kohës sa ishte në Kosovë me misionin e OSBE-së për ta dëshmuar të vërtetën e Masakrës së Reçakut.

Besomëni, unë nuk pata frikë në asnjë moment gjatë kohës që isha në Kosovë me misionin, se isha në rrezik. Unë isha kryesisht në Prishtinë, kisha një lloj sigurimi – ishin vetëm gjashtë a shtatë të rinj kosovarë të armatosur me shkopinj, por ata ishin aty për të më mbrojtur. Po ashtu, nuk kisha asnjë dyshim se Sllobodan Millosheviqi, sado diktator dhe i dhunshëm që ishte, nuk do të dëmtonte një ambasador. Unë isha i sigurt. Por 1.200 të rinjtë që erdhën me mua, vullnetarët, ishin në fshatra, në zonat e thella të këtij shteti, por atëherë të një province të Serbisë, duke u përpjekur t’i tregonin botës se çfarë po ndodhte këtu. Do të doja që ata të kishin marrë shumë më tepër vlerësim për atë që bënë dhe për ndikimin që patën, ashtu si edhe ata që erdhën nga NATO, nga institucionet e tjera dhe nga kryeqytetet e Evropës. Këta ishin të rinj që ishin realisht në rrezik, jetonin në fshatra, jetonin me familje dhe përpiqeshin t’i tregonin botës se çfarë po ndodhte në Kosovë. Prandaj do të doja që, në një moment, të dëgjoja fjalë lavdërimi për vullnetarët e rinj që erdhën me Misionin Verifikues të Kosovës”, përfundoi ai.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.

Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori francez vendos lule në Reçak: Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë

Published

on

By

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka vendosur lule në Reçak për të nderuar 45 civilët e pafajshëm shqiptarë që u masakruan nga okupatori serb.

Në shkrimin e ambasadës thuhet se Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë.

Sot, ambasadori i Francës, Olivier Guérot, vendosi lule në Reçak në nderim të 45 civilëve të pafajshëm të vrarë 27 vjet më parë. Këtu, si kudo tjetër, Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

Continue Reading

Lajmet

​Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

Published

on

By

Krerët institucionalë në Kosovë kanë kërkuar drejtësi për 45 viktimat civile që u vranë në masakrën e Reçakut 27 vjet më parë. Në akademinë përkujtimore, shefat e shtetit thanë se Reçaku u bë pikë kthese para botës, ku u qartësua realiteti i hidhur i regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Megjithatë, u tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 22 personave tregon se drejtësia nuk do të ndalet kurrë, edhe kur kriminelët serbë fshihen apo strehohen nga shteti serb. Sipas tyre, aktakuza afirmon se çdo krim ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dhimbja e Reçakut nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi 27 vjet më parë, por edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën nga Serbia.

Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. Guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori William Walker. Nga ajo që pa personalisht, nuk hezitoi ta përshkruajë ngjarjen si masakër që dukej qartë, padyshim, si krim kundër njerëzimit. Këto ishin fjalët e ambasadorit Walker më 16 janar 1999 në Reçak. Këto ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe ia zhveshën maskën gënjeshtare gjenocidale të Serbisë… Sot dhimbja nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi atë ditë, por edhe nga ajo që nuk ndodhi më pas. Nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën. Përpjekje këto që vazhdojnë në Serbi. Drejtësia për Reçakun ende mbetet peng, andaj nuk do të reshtim asnjëherë së kërkuari atë. Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa drejtësi nuk ka pajtim të vërtetë”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.

Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit, që synonte shuarjen e popullit tonë me çdo kusht. Qoftë një tragjedi që nuk përsëritet në historinë tonë, por për herë të parë ajo mori vëmendjen e të gjithë botës. Reçaku ishte pika e kthesës dhe fillimi i fundit të atij shovinizmi të egër. Kjo tragjedi e tmerrshme bëri që bota të zgjohej nga heshtja e gjatë”, theksoi Basha.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë.

Ai shtoi se faktet dhe dëshmitë për masakrën e Reçakut mbeten të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet.

Ai përmendi edhe ngritjen e aktakuzës ndaj 22 personave nga Prokuroria Speciale si dëshmi se drejtësia nuk do të ndalet deri kur kriminelët serbë, përgjegjës për këtë masakër, të arrestohen dhe gjykohen, ndonëse edhe në mungesë.

Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet. Drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik…Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshihen në Serbi apo kur strehohen nga shteti atje. Drejtësia ecën përpara, pasi shteti i Kosovës nuk harron kurrë”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se masakra e Reçakut është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim nga shteti gjenocidal serb.

Reçaku është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim. Reçaku është dëshmi dhe mbetet plagë që nuk shërohet dhe krenari që nuk shuhet. Reçaku është kujtesë e përhershme se liria jonë ka qenë dhe është paguar me jetën e njerëzve të pafajshëm. Drejtësia për viktimat e Reçakut ende mungon, megjithëse më 30 dhjetor Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë edhe shumë të tjerë të përfshirë, përfshirë edhe krerët e shtetit serb, të vihen para drejtësisë”, deklaroi Aliu.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.

Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Continue Reading

Të kërkuara