Lajmet

​Stano: Lajçak në Prishtinë, për të gjetur rrugën për de-përshkallëzimin e situatës

Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës.

Published

on

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano theksoi se menjëherë duhet të ndodhë de-përshkallëzimi i situatës.

Stano tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës dhe të ketë kthim të bisedimeve për normalizim në kuadër të dialogut.

Në konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano tha se Lajçak në vazhdimësi po udhëton në rajon edhe në kuadër të frymës së diskutimeve të Këshillit Evropian.

“Kjo vizitë specifike është vazhdim i Këshillit Evropian. Këshilli Evropian, siç e dini, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së po diskutonin për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata kërkuan për deeskalim të shpejtë, pra kjo është në frymën e diskutimeve të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të Këshillit se Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak që të udhëtojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd për t’i çuar çështjet përpara për të gjetur përfundimisht rrugën për të de-përshkallëzuar dhe të mos kemi përshkallëzim, të mos jemi dëshmitarë të tensioneve të vazhdueshme, por të de-përshkallëzojmë dhe në fund të kthehemi te bisedimet për normalizim në kuadër të dialogut”, ka thënë ai.

Sipas tij, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje dy palëve për de-përshkallëzimin e situatës. Ai shtoi se aktualisht nuk janë krijuar kushte për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.

“Ky është pikërisht objektivi dhe qëllimi i të gjitha aktiviteteve që po zhvillohen tani. Kështu, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së, të organit më të lartë vendimmarrës të Bashkimit Evropian, u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë, të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzim. Ata gjithashtu përshkruajnë se çfarë pritet të bëjnë të dyja palët, dhe vizita e Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, në rajon, vizitat e liderëve individualë nga shtetet anëtare në rajon po e çojnë përpara këtë. Ata janë aty për të krijuar atmosferën ku të dyja palët më në fund do të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe t’i kthehen dialogut. Kjo do të thotë de-përshkallëzim i menjëhershëm, renditja e hapave siç është përshkruar më parë dhe më pas zgjidhja e situatës, zvogëlimi i tensioneve dhe kthimi në punën normale për dialogun. Pra, sigurisht që në një moment do të mbahet takimi i ardhshëm i dialogut, por për këtë nuk janë krijuar kushtet tani, ne kemi ende këtë fazë ku duhet të çojmë përpara atë që u diskutua në Këshillin Evropian, prandaj përfaqësuesi i lartë Lajçak është sot në Prishtinë dhe më vonë do të jetë në Beograd”, shtoi ai.

Tutje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian theksoi se fokusi duhet të jetë që menjëherë të depërshkallëzohet situata.

“Tani për tani, siç thashë, prioriteti është tek vendimi i liderëve të 27 shteteve anëtare të BE-së, në konkluzionet e Këshillit Evropian prioritet është de-përshkallëzimi i menjëhershëm, kështu që le të mos fokusohemi në atë që mund të ndodhë, tani duhet të fokusohemi në lidhje me atë që duhet të ndodhë menjëherë dhe ajo që duhet të ndodhë menjëherë është de-përshkallëzimi, ndaj duhet të shohim hapa që të çojnë në de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe urgjent, kjo është pikërisht ajo që po diskutohet si vazhdim i Këshillit Evropian nga Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak në Prishtinë tani dhe në Beograd më vonë”, shtoi ai.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë pasdites do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Lajmet

Trump: Evropa përballet me rrezikun e një zhdukjeje civilizuese

Published

on

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar se Evropa përballet me rrezikun e një “zhdukjeje civilizuese” dhe ka vënë në pikëpyetje nëse disa shtete evropiane mund të mbeten aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara, sipas një dokumenti të ri strategjik që i kushton vëmendje të veçantë kontinentit.

Në dokumentin 33-faqësh të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Trump shpalos vizionin e tij për rendin botëror dhe mënyrën se si SHBA do ta përdorë fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike.

Ai e cilëson këtë strategji si një udhërrëfyes për ta mbajtur Amerikën kombin më të madh dhe më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, shkruan BBC.

Politikanët evropianë kanë reaguar menjëherë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi i tij nuk ka nevojë për “këshilla nga jashtë” për mënyrën se si të organizojë shoqërinë e vet të lirë.

Zakonisht, një Strategji e Sigurisë Kombëtare publikohet nga presidentët amerikanë një herë gjatë mandatit dhe shërben si bazë për politikat dhe buxhetet e ardhshme, si dhe si sinjal për prioritetet e SHBA në arenën ndërkombëtare.

Dokumenti i ri vazhdon retorikën e ashpër të Trump, e cila u pa edhe në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku ai kritikoi ashpër Evropën Perëndimore për politikat mbi migracionin dhe energjinë e pastër.

Sipas BBC, strategjia bën thirrje për rikthimin e identitetit perëndimor, ndaljen e migrimit masiv, luftimin e ndikimit të huaj dhe përqendrim në prioritetet amerikane, si lufta kundër karteleve të drogës.

Administrata Trump ka krijuar lidhje edhe me partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani, e cila është klasifikuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.

Sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë, dokumenti thekson se Evropa tregon mungesë vetëbesimi dhe se përfundimi i konfliktit është një interes thelbësor për SHBA. Administrata Trump ka propozuar një plan paqeje, i cili fillimisht parashihte që Ukraina t’i dorëzonte disa territore Rusisë. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen nga rajoni i Donbasit, Rusia do ta marrë atë me forcë.

Strategjia thekson gjithashtu rëndësinë e hemisferës perëndimore dhe nevojën për riorganizimin e pranisë ushtarake amerikane, duke zhvendosur burimet nga zonat më pak prioritare. Prania ushtarake e SHBA-ve tashmë është rritur në Karaibe, ku janë kryer edhe sulme kundër grupeve të dyshuara për trafik droge.

Një tjetër fokus i rëndësishëm është Deti i Kinës Jugore, që përbën një rrugë kyçe tregtare. SHBA deklaron se do të forcojë praninë e saj në Paqësorin Perëndimor dhe u bën thirrje aleatëve si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Dokumenti thekson se parandalimi i një konflikti për Tajvanin është një prioritet kryesor, ndërsa Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim.

Po ashtu, strategjia përmend forcimin e industrisë amerikane dhe zvogëlimin e varësisë nga teknologjitë e huaja, në përputhje me politikat proteksioniste dhe tarifat globale të vendosura nga administrata Trump./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Thellimi i bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA, Spiropali takon Hanrahan

Published

on

By

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, u takua me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA.

Spiropali theksoi në Facebook se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, është i ndërtuar mbi një aleancë historike.

Kënaqësi të ritakohem me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Evroazisë, Brendan Hanrahan, në margjinat e ministerialit të OSBE, për thellimin e bashkëpunimit tonë strategjik shumëplanësh, përfshirë në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve dhe energjisë”, ka shkruar Spiropali.

Kujtojmë, takimi u mbajt në margjinat e Ministerialit të OSBE në Vjenë/KP

Continue Reading

Lajmet

Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

Published

on

By

Komandanti i lartë i NATO-s nga SHBA-ja, Alexus Grynkewich, ka deklaruar se Evropa “nuk ka nevojë për kaq shumë trupa amerikane” dhe se kontinentit do t’i shkojë “për mrekulli” edhe nëse SHBA-ja redukton praninë e saj ushtarake.

Këto komente vijnë në një moment kur shqetësimet për strategjinë e re të mbrojtjes së presidentit amerikan, Donald Trump, janë në rritje. Strategjia e tij parashikon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa dhe t’i zhvendosë ato në Indo-Paqësor. Hapat e parë janë tashmë realizuar: një muaj më parë, SHBA-ja tërhoqi 800 trupa nga Rumania, raporton Politico.

Dyshimet mbi besueshmërinë e Uashingtonit po shtohen, pasi Trump ka shprehur dyshime për Nenin 5 të NATO-s, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si aleanca duhet të reagojë ndaj një sulmi rus ndaj Polonisë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes.

Një sinjal tjetër shqetësues vjen nga mungesa e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, një rast pothuajse i paprecedentë.

Ndërkohë, inteligjenca evropiane paralajmëron se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s para përfundimit të këtij dekade, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin një herë tjetër ka deklaruar se është “i gatshëm” për luftë me Evropën./EO

Continue Reading

Lajmet

​Policia moldave gjen prova për grupin që dyshohet se u trajnua në Serbi për nxitjen e trazirave në Moldavi

Published

on

Policia moldave tha të premten se ka kryer rreth 50 bastisje në vende të shumta në vend, ku ka gjetur prova se një grup i organizuar i trajnuar më parë në një kamp në Serbi po planifikonte të shkaktonte trazira në Moldavi.

“Grupi i organizuar dyshohet se veproi me qëllimin për të kryer aktivitete të paligjshme në shkallë të gjerë dhe në këmbim të përfitimit financiar”, tha policia moldave në një komunikatë, shkruan REL.

Në komunikatë thuhet se grupi ishte stërvitur më parë në një kamp në Banja Kovilaça, në Serbinë perëndimore, dhe se qëllimi ishte të krijonte tension shoqëror, i ndjekur nga nisja e protestave të dhunshme me qëllim që të ndikonte në rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve moldavë.

Më 26 shtator, policia në Serbi arrestoi dy persona të akuzuar për organizimin e trajnimit taktik-luftarak për qytetarët e Moldavisë dhe Rumanisë, i cili kishte për qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi.

Arrestimet ndodhën pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve të luftimit në Serbi, duke pretenduar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve të fundit në vend.

Ndërkohë, Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

Policia në Serbi njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt ushqimi pranë Loznicës në Serbinë perëndimore dhe se në të morën pjesë midis 150 dhe 170 qytetarë të Moldavisë dhe Rumanisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në tetor se nuk mund të pretendonte se inteligjenca ruse ishte pas kampit, por se policia kishte ndaluar persona me kombësi serbe që ishin të disponueshëm.

Policia moldave shtoi të premten se gjatë kontrollit, ndër të tjera, sekuestroi karta bankare, disa prej të cilave ishin lëshuar nga institucione financiare nga Rusia, mbi 20 pasaporta biometrike me vula për kalimin e kufirit me Serbinë, stacione radioje, dylbi, plumba të kalibrave të ndryshëm për armë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Radios Evropa e Lirë për më shumë informacion në lidhje me këtë rast./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara