Lajmet

​S’kalon Trusti në Komision, Vetëvendosje kundërshton fuqishëm tërheqjen e kursimeve

Pro ishin ata nga PDK, LDK, AAK dhe deputetja nga Lista Serbe, Verica Ceraniq.

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka miratuar të mërkurën propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i plotësim ndryshimit të Ligjit që mundëson tërheqjen e një shume të caktuar nga Trusti.

Kundër kësaj iniciative ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa pro ishin ata nga PDK, LDK, AAK dhe deputetja nga Lista Serbe, Verica Ceraniq.

Ndërkaq deputetja nga radhët e pakicave, Duda Balje ka abstenuar. Votat e deputetëve-anëtarë të komisionit ishin 5 pro, 5 kundër dhe një abstenim. Kështu në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet edhe pa aprovim të Komisionit përkatës dhe Qeverisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dhënë arsyet e iniciativës së tij për tërheqjen e një pjese nga Trusti, i cili tha se kjo kërkesë ka dalë për shkak të krizës ekonomike në vend.

Gjatë prezantimit të projektligjit në këtë Komision, deputeti Haxhiu ka kërkuar që t’u mundësohet qytetarëve kontributpagues të tërheqin mjetet e tyre prej 10 deri 30 përqind nga Trusti për të tejkaluar siç tha ai krizën ekonomike të shkaktuar fillimisht nga pandemia, kriza energjetike dhe tani nga inflacioni.

“Andaj kemi iniciuar ndryshimin e Ligjit për trustin që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e disa prej kursimeve të tyre pensionale nga 10 deri në 30 për qind, për ata që kanë nevojë. Në nenin 1 saktësohet qëllimi: Ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit t’u krijohet bazë ligjore për tërheqje prej 10 deri 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale si masë konkrete për mundësimin e përballimit më të lehtë të pasojave ekonomike të shkaktuara edhe nga pandemia, por edhe nga inflacioni dhe kriza ekonomike”, theksoi ai.

Sipas këtij projektligji, personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri në 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shumë se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka thënë se kjo është masë drastike dhe të tilla masa janë për kohë që nuk janë të zakonshme, duke shtuar se kështu ka qenë edhe kur ishte vendosur gjatë pandemisë më 2020.

Ish-kryeministri tha se veprimi i atëhershëm ka mundësuar që të futen në ekonominë e Kosovës afër 200 milionë euro.

“Besoj që kanë dhënë efektin e tyre, që ne qysh në janar të 2021 e kaluam atë krizë. Por, kjo është histori. Kur është propozuar kjo çështja nga deputeti Haxhiu para 3-4 muajve, unë nuk kam qenë ndër mbështetësit e menjëhershëm të kësaj ideje, sepse… unë kam pritë që nëpërmjet veprimeve të caktuara të Qeverisë nuk do të ketë nevojë që të marrim masat e tilla. Por me kalimin e kohës jo që nuk u morë asnjë masë ose masat që u morën kanë qenë parciale… Kështu që ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj. Qeveria nuk ka dhënë sqarime të nevojshme se pse përmes veprimeve tjera të Qeverisë arrihet efekti i njëjtë, pra cilat janë ato veprime të Qeverisë”, theksoi Hoti.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj theksoi se nuk pajton me opinionin e Qeverisë që apriori të deklarohet se nuk e mbështet këtë, derisa sipas tij, është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

Deputeti Lekaj ka ftuar pozitën t’i lë inatet politike anash dhe ta mbështes tërheqjen e mjeteve nga Trusti në këtë krizë financiare.

“Kam menduar që Qeveria do të na japë këshilla e sugjerime, por jo apriori të ndikojë mbi Parlamentin e Kosovës… Dua të iu bëj thirrje miqësore që të shkoni përtej petkut politik, përtej subjektit tuaj, ta leni krenarinë dhe inatin anash dhe të fokusohemi bashkërisht tek e mira e përbashkët që është qytetari. Nuk po e them për politikë, por po e them që ne e kuptojmë këtë gjendje të ndjeshme. E kuptojmë shumë mirë që ndoshta nuk është metoda më e mirë që t’i ndihmojmë qytetarit. Por, derisa ne kemi një krizë ekonomike dhe çmimet në treg janë rritur, qeveria është për t’i zgjidhur çështjet që kërkojnë qytetarët… Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, theksoi Lekaj.

Deputetja Duda Balje ka thënë se grupi multietnik të martën ka pasur deri vonë një takim porse nuk kanë arritur një dakordim për shkak të qëndrimeve të ndryshme. Deputetja Balje tha se abstenon.

“Unë foli në emër të grupit multietnik, jemi tetë deputetë nga parti të ndryshme, ne në fakt nuk kemi mendim të grupit, jemi 4 me 4, dhe unë sot abstenoj për shkak të mendimit të Grupit”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Armend Muja propozimin për tërheqjen e mjeteve të Trustit e ka quajtur abuzim me kursimet e qytetarëve.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Muja tha se përpjekjet për ta shkatërruar Trustin do t’i ndalojë në çdo formë.

“Nuk mbaj mend në Evropë ose diku në botë, që pa marrë parasysh shkallën e inflacionit që i janë drejtuar kursimeve pensionale dhe jo duke i prek kursimet pensionale të qytetarëve…. Propozimet e tilla i konsideroj si abuzim, nuk ka të drejtë asnjë deputet që ta vjedh të ardhmen dhe t’i tërheq kursimet e pleqërisë, ato nuk janë opsionale, janë të detyrueshme. Çdo propozim që ka dikush që qytetarët të ndihmohen jo nga xhepi i vet, por nga Qeveria, unë do ta mbështes, jo duke e institucionalizuar një praktikë të tërheqjes së Trustit. Pra, 10 përqind i tërheq Avdullah Hoti, 30 përqind Bekim Haxhiu, 60 për qind Hajdari vitin e ardhshëm, dhe me u shkatërru skema pensionale, dhe për këtë arsye do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu, por edhe në Kuvend. Përpjekjet për ta shkatërruar Trustin Pensional do ta parandaloj në çdo formë për aq sa kam numra dhe vullnet politik”, theksoi ai.

Kryetari Muja po ashtu tha se Departamenti i Financave me anë të një opinioni është deklaruar se Projektligji për fondet pensionale nuk krijon kosto shtesë për buxhetin, por do të ketë ndikimin negativ në të hyrat nga tatimi.

Sipas tij, Qeveria e ka dhënë gjithashtu vendimin e saj ku thotë që nuk pajtohet me propozimin e deputetit Haxhiu.

Lajmet

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se i ka numrat për formimin e qeverisë së re

Published

on

By

Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, kanë deklaruar se janë të bindur që ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë.

Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë.

Me votat e  deputetëve të Kuvendit… Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… Patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hekuran Murati.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare.

Pas regjistrimit si deputet ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.

Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu me vota, 63 vota”, deklaroi ai.

Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare.

 

Continue Reading

Lajmet

A duhet të pini kafe nëse jeni të sëmurë?

Published

on

Kur jeni i sëmurë, është normale të doni ushqime e pije që ju ofrojnë ngushëllim dhe për shumë njerëz, kjo përfshin edhe kafenë.

Për individët e shëndetshëm, kafeja, kur konsumohet në sasi të moderuara, ka pak efekte negative e madje ofron përfitime shëndetësore, pasi është e pasur me antioksidantë. Për më tepër, kafeina mund të kontribuojë lehtë në djegien e yndyrnave.

Shtrohet pyetja nëse është e përshtatshme të konsumoni kafe kur jeni të sëmurë.

Efektet e saj mund të jenë pozitive apo negative, në varësi të llojit të sëmundjes e ndërvepron me disa medikamente.

Mund të ndihmojë në rritjen e nivelit të energjisë

Konsumimi i kafesë në mëngjes është zakon i pandashëm, falë efektit stimulues të kafeinës, që ndihmon në zgjuarsinë dhe përqendrimin mendor. Madje, edhe kafeja pa kafeinë ka një efekt stimulues të lehtë përmes efektit placebo.

Kjo rritje e perceptuar e energjisë është arsye kryesore pse njerëzit pijnë kafe kur janë të sëmurë, sidomos kur ndihen të lodhur apo pa energji, por ndihen ende të aftë për të shkuar në punë apo shkollë.

Në rastet e një të ftohure të lehtë, kafeja mund t’ju ndihmojë të përballoni ditën pa shkaktuar efekte anësore të rëndësishme.

Mund të shkaktojë dehidrim dhe diarre

Kafeja ka edhe efekte negative, kafeina ka efekt diuretik, nxit nxjerrjen e lëngjeve përmes urinës çka në disa individë çon në dehidrim.

Konsumimi i moderuar i kafeinës rreth 2–3 filxhanë kafe në ditë nuk ka ndikim të konsiderueshëm në balancën e lëngjeve në trup. Personat që pijnë rregullisht kafe janë të përshtatur me efektin diuretik të saj, në mënyrë që nuk përjetojnë probleme me hidratimin.

Në rastet kur sëmundja shoqërohet me të vjella, diarre, grip, apo helmim ushqimor, është më mirë të shmangni kafenë dhe të zgjidhni pije më hidratuese si uji, pijet izotonike apo lëngjet e holluara të frutave.

Sidoqoftë, nëse jeni konsumues i rregullt i kafesë, ndoshta mund ta vazhdoni pa probleme edhe gjatë sëmundjes.

Mund të irritojë ulçerat në stomak

Kafeja është acidike e mund të shkaktojë irritim në stomak, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ulçerat gastrike ose probleme tjera të sistemit tretës. Një studim me 302 persona me ulçerë në stomak zbuloi se 80% përjetuan përkeqësim të simptomave pas konsumimit të kafesë.

Një tjetër studim me mbi 8,000 persona nuk gjeti ndonjë lidhje mes konsumit të kafesë dhe ulçerës apo problemeve të tjera të ngjashme si refluksi acid. Kështu që reagimi ndaj kafesë duket të jetë shumë individual. Nëse vini re se ajo përkeqëson gjendjen, mund të konsideroni ndërprerjen e saj ose kalimin në kafe “cold brew”, e cila ka përmbajtje më të ulët aciditeti.

Ndërvepron me disa medikamente

Kafeina mund të ndërveprojë me disa lloje barnash. P.sh ajo fuqizon efektin e barnave stimulante si pseudoefedrina që përdoret për lehtësimin e simptomave të gripit apo të ftohurës. Mund të ndërveprojë me disa antibiotikë që jepen në rastet e infeksioneve bakteriale.

Edhe pse konsumuesit e rregullt të kafesë tolerojnë më mirë këto ndërveprime, është e këshillueshme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor para se të konsumoni kafe bashkë me medikamente të tilla.

Një alternativë është kalimi në kafe pa kafeinë, pasi pikërisht përmbajtja e kafeinës është ajo që shkakton ndërveprimet me barnat. Kafeja pa kafeinë përmban vetëm gjurmë të kafeinës dhe rrallëherë shkakton ndërveprime.

Përfundim

Kafeja, është e padëmshme për të rriturit e shëndetshëm. Nëse jeni të sëmurë, është e rëndësishme të merrni parasysh disa faktorë. Nëse keni një të ftohur të lehtë, kafeja nuk përbën ndonjë rrezik të madh.

Nëse jeni duke përjetuar simptoma si të vjella a diarre, është më mirë të shmangni kafenë për të mos rritur rrezikun e dehidrimit. Nëse vuani nga ulçera apo probleme tjera të tretjes, apo nëse po merrni medikamente që ndërveprojnë me kafeinën, duhet të jeni të kujdesshëm.

Në çdo rast, konsultimi me një profesionist të kujdesit shëndetësor është mënyra më e mirë për të marrë një vendim mbi konsumimin e kafesë gjatë kohës sa jeni të sëmurë.

Continue Reading

Lajmet

Padia nga Komuna e Prishtinës, MKRS: E kanë shmangur me qëllim Ligjin për Trashëgiminë Kulturore

Published

on

By

Ministria e Kulturës ka akuzuar sërish Komunën e Prishtinës për shmangie të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore në disa projekte të nisura në kryeqytet, përfshirë edhe atë te sheshi “George Bush”.

Në një konferencë për media, udhëheqësi i Divizionit për Hartim dhe Harmonizim të Legjislacionit në Ministrinë e Kulturës, Bislim Bislimi, tha se veprimet e Komunës së Prishtinës po i cilësojnë si të qëllimshme.

Në mënyrë të përsëritur kemi shkelje të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore nga ana Komunës së Prishtinës derisa të vazhdojnë të hyjnë në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të cilat i nënshtrohen dispozitave ligjore pa marrje të lejes nga institucioni kompetent sikurse e përcakton ligji ehe përkundër paralajmërimeve tona. Komuna e Prishtinës siç duket me qëllim po e shmang ligjin edhe atë në disa raste radhazi”, tha ai.

Bislimi shtoi se ndërhyrjet në këto zona duhet të jenë të kontrolluara dhe se s’duhet të bëhen  pa leje të shkruar.

Këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e komunës së Prishtinës dhe me precedent të rrezikshëm për palët e tjera në Kosovë, duke inkurajuar paligjshmëri”.

Continue Reading

Lajmet

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ul përsëri çmimin e naftës dhe benzinës

Published

on

By

Në një zhvillim të rëndësishëm për konsumatorët e Maqedonisë së Veriut, Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) njoftoi uljen e çmimit të derivateve të karburantit, e cila do të hyjë në fuqi pas mesnate. Ky vendim është një lajm i mirë për qytetarët, pasi çmimi i karburanteve do të lehtësojë ndjeshëm shpenzimet e përditshme të transportit.

Sipas njoftimit të KRRE, çmimi i benzinës BS-95 do të ulet me 2 denarë, ndërsa ai i benzinës BS-98 do të lirohet me 2,5 denarë. Po ashtu, çmimi i naftës dhe vajit ekstra të lehtë do të ulet për 2 denarë gjithashtu.

Çmimet e reja të derivateve:

Benzina BS-95 – 74,0 den/l

Benzina BS-98 – 76,0 den/l

Nafta – 66,5 den/l

Vaji ekstra i lehtë – 66,5 den/l

Ky vendim pason një tjetër ulje të çmimeve që ndodhi më 7 prill, kur çmimi i derivateve u ul për gjysmë denari. Ulja e çmimeve ka ardhur si rezultat i rënies së çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare, ku ka pasur një ulje prej 2,6 për qind.

Uljet e çmimeve të derivateve të karburantit janë një lajm i mirë për konsumatorët, duke sjellë një lehtësim në një periudhë të pasigurt ekonomike. Pavarësisht rënies së çmimeve ndërkombëtare të naftës, komisioni rregullator ka ndjekur një politikë të kujdesshme për të siguruar stabilitetin e tregut të karburanteve në vend, duke i përshtatur këto çmime me kushtet e tregut lokal.

Kjo ulje e çmimeve të karburanteve mund të ketë një ndikim pozitiv në xhepin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për ata që përdorin automjetet për transportin e përditshëm. Gjithashtu, kjo mund të sjellë një efekt pozitiv të lehtë edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë që varen nga karburantet për funksionimin e tyre./UBTNews/

Continue Reading

Të kërkuara