Aktualitet

​Situata me zjarret në Mitrovicë, e menaxhueshme

Gjendje më e rëndë paraqitej në fshatrat Cërnushë, Zasellë, Vërnicë, Vaganicë dhe Vidimriq.

Published

on

Situata nga rreziku i shpërfaqjes dhe shtrirjes së zjarreve fushore e malore në rajonin e Mitrovicës që ditë më parë mori përmasa të mëdha, tani paraqitet e menaxhueshme dhe nën kontroll.

Gjendje më e rëndë paraqitej në fshatrat Cërnushë, Zasellë, Vërnicë, Vaganicë dhe Vidimriq, ku për të mbajtur situatën nën kontroll u aktivizuan të gjitha kapacitetet komunale dhe më gjerë, duke përfshirë FSK-në dhe KFOR-in.

Bahtir Maxhuni, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur se situata aktuale rreth zjarreve në terren është e menaxhueshme.

Sipas tij, kapacitetet komunale për menaxhimin e situatave janë të mjaftueshme, përveç kapaciteteve për të intervenuar në operativë, sepse ka mungesë të zjarrfikësve, makinerisë së tyre, si dhe pajisjeve personale.

Ai tha se shiu që ka rënë dy ditët e fundit ka ndihmuar në shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit, ndërsa falënderoi zjarrfikësit, FSK-në dhe KFOR-in për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Situata aktuale është e menaxhueshme në terren. I kemi njësitë të zjarrfikësve në gjendje gatishmërie. Në momentin që rishfaqen vatrat e zjarrit, të jemi sa më afër tyre për arsye se intervenimi sa më herët pasojat janë më të vogla. Kështu që për momentin situata është nën kontroll…Kapacitetet e komunës për menaxhimin e situatave janë të mjaftueshme, përveç kapaciteteve për të intervenuar në operativë, kemi mungesë të zyrtarëve të zjarrfikësve, mungesë të makinerisë dhe pajisjeve personale të zjarrfikësve. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme në nivelin qendror që zjarrfikësit të trajtohen në mënyrë dinjitoze, mirëpo në njëfarë forme po hasim në veshë të shurdhër… Falënderojmë Zotin që dërgoi shiun dhe i shoi të gjitha pikat e vatrave të zjarrit në terren. Po ashtu, falënderoj edhe zjarrfikësit, edhe KFOR-in e FSK-në, për shkak se kanë dhënë maksimumin e mundshëm të tyre”, ka thënë Maxhuni.

Ai apeloi te qytetarët të cilët frekuentojnë zonat malore për vikende, që të kenë kujdes në hedhjen e cigareve dhe ndezjen e zjarreve për grill.

Ndërkaq, Tahir Mikullovci, drejtor i Njësisë së zjarrfikësve në Mitrovicë, potencoi nevojën e shfaqur atë ditë për të kërkuar ndihmë, pasi siç u shpreh ai, zjarri kishte tejkaluar kapacitetet e tyre. Drejtori Mikullovci theksoi veç tjerash, mungesën e stafit si problemin më të madh të tyre.

Zjarri ka tejkaluar kapacitetet tona kështu që është dashur të kërkojmë ndihmë nga njësia në Vushtrri, FSK-ja na ka ndihmuar, pastaj edhe KFOR-i është aktivizuar me anë të helikopterëve për fikjen e zjarrit… Të njëjtën ditë në fshatin Vërnicë, Vaganicë, Vidimriq kemi pasur afër shtatë zjarre. Zjarri në Cërnushë dhe Zasellë ka zgjatur dy ditë, kështu që situata është e menaxhueshme dhe nën kontroll, faktikisht tani zjarre nuk ka… Si njësi profesionale e zjarrfikësve problemin më të madh e kemi me mungesë të stafit, sepse në bazë të rregullores së MPB-së në 1 mijë e 500 banorë duhet të ketë një zjarrfikës. Ne aktualisht kemi 30 zjarrfikës, kështu që na mungojnë 17-18 zjarrfikës. Pastaj edhe automjetet, disa janë të vjetruara, por janë në gjendje funksionale, komuna ka premtuar të na furnizojë edhe me dy automjete, një automjet sulmues dhe një përcjellës, dhe besoj se me furnizimin e tyre intervenimet tona do të jenë më efikase dhe gjendja operacionale e gatishmërisë do të jetë më e lartë… Për momentin I kemi pesë automjete”, u shpreh Mikullovci.

Vendi

Kurti bën thirrje për çështjen e presidentit: Të papranueshme zgjedhjet e reja, të gjejmë kompromis

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së parë të Qeverisë së re, u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe deputetëve të Kuvendit që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai e cilësoi si të pafalshme mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje për këtë çështje.

Sipas Kurtit, një dialog i hapur dhe i sinqertë mes palëve mund të çojë në zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai përmendi marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, duke i vënë theksin sfidës me qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së që po hezitojnë ta zbatojnë këtë marrëveshje.

“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje sërish për të ardhur prapë në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se gjetja e një kompromisi politik është plotësisht e mundur dhe sjell rezultate, duke marrë si dëshmi konkrete të këtij bashkëpunimi vetë konstituimin e Kuvendit. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

PDK dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të menjëhershme të përkohshme

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave dhe vendimeve që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa është dorëzuar fizikisht nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Përmes këtij hapi, opozita konteston zyrtarisht tri vendime të ditëve të fundit: vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimin e 13 shtatorit që shpallte të konstituar Legjislaturën XI. PDK kërkon nga Gjykata që t’i vlerësojë këto procese dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve që pretendohet se janë bërë.

Gjatë dorëzimit të lëndës, përfaqësuesit e PDK-së deklaruan se ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur renditjen kushtetuese nga kalkulimet politike. Arian Tahiri theksoi se institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës duhet ta thotë fjalën e vet përfundimtare, ndërsa deputeti Përparim Gruda shtoi se rregullat në Kosovë duhet t’i përcaktojë Kushtetuta dhe jo vullneti i një partie politike.

Krahas kërkesës kryesore, avokati Faton Fetahu bëri me dije se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë menjëherë një masë të përkohshme. Kjo masë synon pezullimin e pasojave të mëtejshme juridike dhe parandalimin e krijimit të fakteve të reja institucionale derisa të merret një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të dërgojë në Kushtetuese edhe një lëndë tjetër të veçantë, e cila ka të bëjë me procesin e formimit të Qeverisë. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Një dron rus godet trenin afër kufirit me Poloninë pasi Boris Johnson kaloi me trenin diplomatik

Published

on

By

Një dron rus ka goditur një tren afër kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dhe zyrtarë të lartë të sigurisë evropiane kishin kaluar aty pranë.

Nuk është raportuar për viktima pas sulmit në Jahodin, i cili goditi lokomotivën e trenit. Të gjithë pasagjerët ishin evakuuar, njoftuan autoritetet ukrainase.

Johnson dhe këshilltarë të tjerë të sigurisë kombëtare evropiane, përfshirë Jonathan Powell nga Britania e Madhe, kishin kaluar përgjatë të njëjtës linjë me një tren tjetër, gjatë rrugës së tyre të kthimit nga një konferencë në Kiev.

Rusia tha se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, por kompania shtetërore e hekurudhave të Ukrainës “Ukrzaliznytsia” deklaroi se “ka shumë mundësi që objektiv i këtij droni të ketë qenë treni diplomatik”.

Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, i cili ndodhej në bordin e një treni tjetër në stacionin e Jahodinit në kohën e sulmit, e përshkroi incidentin si “të tmerrshëm”.

Në një intervistë për New York Times, Petraeus tha: “Kjo është vepër e një udhëheqësi me të vërtetë barbar që përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas.”

Në një deklaratë, “Ukrzaliznytsia” tha se treni diplomatik “ishte larguar nga stacioni më herët se sa parashikohej për shkak të ndryshimit të orarit… si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme për sulme ruse”.

Ajo gjithashtu tha se urdhri për evakuimin e pasagjerëve në trenin e goditur ishte dhënë “vetëm 15 minuta” përpara sulmit nga një dron rus me djegie me reaksion.

Si autoritetet ukrainase ashtu edhe ato polake konfirmuan se droni rus goditi 2 km larg kufirit me Poloninë.

Ish-Kryeministri suedez, Carl Bildt, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në konferencën në Kiev, tha për BBC-në se pasagjerëve në bordin e trenit të tij iu kërkua të përgatiteshin për evakuim, përpara se më pas t’u lejohej të vazhdonin udhëtimin.

“Në trenin ku ndodhesha unë, morëm urdhër të përgatiteshim për evakuim pasi ai ndaloi. Por pas disa minutash u informuam se rruga ishte e lirë dhe mund të vazhdonim,” tha ai.

Ky tren më pas mbërriti i sigurt në stacionin kufitar të Polonisë në Dorohusk.

Disa raportime kanë aluduar se Bildt ndodhej në të njëjtin tren me Johnson, por ish-kryeministri britanik nuk ka konfirmuar asnjë detaj.

Johnson shkroi në rrjetin social X: “Nuk e di se çfarë logjike e shfrenuar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë ukrainase të ndalur në kufirin polak këtë mëngjes.”

Ai tha se ky ishte “lloji i sulmit të rëndomtë dhe të pamend që ukrainasit po durojnë çdo ditë – madje edhe në hekurudhat civile” dhe u bëri thirrje aleatëve të Kievit t’u ofrojnë urgjentisht ukrainasve “mbrojtjen ajrore që u nevojitet”. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria “Kurti 4” merr dritën e gjelbër në Kuvend, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka votuar formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar atij mandatin e katërt si kryeministër. Kabineti qeveritar “Kurti 4” mbetet i pandryshuar nga përbërja e mëparshme, pasi Kurti deklaroi se nuk do të prezantojë agjendë të re, pasi zgjedhjet e përsëritura thjesht ndërprenë një qeverisje që do të vazhdojë me fokus te mirëqenia dhe siguria e qytetarëve. Qeveria e re mori mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, përfshirë Nenad Rashiqin, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e bojkotuan votimin, kurse tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër.

Formimit të Qeverisë i parapriu konstituimi i kontestuar i Kuvendit nën drejtimin e Albulena Haxhiut. Pas zgjedhjes së Kujtim Shalës nga LDK-ja, Emilija Rexhepit nga komunitetet joserbe dhe Tanja Vujoviqit nga pakica serbe, Kuvendi u shpall i konstituuar. Megjithatë, procesi u zhvillua pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut dhe e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendimmarrje. Nëpërmjet deputetit Përparim Gruda, PDK-ja sqaroi se nuk e ka refuzuar të drejtën e saj, por është tërhequr përkohësisht, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes së konstituimit dhe formimit të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje, Kurti u shpreh i gatshëm që LVV-ja ta votojë kandidatin e PDK-së sapo ajo ta propozojë atë.

Sfidë kryesore për stabilitetin politik mbetet zgjedhja e presidentit të ri, për të cilën tashmë ka nisur afati kushtetues prej 60 ditësh. Edhe pse LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur dëgjueshmëri për mbështetjen e kandidatit Bekim Sejdiu, përçarjet e brendshme në LDK, ku gjashtë nga 18 deputetë refuzojnë ta votojnë atë, e bëjnë të pamjaftueshëm numrin prej 62 votash që ka Qeveria.

Përfaqësues të opozitës e shohin këtë situatë si një skenar të kalkuluar që çon vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme rreth datës 27 dhjetor. Kjo periudhë përkon me ardhjen e diasporës, një baze elektorale ku LVV-ja gëzon mbështetje masive, duke e bërë dështimin potencial të zgjedhjes së presidentit një pikë kthese strategjike për të ardhmen politike të vendit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara