Lajmet

​Shqipëri, shuhen 24 vatra zjarri, aktive edhe tri vatra

Sipas Bicit, aktualisht situata paraqitet nën kontroll, ku janë aktive tri vatra.

Published

on

Në përditësimin e fundit në lidhje me situatën me zjarret në Shqipëri, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici ka bërë me dije se gjatë këtyre 24 orëve, janë shuar 24 vatra zjarri, duke shmangur rrezikun për zona të banuara dhe zona të mbrojtura.

“Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banuara dhe zona të mbrojtura. Janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Por angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord. Gjithashtu janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të Bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll. Gjatë këtyre 24 orëve qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha”, u shpreh zëvëndësministrja.

Sipas Bicit, aktualisht situata paraqitet nën kontroll, ku janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët, në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës.

Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror.

“Mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë. Aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës. Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror. Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe normalizim e saj në të gjithë vendin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur edhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve. Të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të raportojnë në kohë vatrat, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës”, tha Bici./RTSH/

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje në Evropianin e boksit

Published

on

Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Evropianit të boksit amator, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, por ka siguruar medaljen e bronztë.

Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u mposht 4:1 nga serbja Kristina Kuluhova.

Kuluhovën, Sadiku e kishte mposhtur në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por këtë herë fitorja i takoi boksieres serbe.

Sadiku e kishte siguruar medaljen pas fitores në çerekfinale ndaj holandezes Maud van der Toorn./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj në Bundestag kërkon mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.

Në takim morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari i Komisionit, Johannes Schraps, dhe deputeti Peter Beyer. Zulfaj shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit, Zulfaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj ka kërkuar mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ai ka theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kërkesa për avancimin e këtij procesi është përsëritur nga Zulfaj edhe në takime të mëparshme me përfaqësues evropianë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për reformat demokratike dhe ekonomike, sundimin e ligjit, procesin e integrimit evropian dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Zulfaj ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh të parlamentarëve gjermanë në komunikimin me homologët e tyre në vendet e tjera anëtare të BE-së, me qëllim të mbështetjes së avancimit të aplikimit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Published

on

Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para ceremonisë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të një grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në kuadër të aktiviteteve për trevjetorin e rënies së tij, institucionet e Kosovës kanë nderuar kujtimin e Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara