Lajmet

​Rashiq: Marrëveshja Kosovë-Serbi është e mirë

Ai tha se e njëjta duhet të nënshkruhet.

Published

on

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka thënë se marrëveshja e dakorduar në parim mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel është e mirë.

Mirëpo ai tha se e njëjta duhet të nënshkruhet dhe në bazë të këtyre rrethanave mund të përcaktohet edhe pjesëmarrja apo jo e Listës Serbe në zgjedhjet në veri në muajin prill.

“Marrëveshja është e mirë. Në veçanti mos të hymë në detaje tjera, por kur thuhet se dy anët do të përpiqen mos të veprojnë në mënyrë radikale, ekstreme apo çfarëdo qoftë, por vetëm kjo të rregullohet me negociata. Mendoj se në përgjithësi populli i Kosovës do të përfitojë vetëm prej pikës së marrëveshjes dhe duhet të shpresojmë se mos të krijohet ndonjë mundësi për konflikt”, tha ai.

Në konferencë për medie të premten, Rashiq foli edhe për nenin shtatë të ujdisë së propozuar nga Bashkimi Evropian, por tha se deri tani nuk e di se si do të determinohet termi ‘vetëqeverisje’, të komunitetit serb në Kosovë.

“Marrëveshja thotë se kryeministri apo qeveria duhet të ketë dyert të hapura sa i përket përfaqësueseve të vetëqeverisjeve të thënë ashtu. Edhe pse vetëqeverisje deri në këtë moment nuk dihet se çka mund të prezantohet, të gjithë mund të supozojmë se çka është, por derisa nuk ka një propozim konkret nuk ka nevojë. Jemi ardh deri në këtë moment që spekulimet dalin në rrugën e gabuar, kështu që unë deri sa nuk e shoh dhe nuk jam pjesë e takimeve në të cilët po diskutohet kjo çështje, nuk do të isha ngutur se nuk ka nevojë”, shtoi Rashiq.

I pyetur për pjesëmarrjen ose jo të Listës Serbe në zgjedhjet në veri, Rashiq tha se nëse nuk nënshkruhet marrëveshja, nuk beson se Lista Serbe do të jetë pjesë e zgjedhjeve në prill.

“Afati për paraqitje të kandidatëve të ri në proces është hapur, nuk e di se kur është ai afat. Nëse nuk bëhet ndonjë konfirmim i marrëveshjes, pasi kemi pasur rastin vetëm konfirmim verbal, nuk besoj se Lista Serbe do të merr pjesë, pasi sikur e dina, ata nuk janë një subjekt politik i pavarur. Ata janë vetëm pajisje në duar të regjimit të Beogradit, pasi dihet se kush e udhëheq Serbinë në këtë moment. Nëse bëhet nënshkrimi i ndonjë marrëveshje, atëherë kjo do të jetë e mundshme që Lista Serbe të merr pjesë”, deklaroi ai.

Mirëpo, ai tha se kjo teorikisht nuk e pengon legalitetin e zgjedhjeve në veri, pasi çdo kandidatë edhe me një votë e fiton të drejtën e të qenit në krye të institucioneve. Ai i bëri thirrje komunitetit serb që të dalin masovikisht në zgjedhjet muajin e ardhshëm në veri, derisa nënvizoi se gabimi më i madh i BE-së, ka qenë që nuk e ka fuqizuar pluralizmin politik në komunitetin serb në Kosovë.

“Legjitimiteti nuk e pengon legalitetin, teorikisht nuk ka ndodhur deri tash. Me një votë, kryetari që fiton e ka legalitet. Përndryshe, unë e konsideroj se do të ishte e keqe të ndodh një gjë e tillë, që mos të kandidojnë në zgjedhje, qoftë Lista Serbe apo të tjerët. Unë do të kisha preferuar që të bëhet thirrje për një dalje masovike pa presion. E di se kjo nuk është e mundshme për regjimin në Beograd, por nëse flasim për pluralizmin ndoshta ndonjë akt simbolike mund të bëjnë në atë drejtim. Nuk pres që kjo në të vërtet të ndodh, por unë gjithmonë kam thënë se është gabimi më i madh edhe i Brukselit që nuk e ka fuqizuar pluralizmin në komunitetin serb në Kosovë dhe kjo tash po reflekton. Dhjetë vite pas po e shohim se kjo është gabim fatal”, theksoi ai.

Këto komente Rashiq i bëri pasi lanësoi databazën e re për procesin e aplikimit të subvencioneve që bënë Ministria për Komunitete dhe Kthim.

“Po implementojmë një sistem shtesë. Është një databazë e re që për herë të parë po implementohen në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, prej aktivizimit të data bazës do t’i kemi të dhënat për të gjithë ata që janë qoftë pjesë e aplikacioneve, apo procesit të kthimit apo çfarëdo qoftë informacion tjetër apo strukturë tjetër kur aplikohet te ne”, tha ai.

Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave të katër komunat në veri, zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo pas tensioneve të krijuara atje, presidentja Vjosa Osmani vendosi që t’i shtynte zgjedhjet për në fund të muajit prill të këtij viti.

Lajmet

Shorti për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës

Published

on

Të hënën është tërhequr shorti për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës. Nëse e kalon Copenhagenin, Drita e Gjilanit paraqitet në raundin e tretë kualifikues të Championsit.

Nëse eliminohet nga skuadra daneze, Drita vazhdon në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Drita të martën mbrëma e luan ndeshjen e parë me Copenhagenin, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Championsit.

Nëse e eliminon ekipin e madh danez, Drita në raundin e tretë kualifikues të Championsit do të përballet me Malmon e Suedisë apo ekipin RFS nga Letonia. RFS-ja dhe Malmo përballen në raundin e dytë kualifikues, ndërsa skuadra suedeze është favorite e madhe.

Nëse eliminohet nga Championsi, Drita vazhdon në Ligën e Evropës. Në fazën e tretë kualifikuese do të përballej me Shkëndijën e Tetovës apo skuadrën rumune, FCSB. Shkëndija e FCSB po ashtu përballen në raundin e dytë kualifikues të Championsit dhe skuadra që eliminohet luan me Dritën, nëse edhe skuadra gjilanase eliminohet.

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata e Apelit anulon vendimin për paragjykim ndaj pesë policëve në rastin e Lipjanit

Published

on

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan për paraburgimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin e Lipjanit.

Gjykata Themelore e Prishtinës Dega në Lipjan kishte vendosur masën e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët u akuzuan pas vdekjes së të riut 27 vjeçar gjatë procesit të arrestimit të tij.

Apeli i ka aprovuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e lartcekur, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet. Andaj, në aktvendimin e Gjykatës së Apelit i është propozuar gjykatës së shkallës së parë t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, thuhet në postimin e Gjykatës së Apelit.

Kujtojmë që viktima Agon Zejnullahu ndërroi jetë pas arrestimit nga policia, kurse zyrtarët policorë dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vrasje nga pakujdesia’.

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti mban konferencë për media në orën 15:00

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë një konferencë për media sot në orën 15:00, në ambientet e Qeverisë së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

Ende nuk është bërë e ditur tema e konferencës, por ajo vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional për vendin.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohen katër të dyshuar për plagosjen në Doganaj të Ferizajt

Published

on

By

Pas plagosjes së dy personave në fshatin Doganaj, katër persona janë ndaluar të hënën, për shkak të dyshimit “vrasje në tentativë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, katër (4) persona të dyshuar me inicialet: A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Vrasja në tentativë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Pjesëmarrja në rrahje’”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aty thuhet se, bazuar në informacionet e para, rasti ka ndodhur më 21.07.2025, rreth orës 00:52, në fshatin Doganaj të Komunës së Ferizajt, ku është raportuar një rast i gjuajtjes me armë zjarri, ku si pasojë dyshohet se dy persona janë lënduar me armë zjarri.

Dy personat e lënduar, njëri prej tyre zyrtar policor, pas dhënies së ndihmës së parë nga Emergjenca e Ferizajt janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë, gjashtëmbëdhjetë (16) gëzhoja dhe një (1) predhë që dyshohet të jenë shkrepur nga armët e përdoruara në këtë rast.

Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara