Lajmet

​Rama: Do të mbrojmë çmimin e energjisë për familjet e bizneset e vogla

Kryeministri shqiptar shprehu këmbënguljen e tij për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla.

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Qeveria që ai drejton po punon për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla. Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste ka bërë të ditur se nesër do të nisë një turne në të gjithë Shqipërinë për të komunikuar me të gjitha komunitetet rreth qeverisjes vendore dhe sfidave.

Rama, i cili është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u shpreh se përkundër që kërcënimet e mëdha që po kalojnë janë shkaktuar nga lufta në Ukrainë, sipas tij i takon qeverisë që të bëjë gjithçka për të lehtësuar përballjen me inflacionin e luftës.

“Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Evropa, ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke që vjen nga një agresion në dyert e Evropës, që ka sjellë si pasojë, përveç bombave dhe krimeve të panumërta në Ukrainë, edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, por patjetër në Evropë dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Është një Inflacion lufte. Kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putin, por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë, i takon shumicës qeverisëse që të bëjë gjithçka për të lehtësuar sa të jetë e mundur peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe patjetër edhe mbi shpatullat e familjeve. Për këtë arsye, kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi. Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili është dyfishi i buxhetit të vitit 2013, çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit, por patjetër ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar te domosdoshmëria për të vazhduar të mbështesim që të gjithë sa të jetë e mundur”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri shqiptar shprehu këmbënguljen e tij për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla.

“Patjetër që do vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje te plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm pasi dihet që ne jemi shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje shiu, kemi më pak nevojë për të dalë në import që gjithsesi do të vazhdojmë të dalim, sepse në asnjë rast, edhe sikur të kemi plot e përplot hidrocentralet, Shqipëria nuk prodhon sa për të përmbushur të gjitha nevojat dhe jemi shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Sigurisht do të jetë dimër i vështirë, por masat që kemi marrë dhe mbështetja masive që do vazhdojmë t’i japim të gjitha kategorive, besoj se do ta lehtësojnë dimrin në mënyrë te arsyeshme”, tha Rama.

Kryeministri Rama drejtoi kritika edhe ndaj opozitës duke thënë se për fat të keq kanë një opozitë, e cila premton vetëm izolim nga bota.

Lajmet

Zbulime të reja arkeologjike në Istog, gjendet banesë 3.900-vjeçare në Pepaj

Published

on

Zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik të Pepajt në Lubozhdë të Istogut, ku po zhvillohen gërmime në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Miçiganit.

Sipas njoftimit, lokaliteti prehistorik, i banuar që nga fundi i Epokës së Hershme të Bronzit, po sjell rezultate të rëndësishme shkencore.

Gjatë hulumtimeve është zbuluar një banesë e datuar rreth vitit 1900 para erës sonë, e cila ofron njohuri të reja për jetën dhe organizimin e komuniteteve që kanë jetuar në këtë zonë mijëra vjet më parë.

Nga Ministria e Kulturës është vlerësuar rëndësia e këtij projekti, i cili dëshmon rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në kërkimin shkencor, si dhe kontributin e studentëve dhe studiuesve të rinj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet për vjedhjen e qengjave

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pas vjedhjes së disa qengjave në fshatin Piranë.

Sipas policisë, i dyshuari D.T. nga fshati Serbicë e Poshtme dyshohet se më 14 qershor ka vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1 mijë euro, të cilët më pas i ka shitur te persona të ndryshëm.

Pas identifikimit dhe lokalizimit të tij më 23 qershor, me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është ngritur kallëzim penal.

Në vazhdim të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara i janë kthyer pronarit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton shfaqjen “Terminal” në festivalin ndërkombëtar në Austri

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të Festivalit Ndërkombëtar Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater, që mbahet në Graz të Austrisë.

Shfaqja, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petite, do të vihet në skenë më 15 korrik 2026, me ftesë të organizatorëve të festivalit.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje ndërkombëtare përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e artit skenik dhe krijimtarisë koreografike të Kosovës para publikut ndërkombëtar.

Festivali Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater konsiderohet një nga ngjarjet e rëndësishme artistike që mbledh artistë dhe trupa të vallëzimit nga vende të ndryshme të botës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Published

on

By

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në përmbylljen e projektit “Na Mungojnë”, një nismë e cila përmes dokumentarëve dhe debateve publike ka sjellë në vëmendje rrëfimet e familjeve të personave të pagjetur dhe kërkesën e tyre të pandërprerë për drejtësi.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se mungesa e përgjigjeve vjen si pasojë e faktit që Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat e saj ushtarake, policore dhe shtetërore. Sipas saj, në ato arkiva ndodhen të dhëna mbi urdhra, varrime e zhvarrime që familjet i presin prej më shumë se një çerek shekulli, duke shtuar se fshehja e gjurmëve në varrezat masive në territorin e Serbisë ka qenë tërësisht e qëllimshme.

Haxhiu bëri thirrje që hapja e arkivave të mos mbetet në vullnetin e Beogradit, por të trajtohet nga partnerët ndërkombëtarë si një detyrim i qartë i Serbisë ndaj të vërtetës. Ajo kujtoi se rreth 1,600 persona mbeten ende në listat e të pagjeturve, duke potencuar se projekte të tilla u japin emra dhe fytyra njerëzore statistikave.

Më tej, U.D. Presidentja nënvizoi se kërkesa për të ditur fatin e të pagjeturve kërkon punë të përditshme institucionale dhe falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar, Prokurorinë Speciale dhe Policinë. Ajo vuri në pah se vitet e fundit është shënuar përparim falë rritjes së kapaciteteve dhe ndryshimeve ligjore që mundësojnë gjykimin në mungesë.

Në këtë rrafsh, Haxhiu përmendi hapat e rëndësishëm ligjorë e institucionalë që ka bërë Kosova, si anëtarësimin në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në korrik 2023, themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në gusht 2023, si dhe Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034. Si shembull të angazhimit konkret, ajo solli identifikimin dhe rivarrimin e fundit të viktimave të masakrës së Kralanit.

Në përmbyllje,  Haxhiu shprehu mirënjohje për BIRN Kosovën, ACDC-në, Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për familjarët që pranuan të ndajnë dhimbjen e tyre, duke përsëritur zotimin se kjo punë nuk do të konsiderohet e kryer derisa të ketë përgjigje për çdo person të pagjetur. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara