Lajmet

​Radoniqi: KQZ ka avancuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve

Konsiderohet i nevojshëm një ligj i ri.

Published

on

Fillimi i reformës zgjedhore dhe rishikimi i Ligjit për financimin e partive politike janë kërkesat që shoqëria civile i ka përsëritur sot në Ditën Globale të Zgjedhjeve. Për transparencën në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Kosovë është diskutuar në një tryezë të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kryetari i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi ka thënë se kanë përparuar sa i përket organizimit të zgjedhjeve në vend.

Megjithatë, ai theksoi se një ligj i ri është shumë i nevojshëm për t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve.

“KQZ ka arritur një avancim në organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe si rezultat kemi një organizim të mirë të zgjedhjeve lokale të cilat ndodhen ne fund te vitit të kaluar. Natyrisht që e kemi ligji të vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje apo ndoshta edhe ndryshim të sistemit zgjedhor, ajo le të mbetët një çështje që do ta trajtojnë partitë politike, së bashku me ne apo edhe me shoqërinë civile por një ligj i ri është shumë i nevojshëm për të t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të disa organizatave të tjera që kanë jep rekomandimet e tyre”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka thënë që synojnë të shënojnë përparim në transparencën zgjedhore lidhur me rezultatet e kandidatëve.

Ndërsa drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka thënë se është momentumi më i mirë që Kosova të fillojë me reformën zgjedhore. Kryeziu ka thënë se parregullsitë dhe sfidat që kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë duhet të adresohen përmes një reforme zgjedhore të organizuar nga partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës.

“Ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve që është momentumi më i mirë politik duke pasur parasysh që ne i kemi përfunduar dy palë zgjedhje në vitin e kaluar dhe vlerësojmë që deri në kalendarin zgjedhor së paku edhe për tre vite nuk duhet të ketë zgjedhje, atëherë do te ishte momentumi më i mirë politik që të fillojmë me reformë zgjedhore e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe mos të merr vetëm segmente të caktuara të cilat mund të shkojnë në favor te një subjekti politik”, ka thënë Kryeziu.

E drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, përveç nevojës për reformë zgjedhore ka përmendur edhe çështjen e financimit të partive politike.

“Mendoj që është ABC-ja e demokracisë dhe zgjedhjeve është çështja e financimit të partive politike dhe më tepër se si partitë politike i deklarojnë dhe nga i marrin financat dhe mënyrën se si i shpenzojnë. Nëse partitë politike në esencë nuk janë transparente në mënyrën se si financohen dhe mënyrën se si i shpenzojnë ato financa që i kanë atëherë qysh mund të presim që ato kur te vijnë në pushtet kanë me qenë transparente në menaxhim të buxhetit të shtetit apo te komunave të caktuara”, ka thënë Demhasaj.

Ai ka thënë se ligji për financim të partive politike duhet të rishikohet së bashku me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Sipas tij, KQZ duhet të bëjë monitorim për mënyrën si financohen partitë politike dhe si i shpenzojnë ato paratë.

Ndërsa anëtari i KQZ-së, Alim Rama ka thënë se ky institucion ka nevojë për përmirësime duke theksuar vonesën e publikimit të vendimeve të KQZ-së.

“Një vërejtje që është cekur për herë të parë sivjet ka qenë mungesa ose vonesa në shpalljen ose publikimin e vendimeve të KQZ-së. Një element tjetër që është shumë me rëndësi është transparenca në publikimin e rezultateve preliminare posaçërisht për kandidatë. Kjo është një vërejtje që ceket vazhdimisht nga raportet e BE-së dhe besoj që neve si KQZ na mbetet shumë punë, besoj që nuk kemi zgjedhje për dy-tre vjetët e ardhshme kështu që na mbetet punë qe të përmirësojmë dhe rregullojmë sistemin e publikimit”, ka thënë ai.

Lajmet

Sulmi në Ibër-Lepenc: Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 29 shtator, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të dalin të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, në vazhdimin e procesit gjyqësor që lidhet me sulmin eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit.

Vëllezërit Viqentijeviq ngarkohen me veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve publike në ndërlidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Përveç kësaj, Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq ngarkohet me armëmbajtje pa leje.

Ngjarja ka ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special Bekim Kodraliu, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ku i akuzuari Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin. Sulmi dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi drejtpërdrejt operimin e termocentraleve të KEK-ut e prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Ndër provat kryesore të Prokurorisë Speciale është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara të të akuzuarve me mostrat e marra në vendin e ngjarjes. Në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane, ku ngjashmëria e mostrave lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e shpërthimit.

Në pjesën e aktakuzës që lidhet me spiunazhin, prokuroria pretendon se Jovan Viqentijeviq ka vepruar në shërbim të inteligjencës ushtarake të Serbisë. Ai dyshohet se ka grumbulluar informacione të klasifikuara, përfshirë një dokument 66-faqësh të KFOR-it, vëzhgimin e ushtarakëve amerikanë dhe fotografimin e bazës së Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik.

Procesi gjyqësor vijon pas dhënies së fjalëve hyrëse në seancën e 9 korrikut 2026. Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell e vranësira të lehta në Kosovë

Published

on

By

Dita e sotme në Kosovë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 20 deri në 23 gradë Celsius.

Gjithashtu, do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët dhe po kërkojnë për këdo që mund të ketë qenë brenda, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram.

Forcat ruse kanë goditur gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në Kiev, një qendër biznesi në Dnipro, si dhe objekte civile, ndërmarrje dhe infrastrukturë komunikimi në qytete e rajone të tjera, shtoi lideri ukrainas.

Zelensky ka thënë se ka viktima dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Ai ka thënë se Rusia do të marrë një përgjigje.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kanë goditur dy qendra të dhënash në Kiev, si dhe pika karburanti në kryeqytetin ukrainas. Ajo ka njoftuar gjithashtu se një qendër shpërndarjeje e shërbimit postar “Nova Poshta” u godit në qytetin jugor të Odesës. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin

Published

on

By

Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Komisioni Evropian ia ka kujtuar Beogradit se duhet t’i përshatë më shumë politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Si vend kandidat, nga Serbia pritet që politikat e saj t’i harmonizojë me objektivat e BE-së, përfshirë politikën energjetike dhe atë të jashtme, dhe të jetë një partnere e besueshme që ndjek të njëjtin drejtim strategjik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Ai tha se qëndrimi i BE-së ndaj marrëdhënieve të vendeve kandidate me Rusinë është “gjithmonë plotësisht i qartë”.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur gjithçka të ishte si më parë me regjimin e Putinit, dhe kjo në hijen e luftës agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Mercier.

Deklaratat e tij pasuan bisedën telefonike të 26 shtatorit mes Vuçiqit dhe Putinit.

Biseda u zhvillua një ditë para se Vuçiqi të jepte dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pasi është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit.

Pas bisedës me Putinin, Vuçiq tha se beson se marrëveshja për furnizimin e Serbisë me gaz rus do të zgjatet.

Marrëveshja e tanishme afatshkurtër skadon më 30 shtator.

Serbia e importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të gazit që konsumon.

Beogradi nuk ka arritur marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz që nga skadimi i kontratës së mëparshme trevjeçare, në verën e vitit 2025. Që atëherë, marrëveshjet me Moskën janë zgjatur për periudha të shkurtra. Marrëveshja e tanishme u zgjat në qershor për tre muaj.

Komisioni Evropian tha se është në dijeni të bisedës mes Vuçiqit dhe Putinit.

Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit se presidenti i ardhshëm i Serbisë do të duhet të kujdeset për interesat e vendit dhe ta ruajnë një baraspeshë në raport me aktorët e rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, Mercier rikujtoi detyrimet që Serbia i ka si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas tij, vendimi i Serbisë për të aplikuar për anëtarësim nënkupton zotimin për t’i harmonizuar politikat e saj me BE-në, përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Përputhshmëria e Serbisë me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë vazhdon të jetë dukshëm më e ulët sesa te vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor”, tha Mercier.

Ai shtoi se Serbia duhet, si prioritet, t’i intensifikojë përpjekjet për një nivel “më të qëndrueshëm dhe dukshëm më të lartë” të harmonizimit me politikën e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

“Duam të jemi në gjendje të llogarisim në Serbinë si një partnere të besueshme”, tha ai.

Komisioni Evropian tha se BE-ja po e rrit mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë energjetike, me synim uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.

Sipas Mercier, kjo do t’u mundësonte vendeve të rajonit integrim më të mirë të rrjeteve energjetike dhe qasje në energji nga burime të ndryshme.

“Pas fillimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, pamë se sa e rëndësishme është kjo dhe çfarë problemesh mund të shkaktojë për çdo vend evropian, përfshirë Serbinë”, tha ai.

BE-ja synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të ndërpresë gradualisht dhe në mënyrë efektive importin e gazit dhe naftës ruse, ndërsa nga vendet kandidate pret që t’i përshtatin politikat e tyre me këtë objektiv.

Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE kanë ngecur, ndër të tjera, edhe për shkak se ajo nuk e ka përshtatur mjaftueshëm politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Niveli i saj i përputhshmërisë me politikën e sanksioneve të BE-së është rreth 60 për qind. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara