Lajmet

​Qortimi për targat ilegale, qytetarët serbë thonë se Vuçiq dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje

Ndërkohë që situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë.

Published

on

Ka filluar nga sot zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës të Kosovës për targat ilegale, sipas të cilit serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, si fazë e parë e konvertimit të targave në RKS, ndërkohë që situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë.

Gjatë magjistrales Mitrovicë – Leposaviq – Jarinje, janë vërejtur automjete me pjesëtarë të KFOR-it në disa lokacione, ndërsa krejt pranë kufirit të Jarinjes po qëndrojnë pjesëtarë të EULEX-it.

Qytetarët serbë të cilët në automjetet e tyre bartin targa nga e kaluara me akronimet KM dhe të qyteteve tjera të Kosovës, gjatë qarkullimit të tyre nga Kosova drejt Serbisë dhe anasjelltas përmes kufirit të Jarinjes, janë pajisur me dokumente qortimi nga Policia e Kosovës. Sipas tyre, janë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kyrmininstri i Kosovës, Albin Kurti që duhet të gjejnë një zgjidhje.

Shumica prej tyre nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, ndonëse prapa saj kanë thënë se nuk do t’i regjistrojnë automjetet me targa RKS. Këta të fundit kanë pohuar për KP se kanë pranuar qortimin për targat ilegale.

Nebojsha, vozitës i autoambulancës në spitalin e veriut të Mitrovicës, i cili po hynte nga Serbia në territorin e Kosovës me targa KM, tha se ka pranuar në kufi qortimin nga Policia e Kosovës.

Ai nuk e di nëse do të regjistrohet automjeti i tij në targa RKS, pasi tha se automjeti i përket institucionit. Ndërsa sa i përket asaj se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen rreth konvertimit të targave, ai u shpreh se këtë e dinë vetëm Vuçiq dhe Kurti.

“Po e kam marrë fletëqortimin. Nuk e di çka do të thotë sepse nuk e kam lexuar, do ta lexoj kur të shkoj në shtëpi… Nuk është automjeti im, nuk e di nëse institucioni do ta regjistrojë në targa RKS… Si do të bëhet duhet ta dinë Vuçiq dhe Kurti askush tjetër”, ka thënë ai.

Në mesnatë ka hyrë në fuqi masa qortuese për të gjithë pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targat ilegal, vendim ky i cili ka nxitur reagime. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur se i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që vendimin për targat ta shtyjë për 10 muaj.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për zgjatjen e afatit për implementimin e vendimit për targat.

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash./REL/

D.L

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara