Lajmet

​Qeveria miraton Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial

Kjo pas shfuqizimit të versionit të parë nga Gjykata Kushtetuese.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial, pas shfuqizimit të versionit të parë nga Gjykata Kushtetuese. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi themeloi edhe grupin koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërkaq i dha dritën e gjelbër Projektligjit për ndryshimet klimatike.

Kryeministri Albin Kurti tha se Projektligji i ri për KPK-në ka adresuar gjetjet e Kushtetueses dhe se synon të eliminojë të gjitha grupet e interesit brenda këtij institucioni.

“Ka më shumë se katër muaj që jemi në pritje të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse këto amandamente (të Vettingut) janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës sonë. Urojmë që kësaj pritje t’i vijë fundi së shpejti, sepse rruga është e gjatë. Kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Por, që nga 21 shkurti i këtij viti, mbetet i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese pas kontestimit të tij nga opozita. Kanë kaluar gati pesë muaj. Ende pa përgjigje. Edhe për këtë urojmë të kemi një vendim së shpejti, sepse Byroja do të ketë shumë punë para vetes. Reformë po aq e rëndësishme, është edhe ajo në Këshillin Prokurorial të Kosovës… Projektligji (për Këshillin Porkurorial) me ndryshimet e parapara, do të jetësojë reformën në Këshillin Prokurorial. Përmes këtij synohet eliminimi i grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda Këshillit Prokurorial, eliminimi i ndikimeve politike dhe të tjera në sistem si dhe të synohet përmbushja e mandatit kushtetues të Këshillit Prokurorial”, tha ai.

Ndërkaq, detaje për projektligjin dha ministrja Albulena Haxhiu, e cila tha se si anëtarë të përhershëm të Këshillit do të jetë shtatë anëtarë, tre prej tyre jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

“Ky projektligj është pjesë e reformave tona, përmes të cilës po synojmë që të kemi një sistem të drejtësisë efikas dhe veçanërisht të reformojmë Këshillin Prokurorial, që i njëjti të jetë një organ ku dominon pluralizmi, pavarësia, integriteti, transparenca dhe sundimi i ligjit… Ne kemi analizuar me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjetjet kryesore i kemi adresuar përmes versionit të ri të Projektligjit. Këtë e kemi bërë pas një procesi konsultues me të gjithë akterët… Ne propozojmë që si anëtarë permanent të Këshillit të jenë shtatë anëtarë, prej të cilëve tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pasi përbërja prej shtatë anëtarëve nuk mund të zbatohet menjëherë, marrë parasysh se për një pjesë të madhe të anëtarëve të KPK-së, mandati ju skadon tek në vitin 2026 dhe Gjykata Kushtetuese i ka vendosur disa limite në këtë drejtim. Por ne natyrisht nuk mund të presim deri atëherë dhe të vazhdojmë me një këshill jopluralist. Prandaj kemi propozuar që në përbërjen aktuale të kemi një edhe një numër shtesë të anëtarëve jo prokurorë me mandat të caktuar si zgjidhje të përkohshme deri në vitin 2026”, tha ajo.

Duke arsyetuar nevojën për themelimin e grupit koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se institucionet e Kosovës duhet të jetë të përgatitura për të gjitha kërkesat që vijnë për fazën e dytë të anëtarësimit në KiE.

“Në fazën e dytë do të na nevojitet një bashkëpunim shumë më i ngushtë ndërinstitucional me qëllim që të jemi të përgatitur për të gjitha kërkesat dhe raportet që do të na vijnë. Prandaj kemi propozuar krijimin e një grupi koordinues i cili ka për detyrë të zhvillojë komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE”, tha ajo.

Krahas këtyre, Qeveria emëroi Anita Kalanderin si sekretare të përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10”.

Lajmet

Ndahet nga jeta profesori Naim Krasniqi: UBT shpreh ngushëllime për familjen dhe komunitetin akademik

Published

on

By

Me pikëllim të thellë njoftojmë se ka ndërruar jetë profesori dhe kolegu ynë i nderuar, Naim Krasniqi. Ai ishte pjesë e stafit akademik të UBT, ku dha kontribut të çmuar në procesin mësimor, duke u dalluar për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në punë.

Gjatë angazhimit të tij akademik, ai ishte i përkushtuar ndaj studentëve dhe kolegëve, duke ndarë me ta dijen, përvojën dhe vlerat profesionale. Ndarja e tij nga jeta është humbje të madhe për familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin akademik.

Kontributi i tij në arsim dhe angazhimi i tij profesional do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës institucionale. Rektori, menaxhmenti dhe stafi akademik e administrativ i UBT-së shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen Krasniqi dhe për të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

Kujtimi për të do të mbetet i paharruar, ndërsa vepra dhe përkushtimi i tij do të vazhdojnë të jetojnë përmes gjeneratave që ai kontribuoi në formimin e tyre.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen katër persona për mashtrim milionësh me prona në Prishtinë

Published

on

By

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që dyshohet se ka rezultuar me përfitim të kundërligjshëm mbi 1.5 milion euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, më 19 shkurt 2026, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, kanë siguruar prova që implikojnë të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

“Përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve si pasaportë e Serbisë dhe dokumente të tjera  dhe duke i përdorur ato si të vërteta, si dhe duke prezantuar një person të rrejshëm si person real, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë-shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave zyrtare, prona dyshohet se është shitur tek blerësi H.M. me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt dhe ligjor. Në këmbim të kësaj shitjeje, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë materiale në procedurat e mëtejme.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “mashtrimi” , “falsifikimi i dokumenteve”  dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raportoi Policia.

Continue Reading

Lajmet

Kancelari gjerman Merz, uron Kurtin për mandatin e ri

Published

on

By

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Në letrën drejtuar Kurtit, Merz shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, shkruan kancelari gjerman, duke theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani gjatë këtyre proceseve.

Merz gjithashtu përmendi sfidat përpara Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Gëzohem që do të vazhdojmë së bashku të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet vendeve tona”, përfundon kancelari në mesazhin e tij drejtuar Kurtit.

Continue Reading

Lajmet

Hapet Konsullata e Lituanisë në Kosovë

Published

on

By

Lituania ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj në Kosovë, një ngjarje kjo që po konsiderohet si një hap historik drejt thellimit të raporteve diplomatike dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, deklaroi se hapja e kësaj konsullate përfaqëson një angazhim konkret për forcimin e bashkëpunimit në sferën institucionale, ekonomike dhe atë kulturore. Borisovas nënvizoi se vendi i tij mbetet një mbështetës i palëkundur i integrimit evropian të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, raporton RTK.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e vlerësoi këtë akt si një dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik. Sipas tij, prioritet mbetet shkëmbimi i përvojave në reformat demokratike dhe fuqizimi i raporteve parlamentare. Rëndësinë e kësaj pranie diplomatike e theksoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u fokusua te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke u shprehur se konsullata do të jetë një urë e rëndësishme për koordinimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Nga ana tjetër, Konsulli i Nderit, Bashkim Zeqiri, u zotua se do të punojë intensivisht për promovimin e interesave të dyanshme, duke krijuar mundësi të reja në fushën e ekonomisë, arsimit dhe investimeve. Hapja e kësaj konsullate shihet si një sinjal i fuqishëm i përkushtimit të Lituanisë dhe Kosovës për një partneritet afatgjatë, të bazuar në solidaritetin dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme brenda familjes evropiane.

Continue Reading

Të kërkuara