Lajmet

​Qeveria Kurti kritikohet për mungesë të platformës për dialogun Kosovë-Serbi

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke mbajtur konferencën “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi” me përfaqësues nga partitë parlamentare. Derisa mazhoranca potencoi përgatitjen e Qeverisë Kurti për këtë proces, opozita kritikoi për mungesën e agjendës dhe platformës për dialogun. Ndërkohë, arritja e marrëveshjes finale po shihet si larg e arritshme edhe nga KDI.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kanë qasjen e duhur për dialogun, por i njëjti nuk mund të ketë rezultat sepse në anën tjetër është një udhëheqës si Vuçiq.

Krahas kësaj, ajo tha se gjitha marrëveshjet e kaluara, që janë vlerësuar të dëmshme do të vinë me propozime të reja, si këshilli nacional i pakicave, alternativë e Asociacionit.

“Propozimet e kryeministrit Kurti janë një hap pozitiv në procesin e dialogut. Përpara do të ecet duke treguar vizionin tonë, por ne nuk mund të kryejmë punën për Serbinë. Ne jemi të gatshëm në bazë të parimeve tona ta vazhdojmë dialogun, por Serbia duhet të veprojë për veti. Ta quajmë finale dialogun e sotëm është e paarritshme në bazë të asaj çka u tha në parlamentin serb”, tha ajo.

Por, kritika ndaj qasjes së Qeverisë Kurti për dialogun adresoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kemi prit se ky do të jetë një fillim i ri, por jo, pasi Qeveria Kurti nuk ka agjendë për dialogun dhe e shoh një qasje të gabuar të qeverisë Kurti”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se Qeveria Kurti po improvizon në temën e dialogut.

Ai tha se tentimi për zhvlerësimin e Marrëveshjen e Uashingtonit është e dëmshme për Kosovën.

“Nuk e shohim një proces të ri. Ka improvizime për këtë temë, ka takime dhe nuk ka transparencë, pasi nuk i dimë as parimet e qeverisë për dialogun”, tha ai.

Kritik u shfaq edhe shefi u grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Qeveria Kurti po përdorë qasje ad-hoc të momentit, përfshirë edhe katër propozimet e tij në Bruksel”, tha ai.

Lajmet

Dyshohen katër bankënota 500-euroshe të falsifikuara në Ferizaj

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një bankë në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj ka raportuar se ka pranuar katër bankënota nga 500 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar kartëmonedhat e dyshuara për ekzaminime të mëtejshme.

Lidhur me rastin është njoftuar dhe konsultuar edhe prokurori, ndërsa rasti mbetet nën hetim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Holanda tërhiqet sërish nga Eurovisioni, bojkoton edicionin e vitit 2027

Published

on

Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovisionin 2027, ka konfirmuar transmetuesi publik holandez AVROTROS, duke e lidhur vendimin me pjesëmarrjen e Izraelit dhe ndikimin e konfliktit në Gaza.

AVROTROS vlerëson se, në kushtet aktuale, Eurovisioni nuk mund të konsiderohet më plotësisht neutral, ndërsa ndryshimet e fundit të paralajmëruara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) nuk kanë qenë të mjaftueshme për të rikthyer besimin te karakteri i pavarur dhe apolitik i festivalit.

Drejtori i përgjithshëm i AVROTROS, Taco Zimmerman, tha se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në konkurs dhe se Eurovisioni është shndërruar në një “platformë për ndarje”.

Ky është viti i dytë radhazi që Holanda nuk merr pjesë. AVROTROS ishte tërhequr edhe nga Eurovisioni 2026 për shkak të shqetësimeve për situatën në Gaza, lirinë e shtypit dhe përfshirjen politike në konkurs.

Sipas AVROTROS, në vitin 2026 pesë vende vendosën të mos merrnin pjesë, ndërsa debati për neutralitetin e Eurovisionit dhe pjesëmarrjen e Izraelit vazhdon.

Sa i përket pjesëmarrjes holandeze në vitin 2027, AVROTROS ia ka kaluar vendimin përfundimtar NPO-së, organizatës ombrellë të transmetuesve publikë holandezë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Topi i “Dorës së Zotit” i Maradonës shitet për 3.35 milionë dollarë

Published

on

Topi me të cilin Diego Maradona shënoi golin e famshëm “Dora e Zotit” kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986 është shitur në ankand për 3.35 milionë dollarë.

Shitja u realizua nga shtëpia e ankandeve Heritage Auctions në Shtetet e Bashkuara, ndërsa çmimi përfundimtar ishte rreth 6.7 milionë dollarë më i ulët se vlerësimi fillestar prej 10 milionë dollarësh.

Topi Adidas Azteca kishte një çmim fillestar prej 2.5 milionë dollarësh.

Maradona e përdori topin në çerekfinalen e 22 qershorit 1986, në ndeshjen mes Argjentinës dhe Anglisë në stadiumin “Azteca” të Meksikës. Ai shënoi dy gola në fitoren 2-1 të Argjentinës, mes tyre edhe golin kontrovers që hyri në histori si “Dora e Zotit”.

Pak minuta më vonë, Maradona shënoi edhe një nga golat më të famshëm në historinë e futbollit, pas një aksioni individual spektakolar. Goli u votua më vonë si “Goli i Shekullit”.

Topi u mbajt për më shumë se tri dekada nga arbitri tunizian Ali Bin Nasser, i cili kishte drejtuar atë ndeshje. Ai e nxori në ankand në vitin 2022, kur u shit për 2.37 milionë dollarë.

Topi u nxor sërish në ankand në vitin 2023, por nuk arriti të shitej pasi nuk u plotësua çmimi rezervë.

Pas eliminimit të Anglisë, Argjentina vazhdoi rrugëtimin deri te trofeu dhe u shpall kampione e botës për herë të dytë, pas fitores 3-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medaljen e parë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Published

on

By

Boksierja Donjeta Sadiku i ka siguruar Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi triumfoi në çerekfinale ndaj turkes Esmanur Lok.

Përballja e kategorisë deri në 60 kilogramë solli një luftë mjaft të fortë. Sadiku e nisi me dominim raundin e parë, ndërsa boksierja turke u rikthye në të dytin, duke shfrytëzuar edhe përparësinë në gjatësi. Në raundin e tretë e vendimtar, ku u shkëmbyen goditje të shumta, përvoja e boksieres kosovare bëri diferencën — me goditje më të pastra, ajo mori fitoren me vendim të ndarë të gjyqtarëve (4:1).

Me këtë kalim në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë, ndërsa synon të artën. Në gjysmëfinale ajo do të përballet me boksieren nga Greqia, Sofia Legaki.

Sadiku mbetet e vetmja nga ekipi i boksit që vazhdon garën, pasi katër boksierët e tjerë kosovarë u eliminuan në luftërat e tyre të para. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara