Lajmet

​Qeveria i propozon ZRrE-së që bllok tarifa të jetë 1000 kWh dhe jo 600

Sipas Muratit, bllok tarifa duhet të jetë e ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar komentet që ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me tarifat e energjisë elektrike.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media tha se kanë propozuar që bllok tarifa të jetë 1000 kWh, dhe e ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

“Ne kemi propozuar që për amvisëritë, pra për konsumatorët familjarë, blloku i parë tarifor të jetë 1,000 kWh dhe i ndarë 500kWh gjatë ditës dhe 500 kWh gjatë natës, pra të jetë 1000, pasi që konsiderojmë që për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë. Dhe, për këto 500 kWh ditën dhe 500 kWh natën, çmimi do të mbetet i pandryshuar. Do të thotë mbeten këto çmime që janë aktualisht. Për ato familje që nuk e tejkalojnë këtë prag, nuk do të ketë fare ekspozim ndaj lëvizjeve dhe rritjeve në çmim. Kurse, për ata që e tejkalojnë këtë prag, propozimi ynë ka qenë që edhe tarifa e lartë, mbi 500 ditore, të ulet nga 14 cent në 11.5 cent, pra edhe këtu të ketë një zbritje. Me këtë propozim, kemi vlerësuar që gjenerohen 22.5 milionë euro për ta zvogëluar këtë hendekun që e thashë prej 110, respektivisht 70 milionë euro”, tha ai.

Murati bëri të ditur se kanë dhënë edhe propozimet konkrete sa i përket raportit për të hyrat maksimale, e që siç tha ai, janë që të zvogëlohet hendeku nga 132 milionë euro në 110 milionë.

“Kemi dhënë propozime konkrete sa i përket raportit për të hyrat maksimale të lejuara, pra kemi identifikuar diku 21 milionë euro për të cilat mund të zvogëlohet hendeku, pra ZRrE ka propozuar që të mbulohet konsumi për tërë vitin i energjisë elektrike. Nevojiten 446 milionë euro, ndërsa me tarifat aktuale mund të grumbullohen 314 milionë euro. Sipas ZRrE-së, hendeku që është dashur të mbulohet ka qenë 132 milionë euro e që sipas tyre bashkë me subvencionimin prej 75 milionë euro nga Qeveria është dashur të vendoset edhe bllok tarifa në nivelin 600 KWh dhe pastaj pjesa tjetër të bëjë me tarifa tjera, pra të ketë çmimin 14 cent dhe 6 cent për tarifën e lartë dhe të ulët përkatësisht”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë propozuar që ZRrE të llogarisë si kontigjencë tek të hyrat maksimale të lejuara shumën prej 40.8 milionë euro, të cilën gjykata ka kërkuar t’u kthehet konsumatorëve nga KEDS, meqenëse vendimi është apeluar dhe ende pret verdiktin përfundimtar.

“Ne kemi dhënë edhe një propozim tjetër për ZRrE- në, Gjykata themelore tashmë ka marrë një aktgjykim për sa i përket për çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit. Sipas tij, kërkohet nga ZRrE që ta obligojë KEDS-in që shumën prej 40 milionë e 885 mijë e 480 euro t’ua kthejë konsumatorëve përmes tarifave, kjo ka të bëjë me shumën që është faturuar deri në kohën sa ka qenë pjesë e konsumatorëve në pjesën veriore të energjisë elektrike, pra janë 41 milionë euro për të cilat ka një aktgjykim të Gjykatës Themelore, mirëpo ky është apeluar nga ZRrE, dhe kërkesa jonë si Ministri që kjo pjesë, ky 41 milionë të përfshihet si kontingjente për të hyrat, dhe kësisoj të ndërhyjmë në të hyra maksimale të lejuara të ulëta, pra këtë 41 milionë dhe të merret vendimi përfundimtar i gjykatës dhe të vendoset nëse vendimi konfirmohet i Gjykatës Themelore që obligimi nga 41 milionë i është kthyer konsumatorëve që ka qenë gabim dhe duhet të rishqyrtohet dhe të bartet në tarifat e vitit vijues. Kështu do të kishim të hyrat maksimale të lejuara prej rreth 380 milionë euro, nga 446 do të binte në 380 dhe hendeku do të zvogëlohej në afërisht 70 milionë euro”, tha ai.

Ministri Murati tha se kanë propozuar edhe një masë tjetër në ZRrE, e cila ka të bëjë me atë se nëse një familje shpenzon për një muaj më pak se në muajin e njëjtë të vitit paraprak, ajo të subvencionohet nga shteti.

“Masa ka të bëjë se kushdo që arrijnë ta ulë konsumin në raport me muajin e njëjtë të muajit paraprak proporcionalisht të subvencionohet, në raport me vitin paraprak për muajin shkurt një familje arrin të kursejë 10 për qind të energjisë elektrike, pra shpenzon më pak në kWh gjatë ditës e njëjta shumë do të subvencionohet nga shteti për faturën që e ka ajo familje për atë muaj, dmth nëse dikush ka shpenzuar 100 euro në shkurtin e vitit të kaluar dhe këtë vit arrin ta ulë konsumin për 10 euro në 90 euro do të marrë aq nga shteti, pra do të kursejë dyfish”, tha ai.

Të hënën në orën 16:00, ka përfunduar afati për dorëzim të komenteve lidhur me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtim të rrymës.

Lajmet

​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

Published

on

By

Ditët e 17, 18, 19, 20 dhe 21 prillit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.

Ushtria policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti në bashkëpunim me degët në Prishtinë të OVL, SHFD dhe SHIL të UÇK-së, organizon aktivitetet përkujtimore: homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani, nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, aksion për dhurim gjaku në sheshin “Zahir Pajaziti”, homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Makovc.

Tubimi qendror-tradicional “Epopeja e UÇK-së” mbahet në Marec nga ora 13:00, ndërsa nga ora 17:00 mbahet ceremonia për ndarjen e 71 mirënjohjeve për familjet e dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Prishtinës.

Continue Reading

Lajmet

​Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientit

Published

on

By

18 prilli njihet si Dita evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, që të formulohet dhe miratohet Karta e Pacientit.

Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientëve 2025 do të fokusohet në një sërë temash kritike që lidhen me shkëmbimin e të dhënave shëndetësore, përfitimet dhe sfidat e tij.

Krijimi i Hapësirës Evropiane të të Dhënave Shëndetësore (EHDS) po formëson të ardhmen e menaxhimit elektronik të të dhënave shëndetësore në BE.

EHDS është krijuar për të lehtësuar ndarjen e të dhënave shëndetësore, veçanërisht për kërkimin shkencor, duke siguruar që të dhënat të përdoren në mënyrë etike dhe efektive në të gjitha shtetet anëtare. Ky kuadër i ri ka potencialin për të transformuar peizazhin e qeverisjes së të dhënave shëndetësore në Evropë.

Të dhënat shëndetësore mblidhen nga organizata të ndryshme për qëllime specifike.

Spitalet, për shembull, analizojnë të dhënat e pacientëve për të përmirësuar cilësinë, kohën dhe sigurinë e shërbimeve të tyre. Megjithatë, këto të dhëna gjithashtu mund të grumbullohen në nivel popullsie për të mirën e parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor në rajone dhe vende.

Duke i bërë të dhënat shëndetësore më të qasshme dhe tërheqëse, ne mund të përmirësojmë rezultatet e kujdesit shëndetësor, të promovojmë mësimin dhe të nxisim bashkëpunimin ndërkufitar.

Përfitimet e ndarjes dhe kthimit të të dhënave shëndetësore te pacientët, shembulli i provave klinike:

– Shkëmbimi i të dhënave shëndetësore mund t’i bëjë sistemet e kujdesit shëndetësor më të përgjegjshëm, efikas dhe të qëndrueshëm. Pacientët kanë kërkuar prej kohësh vlerë në këmbim të përdorimit të të dhënave të tyre.

– Dhënia e pjesëmarrësve të dhëna nga provat klinike individuale, për shembull, jo vetëm që u siguron atyre informacion të vlefshëm për kujdesin shëndetësor ose menaxhimin e sëmundjeve, por gjithashtu i fuqizon ata duke i bërë pjesë të procesit të vendimmarrjes. Kjo ripërcakton marrëdhëniet midis pacientëve, kërkimit dhe industrisë.

Në mënyrë që shkëmbimi i të dhënave shëndetësore të jetë i suksesshëm, individët duhet të ndihen të sigurt se privatësia e tyre respektohet.

Ekuilibri midis nevojës për të garantuar privatësinë e të dhënave dhe imperativit për të përdorur të dhënat shëndetësore për kërkime mjekësore dhe përmirësimin e sistemit duhet të hulumtohet dhe diskutohet midis palëve të interesuara.

Si shembull kombëtar, në Itali, Cittadinanzattiva ka punuar në një dekalog për të rishikuar, për sa i përket llogaridhënies, rregullat që rregullojnë pëlqimin e qytetarëve/pacientëve, i cili është thelbësor për përpunimin dhe ndarjen e të dhënave dhe bashkëpunimin midis studiuesve.

Continue Reading

Lajmet

26 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

Published

on

By

Sot mbushen 26 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi i Gradinës, për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në rrafshnaltën e Berishës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Agjencia e Lajmeve KosovaPress, Radio Kosova e Lirë dhe rreth 100 mijë banorë nëpër grykat e maleve.

Në këtë betejë, pikërisht më 18 prill 1999, ranë heroikisht Islam Kastrati nga Kishnareka, Halim Bajraktari nga Drenasi, Mentor Morina nga Bushati, Ramadan Bytyqi nga Gjergjica dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

Luftimet e prillit 1999 në këtë anë kanë qenë vendimtare jo vetëm për rrjedhat e luftës çlirimtare, por mbi të gjitha kanë qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e njerëzve që kanë qenë në këto gryka.

Po ashtu, luftëtarët që e bënë betejën e prillit 1999 kanë qenë muri i gjallë që nuk e ka lejuar ushtrinë dhe policinë serbe të depërtojë te popullata.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori britanik: Kosovës i duhet urgjentisht një kuvend dhe qeveri funksionale

Published

on

By

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar nevojën urgjente për krijimin e institucioneve funksionale pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

“Më shumë se dy muaj që prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova urgjentisht ka nevojë për një kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes kombëtar”, ka shkruar Hargreaves në platformën X.

Ndërkohë, sot ka vazhduar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte ndërprerë të hënën. Kryesuesi i saj, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike, mirëpo pas takimit ai deklaroi se nuk është arritur konsensus për vazhdimin e punimeve.

Si rezultat, Dehari njoftoi se seanca konstituive do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.

Continue Reading

Të kërkuara