Lajmet

​Pulmologjia shndërrohet në klinikë COVID, vetëm dy shtretër të lirë, 80% e pacientëve janë të pavaksinuar

Published

on

Klinika e Pulmologjisë është shndërruar në klinikë COVID e në të cilën kanë mbetur të lirë vetëm edhe dy shtretër. Kjo pas përkeqësimit të situatës me COVID-19 në vendin tonë. 87 shtretërit e tjerë në këtë klinikë janë me pacientë që vuajnë nga koronavirusi, prej të cilëve mbi 90% janë me oksigjenoterapi. Në këtë klinikë po trajtohen pacientë të cilët janë vaksinuar e të njëjtit kanë gjendjen më stabile krahasuar me pacientët të cilët janë të pavaksinuar.

Kështu bëri të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha i cili thotë se aktualisht në këtë klinik katër pacientë janë në gjendje më të rëndë.

“Gjendja në Klinikën e Pulmologjisë, aktualisht sot i kemi 87 të shtruar dhe dy vende të lira dhe komplet klinika është COVID pozitiv me raste të infektuara. Janë të infektuara me variantin Delta që mbi 90% e ka përfshirë botën. Gjendja e pacientëve tanë në Klinikën e Pulmologjisë në përgjithësi është stabile përveç katër rasteve që janë pak më të rënda dhe kërkojnë përkrahje më të madhe me oksigjenoterapi, kurse pjesa tjetër është stabile edhe pse edhe pjesa tjetër mbi 90% janë me oksigjenoterapi dhe terapi tjetër mbështetëse”, theksoi Hoxha.

Pulmologu Hoxha thotë se mbi 80% e pacientëve të shtrirë janë të pavaksinuar kundër COVID-19, ndërsa nëntë prej tyre kanë marrë vetëm me dozën e parë, kurse 6 të tjerë janë të imunizuar plotësisht me të dy dozat.

Sipas tij, gjendja shëndetësore e pacientëve të vaksinuar është shumë më stabile sesa e atyre që nuk janë të vaksinuar.

“Nga të shtruarit që i kemi ne i kemi për momentin 9 të vaksinuar me një dozë dhe gjashtë i kemi të vaksinuar me dy dozat, nga ata 15, nga numri i përgjithshëm 87 që janë, ata janë në gjendje më stabile dhe gjendja e tyre është më e lehtë, edhe klinike, por edhe sa i përket ndërrimeve radiologjike në rentgen që shihen janë më të pakta. Pjesa më e madhe do thotë mbi 80% janë të pa vaksinuar”, theksoi ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha ka bërë të ditur se shumë shpejt pacientët që kanë nevojë për remdesivir nuk do të kenë nevojë ta blejnë atë pasi do të furnizohen me këtë ilaç nga barnatorja qendrore e QKUK-së.

Hoxha thotë se deri tani nuk kanë pasur telashe për furnizimin me oksigjen, dhe si klinik kanë shtruar edhe pesë shtretër të tjerë vetëm për t’u dalë në ndihmë pacientëve të infektuar.

Ndonëse varianti Delta i COVID-19 po konsiderohet më agresiv, pulmologu, Musa Hoxha deklaron se terapia për trajtimin e pacientëve të infektuar me këtë variant është e njëjtë sikur tek pacientët që kanë qenë të prekur me llojet e tjera të mëhershme të koronavirusit.

“Në Pulmologji ne i kemi shtruar katër-pesë shtretër sa kemi pasur mundësi dhe pjesa e Pulmologjisë është komplet e pajisur me oksigjen qendror, oksigjen të lëngët, kurse pjesa e Dermatologjisë aty i kemi pacientët që oksigjenin e marrin me gaz përmes bombolave. Jo nuk ka pasur për asnjë moment telashe sa i përket furnizimit me oksigjen, por edhe në përgjithësi edhe me barnat e tjera të cilat kërkohen për këta pacientë shumica kanë qenë vazhdimisht në barnatoren qendrore. Edhe remdesiviri po ashtu është aprovuar. Remdesivirin deri tani pacientët kanë blerë privat ndërsa tani është aprovuar dhe mund të merret nga barnatorja qendrore. Në mbledhjen e djeshme e kuptova që edhe remdesiviri është aprovuar dhe tash po presim t’i marrim dozat e para”, tha ai.

Pulmologu Hoxha thotë se më herët kanë pasur të shtrirë edhe pacientë që kanë ardhur nga mërgata, por që aktualisht nuk kanë raste të tilla.

“Për momentin nuk jam i informuar se kemi ndonjë rast që jeton në shtetet perëndimore, por kemi pasur nga këto raste. Zakonisht kanë qenë të vaksinuar”, theksoi ai.

Menaxhmenti i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovë sot ka njoftuar se kanë krijuar hapësira edhe me 80 shtretër shtesë të cilët janë vendosur në dy katet e pjesës së përfunduar së fundmi në objektin e Mjekësisë Sportive.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 26 raste të vdekjes, kurse pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 383 qytetarë të Kosovës.

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Aktualitet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Vendi

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Lajmet

Skenderaj: Qëlloi qenin me armë, policia ia sekuestron armën

Published

on

By

Një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qenit të një bashkëqytetari në Skenderaj. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 18 tetor, rreth orës 10:20.

Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara