Lajmet

​Protestohet në Mitrovicë për vdekjen e Betina Ymerit, nëna: Çdo rast dhune të hetohet deri në fund

Gjatë protestës e cila zgjati rreth një orë, u lexua një poezi dedikuar Betinës.

Published

on

Familjarë, miq, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe qytetarë të tjerë, kanë protestuar sot para Gjykatës Themelore në Mitrovicë për shkak të rastit të 19-vjeçares, Betina Ymeri, e cila më 8 shtator dyshohet se i dha fund jetës pas kërcënimeve nga fejuari i saj.

Protestuesit ju bën thirrje institucioneve përkatëse që rastin ta trajtojnë me prioritet dhe profesionalizëm, në mënyrë që ngjarja të zbardhet sa më shpejtë dhe fajtori të marrë dënimin e merituar.

Në këtë protestë u tha mes tjerash se vdekja e Betinës do të mund të parandalohej sikur institucionet të ishin funksionale për gratë dhe t’ju ofrojnë më shumë siguri për të raportuar dhunën ndaj tyre.

Protestuesit mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Mos t’ndodhë ma”, “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”, “Fol me çikën si me djalin”, “Vetëvrasja nuk vjen nga qielli”, etj.

Nerimane Ferizi, aktiviste e shoqërisë civile, tha para të pranishmëve se janë mbledhur sot për të thënë përfundimisht se asnjë vajzë e grua nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës, të ndjehet e pashpresë dhe asnjë vajzë e grua të mos vritet nga një burrë.

Sipas saj, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme nevoja për solidaritet dhe mbështetje ndaj vajzave dhe grave.

Ne jemi mbledhur këtu për të thënë përfundimisht asnjë më, asnjë vajzë e grua të jetojë me tmerrin dhe frikën e dhunës. Asnjë vajzë e grua të mos vritet nga një burrë. Asnjë vajzë e grua të mos ndihet vetëm dhe e pashpresë. Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të thërrasim për solidaritet e mbështetje të vajzave e grave. T’ju besohet vajzave e grave. T’ju dilet në ndihmë atyre. Andaj e theksojmë për familjarë, kojshi, kalimtarë, kudo që e shihni dhunën raportojeni. Bëhuni në anën e viktimës e jo të dhunuesit. Dhuna ndaj vajzave e grave është krim. Trajtojeni si të tillë. Pra, sot po kërkojmë që kjo gjykatë të trajtojë rastin e Betinës me prioritet dhe t’i jap dënim meritor fajtorit”, ka thënë Ferizi.

Në anën tjetër, Fatime Ymeri, nëna e të ndjerës, ka bërë thirrje të gjitha nënave dhe grave që rastet e dhunës t’i raportojnë në polici.

Lus çdo nënë, çdo femër, e cila heton dhunë sado pak, të lajmëroj rastin në polici dhe lus gjykatën t’i shkojë drejtësisë deri në fund, e jo të kërkojë ryshfet”, theksoi ajo.

Gjatë protestës e cila zgjati rreth një orë, u lexua një poezi dedikuar Betinës, vargjet mallëngjyese të së cilës përlotën shumë të pranishëm.

Ndryshe, Betina Ymeri nga fshati Vinarc i Mitrovicës, dyshohet se i dha fund jetës për shkak të kërcënimeve serioze nga i fejuari i saj L.SH. (19), i cili është arrestuar nga policia.

Lajmet

Sot nafta 1.64 euro, benzina 1.39 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për datën 23 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë: Nafta (dizel): 1.64 euro për litër Benzina: 1.39 euro për litër; Gasi: 0.87 euro për litër.

MINT ka njoftuar qytetarët se për çdo parregullsi apo ankesë lidhur me çmimet në treg, mund të adresohen në emailin zyrtar të departamentit të konsumatorit ose përmes numrit të telefonit pa pagesë.

Këto çmime po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, kryesisht si pasojë e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve të vazhdueshme nga konflikti mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve edhe në tregun tonë.

Continue Reading

Lajmet

Rahoveci drejt një qendre moderne për art dhe inovacion

Published

on

Në Rahovec po vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion, një projekt që synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore për zhvillimin e jetës kulturore dhe kreative në qytet. Kjo qendër pritet t’u shërbejë artistëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit artdashës, duke ofruar kushte më të avancuara për krijimtari, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.

Me një investim që tejkalon 3 milionë euro, projekti synon të forcojë infrastrukturën kulturore në Rahovec dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e artit dhe inovacionit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Kapen të dyshuarit që vodhën cigaret elektronike nga vetura në Vushtrri

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.

Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Continue Reading

Lajmet

Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të boksit

Published

on

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.

Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara