Lajmet

​Protestë kundër taksive ilegalë në Mitrovicë, kompanitë marrin garanci për zbatim të ligjit

Ata u pritën nga kryetari Bedri Hamza, ndërsa pas takimit mbetën me shpresë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Published

on

Pronarët dhe punëtorët e kompanive të autobusëve të linjës Mitrovicë-Prishtinë dhe anasjelltas, kanë protestuar sot para objektit të Komunës së Mitrovicës në shenjë të pakënaqësisë ndaj problemit që kanë tash e 22 vite me kombi-busët ilegalë.

Ata parkuan dhjetëra autobusë para oborrit të Komunës, ndërsa akuzuan këtë institucion se nuk po ndërhyjnë përmes inspektorëve për të ruajtur konkurrencën e pandershme. Protestuesit adresuan akuza të rënda ndaj inspektorëve të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri, dhe paralajmëruan bllokadë të rrugëve dhe veprime të ngjashme.

Ata u pritën nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërsa pas takimit mbetën me shpresë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, ka hedhur akuza të rënda ndaj inspektoratit të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Sipas tij, këta inspektorë janë duke keqpërdorur detyrën, dhe në kushte normale do të duhej të arrestoheshin nga policia.

“Këtu në këtë rreth dikush po keqpërdorë, dikush po merr para. Sipas dyshimit tim, inspektorati i komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri janë duke keqpërdorur detyrën dhe në kushte normale këta duhet të shkojnë lidhur (prangosur)… Po e përsëris, dikush këtu po merr para sepse në vija të rregullta të operojnë njerëz ilegalë, tregon se shteti nuk po funksionon… Në protestat e ardhme ne do të bllokojmë rrugët sepse nuk po mund të mbijetojmë”, ka thënë Azemi.

Avni Boletini, kryetar i Shoqatës së Kompanive të Autobusëve në regjionin e Mitrovicës, u shpreh i zhgënjyer me të gjitha takimet që kanë pasur me institucionet e vendit.

“Kemi dalë këtu sepse është momenti i fundit. Nuk na ka mbetur vend pa shkuar, te kryeministri, ministri i Infrastrukturës, dhe kemi marrë vetëm fjalë”, tha Boletini.

Ndërkaq, Hashim Miftari, nënkryetar i kësaj shoqate, potencoi se i gjithë problemi qëndron tek inspektorati i komunikacionit dhe neglizhenca për punë nga ana e tij.

“Pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Mitrovicës dhe institucionet e tjera, çdoherë problemi ka qenë tek inspektori i komunikacionit të Komunës së Mitrovicës. Nuk do të punojë. Shko te tregu tash, i ke 50 taksistë ilegalë dhe as që merret dikush me ta. Inspektorati duhet ta dijë se prej orës 8:00 deri në 12:00 dhe prej 13:00 deri në 16:00 inspektori duhet të jetë në terren. Nuk e di pse komuna në Mitrovicë mban inspektorë të komunikacionit, nuk di pse e paguan… Kurrë asnjëherë nuk e ke në terren”, theksoi Miftari.

Gjatë kohës derisa po protestohej, disa prej përfaqësuesve të kësaj proteste u ftuan në takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, për të arritur një zgjidhje rreth këtij problemi.

Pas rreth gjysmë ore sa ka zgjatur takimi, Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen me kryetarin Hamza dhe premtimet që kanë marrë.

“Kryetari i komunës ka marrë një obligim të fuqishëm, se që nga nesër do të fillojë së zbatuari ligjin me të gjitha kompetencat që i ka, ka ofruar një bashkëpunim, por megjithatë ne do të shohim si do të vazhdojë situata. Ne pamë se ai nuk ka qenë i njoftuar me të gjitha problemet që i kanë në thellësi këta autobusë… Ka qenë një takim i mirë të shohim sa po respektohet. Nëse e respekton ai, do t’i respektojmë edhe ne rregullat tona, nëse jo ne normalisht që do të vazhdojmë me protesta dhe procese të tjera”, ka thënë Azemi.

Për të gjitha kauzat e kompanive por edhe të problemin e tyre në përgjithësi, KosovaPress ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e kryetarit të Mitrovicës, por i njëjti nuk ka dëshiruar të prononcohet. 

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara