Lajmet

​Propozimi për shtrenjtimin e rrymës kundërshtohet nga ish-ministri i Energjisë

KESCO ka arsyetuar kërkesën me mosbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria.

Published

on

Dyfishimi i tarifave të rrymës të propozuara të premten nga furnizuesi me rrymë KESCO, në kërkesën e bërë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, është në proces të shqyrtimit të aplikimit të tarifave të reja.

KESCO ka arsyetuar kërkesën me mosbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë kundër këtij propozimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, por njëjtë nuk po mendojnë edhe drejtues të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP).

Sipas profesorit universitar, dyfishimet e mundshme të tarifave të energjisë elektrike nuk janë zgjidhje e krizës energjetike. Çeku ka kërkuar nga Qeveria të ndërmerr masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin efecient të energjisë, pasi sipas tij ka abuzim me energjinë elektrike.

“Edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë prapë nuk është zgjidhje, nuk i mbulon nevojat e investimeve. Ngritja e tarifave mund ta shtyjë ose zgjidhë një problem, por nuk është zgjidhja. E di që KESCO kanë aplikuar te Zyra e Rregullatorit, por ne duhet të ndërtojmë disa politika të tjera. Qeveria duhet të marrë masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin e efecient të energjisë elektrike. Abuzohet me energjinë elektrike në të gjitha nivelet e Kosovës. Po të hyni në institucione, sot në mesin e ditës janë dritat ndezur. Duhet të reduktohet ndriçimi publik dhe të ketë një vetëdijesim, të mos shkojmë menjëherë me ngritje të çmimeve”, thotë Çeku.

Ndryshe mendon drejtori në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) Burim Ejupi, i cili arsyeton propozimin e KESCO-s për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët. Por Ejupi kërkon nga ZRrE që të mos kalkulojnë politikisht për vendosjen e tarifave të reja.

“Arsyetimet e KESCO-s janë të drejta, edhe ZRrE-ja si organ i pavarur duhet të vendos krahas të gjitha rrethanave që ndodhet edhe KESCO. Nuk është interes i Kosovës që një kompani, e cila bën furnizimin me energji elektrike të falimentojë në këtë kohë. Ne jemi në fazën kur duhet të liberalizohet tregu, që të ketë më shumë kompani që na furnizojnë me energji. ZRrE duhet urgjentisht të mos kalkulojë politikisht, kalkulimet politike e kanë sjellë këtë gjendje, qeveritë e kaluara, kjo qeveri, sepse problemeve teknike iu kemi dhënë qasje politike”, thotë Ejupi.

ZRrE në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se aktualisht është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara do të njoftojë publikun dhe FShU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori.

“Në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FShU-në, brenda 20 ditëve të punës pas pranimit të raportit të ndikimit financiar, Rregullatori do të njoftoj FShU-në nëse Rregullatori e pranon apo jo propozimin e FShU-së për përshtatjen e jashtëzakonshme. Aktualisht, Rregullatori është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FShU-së dhe brenda afateve të përshkruara më lartë do të njoftojë publikun dhe FShU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ZRrE-së.

Aktualisht qytetarët paguajnë dy lloj tarifash, për shkak të bllokut tarifor të vendosur në 800 kWh. Tarifa e ulët për ata që shpenzojnë nën këtë bllok është 2.89 cent për kWh, ndërsa e larta për konsumatorët familjarë që shpenzojnë më pak se ky bllok tarifor është 6.75 cent për kWh. Propozimi i KESCO-s është që me tarifat e reja çmimet të ngrihen në 5.43 cent për kWh si tarifë të ulët dhe 12.78 cent për kWh për tarifë të lartë.

Ndërkaq çdo kWh që shpenzohet aktualisht mbi 800 kWh të shpenzuar në muaj, kushton aktualisht 5.9 cent në tarifë të ulët dhe 12.52 në të lartën. Propozimi i KESCO-s i çon këto tarifa në 11.09 cent për të ulëtën dhe 23.53 cent për të lartën.

Shtrenjtimi është propozuar si për ata që shpenzojnë më pak se 800kWh në muaj, si për ata që e tejkalojnë bllok-tarifën.

Ndërsa, sa i përket krizës energjetike dhe fillimit të reduktimeve të rrymës në vend, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku ka thënë se furnizimi i këtyre ditëve me energji nga Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin. Sipas tij, autoritetet e Kosovës me Shqipërinë duhet të bëjnë investime të përbashkëta.

“Shqipëria mund të na ndihmojë, por nuk mund të në bëjë zgjidhje, edhe ata janë në hallë, blejnë energji me kosto të shtrenjtë. Shpenzuan mbi 200 milionë euro vitin e kaluar për blerjen e energjisë. Shqipëria varet kryesisht nga energjia me hidro, dhe ky vit është shumë i thatë. Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën kohë pas kohe siç ishte rasti i ditës së djeshme dhe sot, ku Shqipëria dha një sasi të energjisë elektrike. Por ajo që po e ritheksoj, duhet që autoritetet e Kosovës me Shqipërinë të ndërtojnë një planë të zhvillimit të sektorit të energjisë sikur vendet e BE-së për investime të përbashkëta. Pra, edhe ne me Shqipërinë mund të bëjmë investime të përbashkëta”, thekson ai.

Pas njoftimit të KEDS-it se nga e hëna do të ketë reduktime të energjisë elektrike në gjithë Kosovën, Ministria e Ekonomisë njoftoi se është rikthyer furnizimi i rregullt falë bashkëpunimit me Shqipërinë, por edhe të martën pati kufizime dhe ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në vend.

Lajmet

Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë mbikëqyrjen e shtuar të tregut për të parandaluar shtrenjtimet abuzive të produkteve bazë gjatë muajve në vijim.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Nagavci bëri të ditur se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të veprojnë me kohë ndaj çdo shkeljeje nga tregtarët.

“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo theksoi se rritja e të ardhurave të qytetarëve duhet të mbrohet përmes kontrollit të marzhave tregtare nga importi deri te shitja me pakicë, si dhe duke hetuar dyshimet për marrëveshje të fshehta mes tregtarëve që dëmtojnë konkurrencën.

Duke folur për ndikimin e konflikteve globale në ekonominë e vendit, Nagavci vlerësoi se krizat ndërkombëtare po rëndojnë koston e jetesës, por shtoi se ato nuk guxojnë të keqpërdoren nga tregtarët.

“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, përfundoi ajo. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Published

on

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor të pandehurin me inicialet A.P. për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, A.P. dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa qytete të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e dhunës fizike dhe psikike.

Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale dhe më pas e kishte punësuar në lokalet e tij në Deçan, Gjakovë, Pejë dhe Klinë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo ishte detyruar të mbulonte edhe obligimet financiare të tij, përfshirë qiranë e lokaleve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive.

Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ligji për Specialen futet në rend dite me 79 vota për

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot futjen në rend të ditës të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si pikë e fundit e seancës së sotme plenare. Nga 84 deputetë të pranishëm në sallë, 79 votuan pro këtij propozimi.

Kërkesa erdhi përmes një mocioni procedural nga ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila bëri të ditur se pavarësisht mospajtimeve procedurale, PDK-ja ka arritur pajtim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket përmbajtjes së ndryshimeve ligjore.

“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm e të qëndrueshëm juridikisht”, deklaroi Çitaku para deputetëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara