Lajmet

​Pjetër Shala dëshiron të japë deklaratë pa betim në fillim të gjyqit

Këtë e ka konfirmuar mbrojtja e tij në konferencën përgatitore për gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Publikuar

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala dëshiron të flasë para trupit gjykues në fillim të procesit gjyqësor kundër tij, i cili pritet të nisë së shpejti. Këtë e ka konfirmuar mbrojtja e tij në konferencën përgatitore për gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë konferencë nga prokuroria u tha se janë të gatshëm për fillimin e procesit gjyqësor, ndërsa mbrojtja deklaroi se gatishmëria e tyre varet nga dokumentet që marrin nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas avokatit, Jean-Louis Gilissen, prokuroria ende nuk e ka përfunduar nxjerrjen e provave.

“Jam i lumtur që prokurorët janë të gatshëm të fillojnë gjyqin dhe nuk kanë përfunduar nxjerrjen e provave, është një mrekulli t’i dëgjosh të thonë se jemi të gatshëm ndërkohë ne kemi kohë që kërkojmë gjëra që janë një numër dokumentesh që kanë pasoja për palën mbrojtëse. Është e çuditshme per mendimin tim, palës mbrojtëse i janë dhënë dokumente kaq vonë, nga ana tjetër ata thonë që janë të gatshëm për të filluar, nga ne çdo gjë varet nga dokumentet që marrim”, tha ai.

Mbrojtja deklaroi se duan të bëjnë fjalën e tyre hyrëse në fillim të gjykimit ndërsa shtoi se edhe vetë Pjetër Shala do të flasë.

“Zotëri Shala dëshiron të bëjë një deklaratë, nuk e di nëse do të jetë një deklaratë (pa betim) e shkurtë, por jam i sigurt që nuk është shumë e gjatë”, tha ai.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për mundësinë e një vizite të trupit gjykues në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet rreth së cilave prokuroria e akuzon Shalën. Palët dhe mbrojtësi i viktimave vlerësuan se një vizitë e tillë do të ndihmonte trupin gjykues.

Mbrojtja e Shalës tha se koha e përshtatshme për një vizitë të tillë do të ishte pasi të dëgjohen argumentet e prokurorisë dhe para fillimit të paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes.

“Ne mendojmë nëse ju doni të kuptoni zinxhirin komandues dhe kush e ka pasur këtë në Kukës ne duam të shkoni te fabrika e metalit në Kukës. Prokuroria ka treguar edhe mbi një shtëpi ku komandanti i brigadës 128 ka qëndruar, dhe ata kanë disa kontakte, pra nëse doni të krijoni një pamje të qartë të zinxhirit komandues do të ishte me vlerë për të parë ku ishte kjo shtëpi, distanca ku ndodhet ajo dhe informata të tjera, e njëjta gjë vlen edhe për varrezat”, tha Gilissen.

Sipas prokurorisë, periudha kohore e duhur për një vizitë në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet është në fund të paraqitjes së provave nga ZPS, pala mbrojtëse dhe mbrojtja e viktimave.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmet

As pas shtatë takimesh ska marrëveshje për dinarin serb, ekonomisti Jakup Bellaqa: Është koha e fundit të zbatohet rregullorja e BQK-së

Publikuar

nga

Kosova e Serbia as pas takimit të shtatë me radhë nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Është kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili pas takimit të së mërkurës, tha se nuk pret që emisari evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të thërras takime të tjera për këtë temë.

Megjithatë sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, është momenti i fundit që rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, të zbatohet.

“Mendoj se është momenti i fundit të zbatohet dhe nga fakti që më herët është pranuar nga pjesa veriore dokumentet, patentshoferët, pasaportat, targat. Kjo nuk është çështje politike dhe nuk duhemi ta politizojmë”, deklaroi ai.

Sipas Bellaqës, rregullorja e BQK-së, siguron sovranitet ekonomik.

“E siguron sovranitetin ekonomik, juridik dhe kjo është e ligjshme dhe duhet çdo qytetar pra edhe minoriteti serb dhe çdo minoritet ta respektoj ligjin. Është e drejtë dhe e zbatushme. Do të ndikojë në ekonominë e vendit pozitivisht sepse për vetë faktin se nga pjesa veriore nuk e kanë njohur Kosovën, me miliona euro ka humbur qe më shumë se 20 vite sepse nuk i ka mbledhur këto mjete”, deklaroi ai.

Më 1 shkurt të këtij viti, në Kosovë ka hyrë në fuqi regullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Osmani s’u konsultua dhe s’e përkrah letrën e Qeverisë dërguar KiE-së

Publikuar

nga

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk u konsultua nga Qeveria e Kosovës për një letër të cilën ajo ia dërgoi Këshillit të Evropës (KiE) të mërkurën, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha këshilltari i saj Bekim Kupina.

Kupina tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se presidentja “nuk e përkrah këtë letër”.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina për REL të enjten.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

Gërvalla vjen nga partia Guxo, të cilën e kishte udhëhequr Osmani për disa muaj, deri në prill 2021, kur u emërua presidente dhe u largua nga partia, siç kërkon Kushtetuta e vendit.

Kupina theksoi se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione”, tha ai.

Njoftimi i Gërvallës për zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një statut për Asociacionin vjen pasi disa vende, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar Asociacionin si kusht.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.

Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Kupina shtoi se Osmani “gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet” me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e Asociacionit dhe tha se ajo nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa pëlqimin e Serbisë./REL

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kryeministri sllovak Fico ende në gjendje “shumë të rëndë” pas ndërhyrjes kirurgjikale

Publikuar

nga

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është në “gjendje shumë të rëndë”, por të qëndrueshme, njoftuan sot autoritetet spitalore, një ditë pasi u qëllua 5 herë me armë zjarri në një tentativë për ta vrarë, e cila ka nxjerrë në pah ndasitë e thella politike në vend.

Atentati i djeshëm shënoi përpjekjen e parë për vrasjen e një udhëheqësi politik evropian në 20 e vitet e fundit dhe u dënua nga shumë udhëheqës ndërkombëtarë. Analistë politikë dhe ligjvënës thonë se atentati është tregues i një klime politike gjithnjë e më të të polarizuar në kontinentin evropian.

Presidentja sllovake Zuzana Caputova bëri thirrje për uljen e tensioneve politike dhe tha se do të ftojë të gjithë drejtuesit e partive parlamentare për një takim të përbashkët. Aleati i zotit Fico dhe presidenti i zgjedhur Peter Pellegrini u kërkoi partive të pezullojnë ose të zbusin tonet e fushatës për zgjedhjet për Parlamentit Evropian që do të mbahen muajin e ardhshëm.

“Nëse ka diçka që i duhet urgjentisht Sllovakisë sot është konsensusi dhe uniteti mes përfaqësuesve politike”, tha zoti Pellegrini, i cili fitoi zgjedhjet e muajit prill për postin e Presidentit, një rol kryesisht ceremonial.

Agjencia sllovake e lajmeve ‘tvnoviny.sk’ njoftoi të enjten se ndaj autorit të dyshuar për atentatin është ngritur akuza për tentativë vrasjesje dhe se ai mund të përballet me dënim deri në burg të përjetshëm.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Musliu-Shoshi: Letra e Gërvallës, hap i rrezikshëm për aleatët ndërkombëtarë

Publikuar

nga

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi e quan të gabuar letrën e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për asociacionin.

Në një prononcim për media, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër përveç se nuk është adresuar në vendin e duhur, përmban gabim edhe në përmbajtje. Ajo potencoi se një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët ndërkombëtarë, pasi sipas saj nuk është e dakorduar në marrëveshjen e Ohrit.

“Adresimi është gabim, sepse i është adresuar presidentit apo kryetarit të Asamblesë Parlamentare dhe Asambleja Parlamentare tashmë e ka dhënë qëndrimin e saj me votë në sesion. Tani ky është vetëm një opinion që i është dorëzuar Komitetit të Ministrave, mirëpo nuk është opinion i obligueshëm për mendim në komitet të kryeministrave. Por, a e ka bërë këtë huq nga vetëdija apo mos dija ministrja Gërvalla, këtë nuk e di dhe nuk jam kompetente për ta thënë. Por, që ka bërë gabim në adresim – kjo është e sigurt”, tha Shoshi.

Ndër të tjera deputetja e PDK-së këtë veprim e sheh si “shfajësim për konsum të brendshëm dhe fajësim për konsum të jashtëm”. Ajo thotë se dërgimi i kësaj letre është një hap i rrezikshëm për aleatët tanë dhe se mund të acarojë edhe më tej marrëdhëniet.

“Aleatët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar që hapat konkretë apo të ardhshëm të merren me draft-statutin e asociacionit që kanë pranuar në marrëveshjen e Ohrit, me të cilën janë dakorduar. Pra, kjo letër e dërguar është po ashtu edhe në përmbajtje gabim. Sepse një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse nuk është e dakorduar në marrëveshjen ndërkombëtare, në këtë rast që është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj, e vlerësoj që edhe përmbajtja e letrës është gabim…Këtë e shoh më shumë si shfajësim për konsum të brendshëm dhe në fajësim për konsum të jashtëm, pra të shfajësohen brenda për brenda duke thënë se ‘ne e dërguam vendimin dhe dërguam një draft-statut. Mirëpo, unë vlerësoj që për aleatët tanë ky hap është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka mundësi që të acarojë edhe më tej marrëdhëniet që ka Republika e Kosovës”, tha Musliu-Shoshi.

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla tha sot se draft-statuti për asociacionin do të përmbushte obligimet ndërkombëtare dhe do të respektonte Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare, do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Gërvallës kjo letër zotimi nuk është e vonuar pasi po të konsideronin si të tillë do të dërgonin më herët.

Zëvendësministri i MPDJ-së, Kreshnik Ahmeti, tha se nëse në mbledhjen e nesërme të ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës s’ka gatishmëri për të përfshirë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, i njëjti mund të vendosë një datë të radhës se kur mund të bëhet një gjë e tillë.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendë më 17 maj, pasi sipas tij, letra ka ardhur me vonesë.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave. Disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova hapa konkretë drejt asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike të votojnë pro anëtarësimit të saj në KiE.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara