Aktualitet

​Përvjetori i vrasjes së Enver Maloku

Ai ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999 kur situata ishte e rënduar nga lufta.

Published

on

Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku.

Enver Maloku ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.

Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve. Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi Qendrën për Informim, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike. Gjakimi i Kosovës së pavarur, me rend demokratik e rezistencë të përgjithshme ndaj okupimit serb, është pakëputshëm peri që lidhi shkrimet e Malokut në Qendrën për Informim të Kosovës apo në gazetat e të përkohshmet e tjera në shqip në Kosovë e gjetiu.

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh. Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër.

Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. Në komentet e kohës kur u vra, u tha me të drejtë se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.

Me iniciativë dhe nën Patronatin e presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një monument.

Më 4 prill 2016, presidentja e Republikës së Kosovës, SHT Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësine e Kosovës.

Gjithashtu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhëri i Artë i Shqiponjës”.

Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”.

Lajmet

Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Continue Reading

Lajmet

Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House

Published

on

Studentët e programit Art dhe Media Digjitale të UBT-së u mirëpritën në Reporting House, të shoqëruar nga profesori dhe njëkohësisht kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi. Ky aktivitet pati për qëllim t’u ofrojë studentëve një përvojë të thellë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si artit bashkëkohor mund t’i shërbejë gazetarisë dhe dokumentimit historik.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të eksploronin ekspozitat dhe të njiheshin me rrëfimin e historisë së Kosovës gjatë viteve 1989–1999, i paraqitur nëpërmjet instalacioneve artistike, videove dokumentare dhe formateve vizuale kreative.

Pika kryesore e diskutimit ishte roli i artit si mjet për reflektim shoqëror dhe dokumentim historik, duke u fokusuar në mënyrën se si ekspozitat dhe instalacionet bashkëkohore mund të bëjnë historinë më të prekshme dhe të kuptueshme për publikun e sotëm.

Studentët shprehën interes dhe kuriozitet të veçantë për procesin krijues pas secilit projekt dhe diskutuan për sfidat që paraqet përcjellja e historive të ndërlikuara përmes artit dhe mediave digjitale.

Vizita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe gazetarëve, dhe mënyrën se si kjo bashkëpunim mund të sjellë perspektiva të reja për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Continue Reading

lajme

Gratë në politikë: Nga kuotat te fuqizimi real

Published

on

Autore: Eliza Hoti dhe Adile Muli – studente të vitit të parë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT

Përfaqësimi i grave në politikë mbetet një nga sfidat më të mëdha të shoqërive bashkëkohore, veçanërisht në vendet në tranzicion demokratik. Në Kosovë, barazia gjinore vazhdon të përballet me pengesa strukturore dhe kulturore, pavarësisht përpjekjeve ligjore për të garantuar pjesëmarrjen e grave.

Ligji parasheh kuotat gjinore dhe detyron partitë politike të sigurojnë të paktën 30 për qind përfaqësim të grave në listat zgjedhore, por shpesh kjo masë shihet si minimum formal, e cila nuk përkthehet gjithmonë në fuqizim të vërtetë të grave në vendimmarrje.

Gresa Muli, aktiviste politike dhe asambleiste nga Vushtrria, tashmë në mandatin e saj të tretë, thekson se situata mbetet sfiduese. Sipas saj, kuotat janë një derë hapëse, por shumë gra ende hasin vështirësi për të depërtuar në pozita vendimmarrëse pa u mbështetur nga detyrimi formal i ligjit.

“Gratë garojnë barabartë me burrat, por përgjegjësitë e tyre, sidomos ato familjare, janë më të mëdha. Megjithatë, shumë gra arrijnë të dalin përpara meshkujve, dhe kjo tregon kapacitetin e tyre të jashtëzakonshëm. Duhet më shumë hapësirë për gratë në vendimmarrje, sepse ato kanë aftësi reale për të kontribuar”, shprehet Muli.

Ajo shton se gratë zakonisht tregohen më pak të prekshme nga korrupsioni, një faktor i dëshmuar gjatë viteve në politikë dhe institucione. Për Mulin, e ardhmja duhet të shohë më shumë gra në poste të larta, si ministre, kryetare komunash, lidere partie dhe deputete që fitojnë vendet e tyre pa u bazuar në kuota, duke dëshmuar kështu fuqinë e barazisë gjinore në praktikë.

Profesori i shkencave politike në UBT, Avni Alidemaj ofron një perspektivë kritike ndaj mënyrës se si trajtohet përfaqësimi i grave në Kosovë. Ai thekson se shumë parti përzgjedhin gra në lista kryesisht për të përmbushur detyrimin ligjor, jo për aftësitë dhe përvojën e tyre reale.

“Shumica e grave në lista zgjedhore futen vetëm për hir të kuotës. Kur i përzgjedhim vetëm për këtë arsye, nuk kemi arritur të krijojmë barazi të vërtetë gjinore”, thekson profesori Alidemaj.

Ai shton se shoqëria kosovare ka ndryshuar ndjeshëm pas luftës. Në kontrast me periudhat e mëparshme, kur normat patriarkale dominonin, sot gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi për shkollim, pjesëmarrje profesionale dhe publike. Ky transformim po reflektohet gjithashtu në politikë, ku gratë mund të kontribuojnë në mënyrë më aktive dhe të ndikojnë në vendimmarrje.

Alidemaj vë në pah edhe një aspekt sociologjik: gratë tregohen më të ndjeshme ndaj korrupsionit, një fakt i lidhur me rolin e tyre tradicional si shtylla e familjes dhe bartëse të përgjegjësive morale. Duke marrë shembull vendet skandinave, ai argumenton se barazia gjinore e vërtetë arrihet kur gratë konkurrojnë dhe fitojnë pozita për meritë, jo për kuota: “Atje nuk ka kuota – kush është më i miri, fiton. Ne duhet të synojmë këtë nivel edhe në Kosovë”.

Deklaratat e aktivistes dhe profesorit nxjerrin në pah këtë: kuotat gjinore janë një hap fillestar i domosdoshëm, por jo një zgjidhje përfundimtare. Ato duhet të shihen si një fazë tranzicioni drejt një sistemi politik ku gratë vlerësohen për kapacitetin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre real.

 

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Nga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së

Published

on

Studentët e vitit të parë të drejtimit Media dhe Komunikim, pasi kanë përjetuar atmosferën në “Radio Kampus”, në “Media Grupin”, ku punohet me shumë entuziazëm e përkushtim të pashoq, sepse aty përjetohet lajmi, kronika, dhe gjithçka që duhet të dijnë e kuptojnë studentët për format e komunikimit, të mërkurën kanë realizuar edhe një vizitë tjetër.

Ata zhvilluan një vizitë në shtypshkronjën e UBT-së, ku mes tjerash bashkë me mentoren, Albina Zeneli patën mundësinë të njihen nga afër me proceset e printimit dhe prodhimit të materialeve të ndryshme mediale.

Vizita u fokusua në teknologjitë moderne të shtypshkronjës, mënyrat e përgatitjes së përmbajtjeve për botim dhe menaxhimin e procesit të prodhimit të materialeve të shtypura.

 

Aty i priti stafi i mrekullueshëm i UBT-së, që nuk hezituan të ju shpjegonin më në detaje punën që zhvillohet, në këtë vend kaq me rëndësi.

Një detaj i rëndësishëm ishte edhe mundësia për t’u njohur me mënyrën e punës dhe teknologjitë që përdoren në shtypshkronjën e UBT-së.

Studentët patën mundësinë të njihen me procedurat e botimit të materialeve të ndryshme, nga gazeta dhe revista, deri te botimet akademike, siç janë librat e profesorëve të UBT-së.

Ndryshe, ky aktivitet ju ofroi studentëve një përvojë praktike, duke lidhur teorinë e mësuar në klasë me realitetin profesional. /UBT News/

 

Continue Reading

Të kërkuara