Aktualitet

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të dytë në rastin e Salih Mustafës në Hagë

Më 4 tetor paraqitet dëshmitari i tretë.

Published

on

Dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës ka thënë gjatë se periudhës së luftës ka njohur edhe një person tjetër me emrin Salih, përveç Salih Mustafës, por mbiemrin e tij ka theksuar se nuk e mban mend. Sipas tij, të dy ishin pjesë e Brigadës 153.

Dëshmia e tij është dëgjuar edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ai i është i përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës e më pastaj edhe pyetjeve nga trupi gjykues dhe pyetjeve plotësuese të prokurorit.

Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokatit Julius Von Bone, ka thënë se gjatë luftës ka njohur dy persona me emrin Salih.

Avokati Von Bone: A e di që ka ndonjë person në atë brigadë me emrin Salih?

Dëshmitari: Kanë qenë dy Salih…njërit Salih, mbiemrin nuk ia di.

Avokati Von Bone: Ky personi tjetër ku ishte i vendosur ?

Dëshmitari: Ka mundur me qenë herë në bazë, herë në pika të caktuara, herë në bazë të skifterëve, herë të baza e Karadakut, herë në Llap, ka pasur lëvizje.

Avokati Von Bone: Ky Salihu, çfarë detyre i kishin ngarkuar këtij, nëse e di. E ke takuar personalisht ti këtë?

Dëshmitari: E kam takuar kur kemi ndejt.

Avokati Von Bone: Për çfarë ke diskutuar me të, profesionale apo lidhur me pozicionet tuaja?

Dëshmitari: Në mënyrë të thjeshtë, jo diçka, në kuptimin ushtarak jo nuk kam diskutuar asgjë me të.

Avokati Von Bone: E di cilin ka pasur epror ai?

Dëshmitari: Ma merr mendja që eprorët i ka pasur të Brigadës 153, ashtu mendoj që ashtu ka qenë, tash nuk e di.

Avokati Von Bone: Nëse takoheshe me të, ku takoheshe mund të na thuash në ç’vend?

Dëshmitari: Kam lëvizë, ai ka lëvizë, jam takuar ndonjë odë, konak, ku kemi qenë me qytetarë, jemi takuar e kam parë, e di që ka qenë, e kam njohur si figurë që ka qenë aty.

Avokati i Salih Mustafës, Julios Von Bone e ka pyetur dëshmitarin Ë04600 nëse në policinë ushtarake ka qenë ndonjë person me mbiemrin Metolli, por ai ka thënë se nuk i kujtohet diçka e tillë.

Avokati Von Bone: A të kujtohet nëse ka pasur ndonjë punonjës të policisë ushtarake me mjekër?

Dëshmitari: Jo nuk më kujtohet.

Avokati Von Bone: A e njeh një person me emrin Cula?

Dëshmitari: Culla, po.

Avokati Von Bone: Kush ishte?

Dëshmitari: Pseudonimin e ka pasur Culla.

Avokati Von Bone: Po emrin e vërtetë si e kishte?

Dëshmitari: Enver Krasniqi.

Avokati Von Bone: Çfarë pozite mbante, nga e njeh, nga ke dëgjuar për të?

Dëshmitari: E njoh prej kur ka ardhur si ushtar në brigadë në Zllashë atje e njoh, përpara nuk e kam njohur.

Avokati Von Bone: Si ushtar ku ishte i vendosur ai?

Ka qenë në brigadë 153, në Zllashë.

Tutje, avokati Von Bone ka pyetur dëshmitarin për Rrahman Dinin dhe raportet që i ka pasur me të, për çka dëshmitari ka thënë se Dini ishte shef i brigadës.

“Kemi biseduar për mënyrën e organizimit, jetën private të njerëzve tonë, familjeve tona, dhe kemi mundur me bisedu në mënyrë shoqërore, kemi ndejt, nuk është e thënë që ne kemi ndejt gjithmonë në front duke e pritur armikun, pro kemi ndejt edhe në mënyrë të lirë, kemi biseduar edhe jashtë kompetencave ushtarake, kemi ndejt nëpër oda, nëpër familje, në atë aspekt po them që kam ndejt më shumë me të”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa ka shtuar se me Rrahman Dinin nuk ka biseduar rreth çështjeve të sigurisë.

“Kur ka qenë nevoja kam diskutuar me Rrahman Dinin, me Fatmir Sopin, Sejdi Veseli, me çdo epror kur kam diskutuar kur ka qenë e nevojshme, kur nuk ka qenë e nevojshme nuk kam pasur nevojë me diskutua, kështu që nuk kam diskutuar se nuk kam pasur arsye për çka me diskutu me të”, ka thënë dëshmitari.

Pas pyetjeve të rregullta, avokati mbrojtës ka pasur pyetje plotësuese për dëshmitarin por seanca është zhvilluar e mbyllur.

Gjithashtu pyetjet e trupit gjykues kanë qenë në seancë private. Ndërsa pyetje shtesë ka pasur edhe prokurori.

“Sot gjatë pyetjeve të avokatit mbrojtës ti the se i ke njohur sy Salih në atë kohë, njëri ka qenë Salih Mustafa dhe i dyti mbiemrin e të cilit nuk e mban mend. Këtë Salihun e dytë e ke parë në atë zonë, në atë kohë gjithashtu… Me sa e di ti, ky Salihu tjetër a ka qenë anëtar i njësisë së skifterëve”, ka pyetur prokurori.

Në seancën në të cilën është dëgjuar dëshmitari i dytë i mbrojtur, i akuzuari Salih Mustafa ka marrë pjesë përmes video-lidhjes.

Dëshmitari Ë04600 ka dëshmuar për tre ditë në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën masa mbrojtëse të sigurisë ku identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin Ë01678 do të dëgjohet më 4 tetor 2021.

Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Published

on

By

Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?

Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.

Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.

Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte

Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/

 

Continue Reading

Aktualitet

Shpërthen dhuna pasi forcat meksikane të sigurisë vrasin bosin e kartelit të drogës “El Mencho”

Published

on

By

Vdekja e Nemesio Oseguera Cervantes, një prej trafikantëve më të kërkuar të drogës në botë, ka nxitur një valë çrregullimesh në disa shtete meksikane. Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në botë, bosi i kartelit meksikan i njohur si “El Mencho”, është vrarë nga forcat e sigurisë, ka konfirmuar ministria e mbrojtjes e Meksikës.

Operacioni shpërtheu një valë dhune, me makina të djegura dhe persona të armatosur që bllokuan autostradat në më shumë se gjashtë shtete. Lordi i drogës, emri i vërtetë i të cilit është Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, u vra të dielën në shtetin perëndimor të Jalisco-s së bashku me të paktën gjashtë bashkëpunëtorë të dyshuar, tha ministria në një deklaratë. 59-vjeçari ishte udhëheqësi i një bande që në vitet e fundit ishte bërë organizata kriminale më e fuqishme dhe më famëkeqe e Meksikës: Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG).

Edhe pse më pak i famshëm ndërkombëtarisht se karteli Sinaloa i Joaquín “El Chapo” Guzmán tashmë të burgosur, grupi i Jalisco-s është një emër i njohur në çdo shtëpi në Meksikë, ku është famëkeq për shfaqjet e tij të dhunës ekstreme dhe arsenalin e tij të madh të stilit ushtarak.

Katër anëtarë të kartelit u vranë në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë vdiqën gjatë transportimit me avion drejt Meksiko Sitit, mes tyre edhe El Mencho. Dy anëtarë të dyshuar të kartelit u arrestuan me armë që përfshinin lëshues raketash të aftë për të rrëzuar avionë dhe për të shkatërruar mjete të blinduara.

Pamjet e publikuara në një gazetë rajonale, El Occidental, treguan skena të asaj që dukej të ishte luftim i rëndë në Tapalpa, e cila ndodhet në vargmalin Sierra Madre të Meksikës. Tre trupa u plagosën gjatë operacionit dhe u transportuan gjithashtu në kryeqytet për trajtim, shtoi ministria. Një zyrtar i shtetit të Jalisco-s, i cili kërkoi anonimitetin, i tha më vonë Associated Press se një anëtar i Gardës Kombëtare vdiq në Tapalpa gjatë operacionit, gjashtë anëtarë të tjerë të Gardës Kombëtare vdiqën në Zapopan, një roje burgu u vra në një burg në Puerto Vallarta kur të burgosurit u revoltuan, dhe një agjent nga zyra e prokurorit të shtetit të Jalisco-s u vra në Guadalajara.

Detaje të mëtejshme nuk ishin menjëherë të disponueshme. Ministria e mbrojtjes tha se autoritetet e SHBA-së kishin dhënë “informacion plotësues” që kishte kontribuar në suksesin e operacionit. Vrasja e El Mencho-s shkaktoi një shpërthim të menjëhershëm çrregullimi në të gjithë rajonin që ai sundonte, duke shfaqur ndikimin e tij të madh në të gjithë Meksikën dhe pjesë të tjera të Amerikës Latine.

Trazirat detyruan linjat ajrore amerikane dhe kanadeze të anulonin dhjetëra fluturime. Air Canada njoftoi se po pezullonte fluturimet drejt Puerto Vallarta “për shkak të një situate sigurie në vijim” dhe këshilloi klientët të mos shkonin në aeroport. Të dielën, bllokada “narkotike” të bëra nga makina, autobusë dhe kamionë në flakë mund të shiheshin në të paktën tetë shtete meksikane: Jalisco, Guanajuato, Nayarit, Michoacán, Colima, Guerrero, Tamaulipas dhe Zacatecas. Pamjet video treguan retë e mëdha të tymit që ngriheshin në qiell mbi Puerto Vallarta, një qytet turistik popullor në bregun perëndimor të Meksikës i njohur për plazhet e tij spektakolare të Oqeanit Paqësor.

Kishte skena kaosi në kryeqytetin e Jalisco-s, Guadalajara – një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026 – ndërsa pasagjerët e panikosur në aeroport vraponin për t’u mbrojtur, dukshëm duke u frikësuar nga sulmet hakmarrëse prej luftëtarëve të El Mencho-s. Burra të armatosur u panë duke djegur automjete në zemër të qytetit. Një video e postuar në mediat sociale tregoi një grup burrash të armatosur rëndë duke i vënë flakën një stacioni benzine në Guadalajara pasi mbërritën me një makinë të bardhë. Deri të dielën mbrëma, Guadalajara u kthye në një qytet fantazmë ndërsa civilët u mbyllën brenda. Shkolla u anulua të hënën në disa shtete. SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e El Mencho-s, i cili akuzohej për kontrabandimin e sasive të mëdha të kokainës, fentanylit dhe metamfetaminës përtej kufirit të saj jugor.

Karteli i El Mencho-s, i cili u themelua rreth 16 vjet më parë dhe ishte bërë grupi kriminal më me ndikim në Meksikë, akuzohej gjithashtu për tentativë vrasjeje të zyrtarëve të qeverisë meksikane. Zyrtarët e lartë të SHBA-së festuan vrasjen e El Mencho-s, e cila pason muaj të tërë presioni nga Donald Trump lidhur me fluksin e drogës dhe migrantëve përgjatë kufirit prej 3,145 km mes dy vendeve. Presidenti i SHBA-së madje ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër karteleve për të cilët ka pretenduar se “po drejtojnë Meksikën”. Duke shkruar në X, Christopher Landau, zëvendëssekretari i shtetit, e quajti El Mencho-n “një nga krerët më gjakatarë dhe më të pamëshirshëm të drogës”. Ai postoi: “Ky është një zhvillim i shkëlqyer për Meksikën, SHBA-në, Amerikën Latine dhe botën”.

Rrethanat e sakta të vrasjes së El Mencho-s, të cilën analistët e quajtën goditjen më të madhe ndaj karteleve të Meksikës në më shumë se një dekadë, mbetën të paqarta të dielën. Ministria e mbrojtjes tha se trupat e forcave speciale nga ushtria dhe garda kombëtare kishin nisur një operacion në Tapalpa, një qytet rreth 80 milje në jugperëndim të kryeqytetit të shtetit Jalisco, Guadalajara, për të kapur lordin e drogës në kërkim, me mbështetjen e forcave ajrore dhe inteligjencës ushtarake.

Gjatë kësaj kohe, megjithatë, “personeli ushtarak ra nën sulm” dhe u kundërpërgjigj. Ambasada e SHBA-së në Meksikë tha se operacioni u krye nga forcat speciale meksikane “në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, me autoritetet amerikane që siguruan inteligjencë plotësuese”. Task-forca e Përbashkët Ndërinstitucionale Kundër-Kartel, e cila specializohet në mbledhjen e inteligjencës mbi kartelet e drogës, luajti një rol në bastisjen ushtarake, tha një zyrtar i mbrojtjes së SHBA-së për Reuters. Task-forca u lançua në heshtje fundin e vitit të kaluar me qëllimin për të hartuar rrjetet e anëtarëve të kartelit të drogës në të dy anët e kufirit SHBA-Meksikë, thanë zyrtarët amerikanë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti “El Mencho-n” një trafikant kryesor të “fentanylit në atdheun tonë”, duke shtuar se ai kishte qenë një objektiv kryesor për qeverinë e SHBA-së. Ajo konfirmoi se SHBA-ja kishte ofruar “mbështetje të inteligjencës” për Meksikën për të ndihmuar në operacion.

Ndërsa trazirat u rritën, guvernatori i shtetit të Jalisco-s, Pablo Lemus Navarro, u kërkoi 8 milionë qytetarëve të tij të qëndronin në shtëpi “derisa situata të kthehej nën kontroll”. Lemus tha se shërbimet e transportit publik po pezulloheshin dhe se njerëzit nuk duhet të udhëtonin në rrugët e shtetit për shkak të “ngjarjeve të dhunshme” që ishin përhapur në të paktën pesë pjesë të vendit. Ambasada e SHBA-së në Meksiko Siti lëshoi gjithashtu një alert sigurie, duke u kërkuar qytetarëve amerikanë në shtetet Jalisco, Tamaulipas, Michoacan, Guerrero dhe Nuevo Leon të “strehoheshin në vend” në rajonet e prekura si rezultat i “operacioneve të sigurisë dhe bllokimeve rrugore e aktiviteteve kriminale të lidhura me to”.

Qeveria e Kanadasë tha: “Grupet kriminale kanë ngritur bllokada rrugore me automjete që digjen në disa qytete në shtetin Jalisco… Ka pasur shkëmbime zjarri me forcat e sigurisë dhe shpërthime… Nëse jeni [atje] mbani një profil të ulët [dhe] monitoroni mediat lokale dhe ndërkombëtare për të qëndruar të informuar mbi situatën që po evoluon shpejt”.

Duke reaguar ndaj sulmeve pas vrasjes së El Mencho-s, Landau shkroi në X: “Po ndjek skenat e dhunës nga Meksika me trishtim dhe shqetësim të madh. Nuk është e habitshme që të këqijtë po përgjigjen me terror. Por ne nuk duhet të humbasim kurrë gjakftohtësinë tonë”. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha: “Ka koordinim absolut me qeveritë e të gjitha shteteve; duhet të qëndrojmë të informuar dhe të qetë. Llogaritë e mediave sociale të kabinetit të sigurisë ofrojnë përditësime të vazhdueshme. Aktivitetet po vijojnë normalisht në pjesën më të madhe të vendit.”

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati

Published

on

By

Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës. /REL/

Continue Reading

Kronikë e zezë

Aksident trafiku me fatalitet në Fushë Kosovë

Published

on

By

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në Fushë Kosovë, sipas Raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, një burrë, derisa po drejtonte një automjet me targa vendore, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësor, po ashtu burrë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti është duke u hetuar.

Continue Reading

Të kërkuara