Aktualitet

​Për tre muaj u regjistruan 2 mijë e 722 ndërmarrje ekonomike

Krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie për 4.0% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë të këtij viti, ku thuhet se gjatë kësaj kohe janë regjistruar 2 mijë e 722 ndërmarrje dhe krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie për 4.0% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje për 9.8% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 543 ndërmarrje të regjistruara (19.9%); Prodhimi me 345 ndërmarrje të regjistruara (12.7%); Ndërtimtaria me 306 ndërmarrje të regjistruara (11.2%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 281 ndërmarrje të regjistruara (10.3%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 276 ndërmarrje të regjistruara (10.1%), etj.

“Ndërkaq sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se: me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 650 ndërmarrje të regjistruara (97.4%); me 5 deri 9 të punësuar janë 60 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar 10 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 2 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor. Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 824 ndërmarrje të regjistruara (30.3%); Prizreni me 223 ndërmarrje të regjistruara (8.2%); Ferizaj me 217 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); Gjilani me 148 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); Peja me 130 ndërmarrje të regjistruara (4.8%); dhe Gjakova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.6%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Aktualitet

SHBA dhe Irani përshkallëzojnë sulmet për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

By

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndërmarrë një valë sulmesh kundër Iranit për të gjashtën natë radhazi, përgjatë një përplasjeje ushtarake për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se sulmet kishin për qëllim “të zvogëlonin më tej aftësitë ushtarake iraniane”, ndërsa konfirmoi gjithashtu se ka hipur në një anije si pjesë e bllokadës së porteve iraniane. Në anën tjetër, mediat shtetërore dhe autoritetet provinciale të Iranit raportuan se sulmet amerikane goditën infrastrukturën civile, duke përfshirë ura, një stacion treni dhe një aeroport. BBC Verify ka konfirmuar sulmin mbi një urë në perëndim të Bandar Abbas-it në provincën Hormozgan.

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) deklaroi se është hakmarrë duke goditur pikat e radarëve të vëzhgimit detar të SHBA-së në Oman, si dhe objektiva në Kuvajt dhe Bahrejn. Ky korpus pretendoi gjithashtu se ka sulmuar një qendër komande të operacioneve speciale të SHBA-së në Al-Tanf të Sirisë, pranë kufirit me Jordaninë, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së ushtarëve iranianë dy ditë më parë. Për këtë pretendim nuk ka pasur asnjë koment nga Siria apo SHBA-ja.

Autoritetet e Kuvajtit njoftuan se sulmet iraniane goditën stacionet e prodhimit të energjisë dhe të shkripëzimit të ujit, duke shkaktuar dëme materiale, një zjarr dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkaq, ushtria e Jordanisë bëri të ditur se ka rrëzuar tre raketa iraniane, pa raportuar për viktima apo dëme.

Në Kurdistanit Irakian, tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në qytetin e Sulaymaniyah-s në orët e para të mëngjesit, sipas agjencisë kurde të lajmeve Rudaw dhe Agence France-Presse. Forcat kurde ia faturuan këtë sulm Iranit, ndërsa njoftuan veçmas se kanë rrëzuar edhe tetë dronë mbi qytetin e Erbit, pa pasur viktima.

Ngushtica e Hormuzit – një rrugë ujore kritike përgjatë bregdetit të Iranit, të cilën Teherani e bllokoi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit – mbetet e mbyllur. Kjo situatë ka ndikuar në qarkullimin e naftës nga rajoni, gjë që shtyu kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, të shprehë shqetësimin për furnizimet globale me energji nëse situata nuk përmirësohet në javët e ardhshme.

Gjatë ditës së premte, ministrat e jashtëm të Kinës dhe Pakistanit bënë thirrje që SHBA-ja dhe Irani të ndërpresin luftimet dhe të rifillojnë negociatat. Ndërkaq, sulmet amerikane të natës së fundit goditën gjithashtu pranë ishullit Qeshm, si dhe në qytetet bregdetare jugore Bandar Abbas dhe Bushehr, ku ndodhet edhe një central bërthamor. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Seanca konstituive pritet të mbahet në fillim të gushtit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive për formimin e institucioneve të reja të vendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, duke shtuar se afati kushtetues për këtë është deri më 7 gusht.

Haxhiu deklaroi se u ka dhënë kohë subjekteve politike për të arritur një marrëveshje para thirrjes së seancës, me qëllim që pas konstituimit të Kuvendit të mos pritet afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri dhe të shmanget shkuarja e sërishme në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas saj, kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për takime, mirëpo LDK i ka pezulluar negociatat, PDK ka mbajtur qëndrimin e vet, ndërsa AAK nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Haxhiu theksoi se gjetja e një zgjidhjeje është e rëndësishme për stabilitetin e shtetit dhe qytetarët.

Ajo paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të bëhen të dita data dhe ora e saktë e mbajtjes së seancës, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë 120 deputetëve, ashtu siç përcaktohet me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Policia heton dy raste të vdekjes në rajonin e Mitrovicës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka iniciuar dy raste të cilësuara si “hetim mbi vdekjen” gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Mitrovicës, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete në lokacione të ndryshme.

Rasti i parë ka ndodhur në Sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicën e Jugut, ku një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Pasi viktima nuk ishte lajmëruar paraprakisht në telefon, dera e banesës u hap me asistencën e zjarrfikësve, me ç’rast ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e saj.

Rasti i dytë është raportuar në fshatin Gracë të Vushtrrisë.

Familjarët kanë njoftuar policinë se kanë gjetur pa shenja jete një burrë. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Për të dyja rastet, me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Policia heton një rast të vetëvrasjes në Gjilan

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të cilësuar si “vetëvrasje” në Gjilan, pasi një person është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti vazhdon të hetone nga policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara