Lajmet

​Për dy muaj regjistrohen mbi 220 raste të reja me kancer

Kurtishi në një intervistë për KosovaPress thotë se është rritur numri i pacientëve të prekur me sëmundje malinje.

Published

on

Në Klinikën e Onkologjisë, vetëm gjatë muajve janar dhe shkurt janë regjistruar 220 deri në 230 raste të reja me kancer.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress thotë se është rritur numri i pacientëve të prekur me sëmundje malinje. Sipas onkologut, mbeten brengosëse rastet që lajmërohen me vonesë për trajtim në klinikë.

“Numri i pacientëve ka ngritje nga viti në vit, dhe vetëm gjatë muajve janar dhe shkurt ne kemi regjistruar rreth 220-230 raste të reja, që i bie të ketë rritje të sëmundjeve malinje nga viti paraprak, meqenëse në vitin 2020 e kemi mbyllur me 10%-12% raste më shumë sesa në vitin 2020. Ky trend i rritjes me sëmundje malinje, ne lutemi që të mos vazhdojë, por në bazë të të gjitha të dhënave dhe shënimeve që ne i disponojmë, ky trend vazhdon të ngritët dhe kjo është shqetësuese pasi që ka edhe raste, të cilat lajmërohen në klinikë tek zakonisht janë pak më të vona, ku trajtimi i sëmundjes është pak më i vështirë”, thotë Kurtishi.

Brenda 24 orëve, numri i pacientëve që marrin shërbime në Klinikën e Onkologjisë arrin deri në 400, e që siç thotë Kurtishi, të gjithë këta marrin shërbimet e nevojshme.

“Ne trajtojmë ‘tumoret solit’ tek të gjithë personat, pra tumorët johematologjik dhe numri i pacientëve të cilët e frekuentojnë Klinikën e Onkologjisë brenda 24 orëve kap shifrën deri në 400 persona. Rreth 200-250 persona marrin shërbime të kimioterapisë ose onkologjisë mjekësore dhe rreth 120-130 pacientë bëjnë shërbime të rrezatimit së bashku me shërbimet tjera që ne i kemi në klinikë siç është shërbimi i transfuzionit dhe shërbimet tjera të hospitalizimit të pacientëve”, shprehet ai.

Drejtori i Onkologjisë apelon për kujdes nga faktorët që rrezikojnë shëndetin e njeriut, e që mund të kenë ndikim edhe në shfaqjen e kancerit.

“Realisht faktorët që ndikojnë janë të ndryshëm, pasi që edhe sëmundja është multifaktoriale, por ne kemi disa faktorë, të cilët mund të ndikojnë, dhe disa faktorë që nuk mund të ndikojnë. Ndikon stili i jetës, kequshqyerja ose ushqimi i pasur shumë me sheqer e yndyra, kripëra dhe me mish të fërguar, pastaj mungesa e aktiviteti fizik, ekspozimi i rrezeve të diellit, disa infeksione virale, bakteriale si dhe faktor shumë dominonte tek sëmundjet malinje është tek sinuset e mushkërive, konsumimi i duhanit, alkoolit, përdorimi i kontraceptivëve tek femrat si dhe këtu ju bashkëngjitën dhe faktorët trashëgues që ne i kemi, trashëgimia, mosha dhe gjinia. Në këtë mënyrë sëmundja është multifaktoriale, por kjo nuk do të thotë që ne t’i largohemi të gjithë këtyre faktorëve dhe të mos kemi sëmundje malinje, por ato mund të shfaqen, por është evidente që nëse i largojmë këta faktorë impakti i shfaqjes së sëmundjes është më i vogël”, thekson onkologu.

E gati çdo i dyti pacient që ka shkuar për trajtim në Klinikën e Onkologjisë, është lajmëruar me konornavirus.

Kurtishi thotë se është fat i mirë që shumë nga ta, këtë sëmundje e kanë përballuar si një grip të zakonshëm.

“Realisht një numër të saktë nuk kemi, mirëpo në bazë të të dhënave dhe lajmërimit të pacientëve të cilët trajtohen në Klinikë të Onkologjisë, mund të themi që gati çdo i dyti pacient, i cili është lajmëruar në klinikë tek ne, sidomos këto dy-tre muajt e fundit me valën e re të COVID-it, kanë qenë të infektuar me COVID, mirëpo fati i mirë i gjithë kësaj është që shumica apo të gjithë e kanë përballuar sëmundjen si një grip të zakonshëm… Realisht, e kemi menduar si shumë problem , pasi që janë kategorizuese që pacientët me kancer në grupin e katërt të atyre të cilët mund të përfundojnë me fatalitet, kjo ka qenë në vitin 2020, mirëpo forma fillestare e COVID-it, edhe atëherë pacientët onkologjikë e kanë përballuar lehtë sëmundjen, por kohëve të fundit sidomos me valën e re dhe me omikron kjo gati është bërë si një grip i zakonshëm dhe shumica e pacientëve onkologjikë, sidomos ata që kanë qenë në trajtim onkologjikë e kanë kaluar infeksionin me COVID si një grip të zakonshëm”, thotë ai.

Ndonëse ka numër të madh të pacientëve me sëmundje malinje në vendin tonë, Kurtishi tregon se shumica prej tyre marrin shërbime falas, me standarde botërore, me staf të kualifikuar në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë. 

Lajmet

REL: SHBA mirëpret marrëveshjen për Ligjin për të huajt, përmend nevojën e konsultimit me komunitetin serb

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe ka theksuar që çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, që ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.

Vendimi është bërë publik pas një takimi të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht.

Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.

Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.

Kryeministri Kurti ka thënë se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.

Këto lehtësira janë mirëpritur nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të martë me 79 vota shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit.

Gjatë votimit pati një abstenim të cilin e votoi Redi Muçi. Nuk pati asnjë votë kundër ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë pas vendimit për bojkot.

Votimi:

79 vota pro

1 abstenim- Redi Muçi

0 kundër

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancë u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një shtet i lëkundur në këtë luftë dhe anën e shtetit të së drejtës. Balla rikujtoi edhe sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke e cilësuar akt armiqësor. Ndër të tjera, Balla theksoi se synojnë të dënojnë çdo formë të mbështetjes së agresionit.

Ai gjithashtu u kërkoi kolegëve të votojnë që ta shpallin Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste. Pas votimit seanca plenare përfundoi. /Euronews/

Continue Reading

Lajmet

Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.

“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.

Continue Reading

Lajmet

Bagdad: Sulm intensiv me dronë ndaj Ambasadës së SHBA-së

Published

on

By

Raketa dhe të paktën pesë dronë janë lëshuar drejt ambasadës së SHBA-së në Bagdad herët të martën nga zona të ndryshme rreth qytetit. Burimet irakiane të sigurisë e kanë përshkruar këtë sulm si më intensivin që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

Një dëshmitar i agjencisë Reuters pa të paktën tre dronë që lëviznin në drejtim të ambasadës. Sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM arriti të rrëzonte dy prej tyre, ndërsa një i tretë goditi brenda rrethimit të ambasadës, ku u panë flakë dhe tym.

Telefonat celularë të ambasadës amerikane ishin të fikur kur Reuters tentoi të kërkonte një koment. Milicitë e mbështetura nga Irani kanë sulmuar interesat amerikane në Irak si hakmarrje për luftën që filloi më 28 shkurt.

Të hënën, grupi i lidhur me Iranin, Kataib Hezbollah, njoftoi vdekjen e komandantit të tij të lartë dhe zëdhënësit. Ndërkohë, Forcat e Mobilizimit Popullor deklaruan se sulmet ajrore vranë të paktën tetë luftëtarë të tyre në qytetin irakian Al-Qaim, pranë kufirit me Sirinë.

Forcat irakiane të sigurisë janë vendosur në pjesë të ndryshme të kryeqytetit dhe kanë mbyllur “Zonën e Gjelbër” të fortifikuar të Bagdadit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike, përfshirë ambasadën e SHBA-së. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara