Lajmet

​PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë shkeljet në Ministrinë e Infrastrukturës

Ajo ka theksuar se raporti flet për parregullsi e afera korruptive.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të hetojë rastet e aferave në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja Blerta Deliu-Kodra në seancë plenare ka përmendur, siç tha ajo, shkeljet që janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri. Ajo ka theksuar se raporti flet për parregullsi e afera korruptive.

Në deklarimin jashtë rendit të ditës, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka folur për gjetjet e auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Tre muaj më parë, PDK përmes një konference të jashtëzakonshme për medie kishte prezantuar 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një-burimore në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, që tre muaj më pas pretendimet tona për paligjshmëri e dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri e për më keq raporti i saj është i kualifikuar, për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se në këtë raport thuhet se janë gjetur mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, në realizimin e shërbimeve jashtë kontratës, tejkalim të pagesave për kontrata publike dhe vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime.

“Auditori i brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që të anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës, pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se është i manipuluar, është i kurdisur dhe madje është i koordinuar me operatorin ekonomik që është konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiare për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Ndërkohë që kemi parë së fundmi që mediat kanë nxjerrë përgjime të cilat shfaqin dyshime për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ndërlidhet me rrugën Dollc-Gjakovë dhe zyrtari i kompanisë… dëgjohej duke kërkuar ryshfet në lidhje me kryerjen e disa punimeve shtesë”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se realizimi i këtij projekti është vonuar tejmase. Deliu-Kodra deklaroi se PDK i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këto raste në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë t’i hetojë këto afera dhe këtë ministri. Dhe të zbardh natyrisht të vërtetat që zyrtarët e kësaj qeverie i kanë mohuar, madje të njëjtit nuk i kanë pranuar. Një raport i kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit është bazë kryesore, është bazë e mjaftueshme, e vetme që më në fund Prokuroria të veprojë e kryeministri të merr masa dhe të shkarkojë ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Në rend të ditës është edhe debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Lajmet

Sot nafta 1.64 euro, benzina 1.39 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për datën 23 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë: Nafta (dizel): 1.64 euro për litër Benzina: 1.39 euro për litër; Gasi: 0.87 euro për litër.

MINT ka njoftuar qytetarët se për çdo parregullsi apo ankesë lidhur me çmimet në treg, mund të adresohen në emailin zyrtar të departamentit të konsumatorit ose përmes numrit të telefonit pa pagesë.

Këto çmime po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, kryesisht si pasojë e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve të vazhdueshme nga konflikti mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve edhe në tregun tonë.

Continue Reading

Lajmet

Rahoveci drejt një qendre moderne për art dhe inovacion

Published

on

Në Rahovec po vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion, një projekt që synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore për zhvillimin e jetës kulturore dhe kreative në qytet. Kjo qendër pritet t’u shërbejë artistëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit artdashës, duke ofruar kushte më të avancuara për krijimtari, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.

Me një investim që tejkalon 3 milionë euro, projekti synon të forcojë infrastrukturën kulturore në Rahovec dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e artit dhe inovacionit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Kapen të dyshuarit që vodhën cigaret elektronike nga vetura në Vushtrri

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.

Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Continue Reading

Lajmet

Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të boksit

Published

on

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.

Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara