Lajmet

​Partitë pa koalicione, LVV në pritje të Osmanit, Nisma i thotë jo listës së PDK-së

Published

on

Partitë e mëdha politike po e vlerësojnë të arsyeshme mosarritjen e koalicioneve parazgjedhore me parti më të vogla. Shfrytëzimi i platformës dhe fuqisë politike të partive të mëdha, po konsiderohet ndër arsyet se PDK refuzoi bashkëpunimin me Nismën. Por, kjo për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është problem për të garuar në një listë të përbashkët me iniciativën politike të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, në partinë e Fatmir Limajt, pas refuzimit të PDK-së, thonë se nuk ka kohë më për eksperimente në lista të përbashkëta dhe se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojnë të vetëm. Kurse në AKR shprehen se nga ana e tyre ka pasur vullnet për koalicion klasik parazgjedhor me LDK, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e pranueshme nga LDK.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se forma dhe modaliteti i bashkëpunimit me Vjosa Osmanin është në proces dhe i njëjti do të garantojë shumicë parlamentare pas zgjedhjeve.

“Ne kemi treguar se jemi të hapur për koalicione në kuptimin e bashkëpunimit me faktorë të rëndësishëm politikë. Tashmë ka një modalitet të bashkëpunimit të tillë me Alternativën dhe znj. Kusari-Lila. Ngjashëm ka një vullnet, disponim dhe gatishmëri, për një bashkëpunim edhe me znj. Osmani dhe nismën e saj, për çka ka një proces në zhvillim e tutje mbi formën apo modalitetin e konkretizimit të tij. Bashkëpunimi jonë më të tjerë është i bazuar mbi logjikën e qëllimeve të përbashkëta dhe mirëbesimit të ndërsjelltë që edhe synon edhe garanton shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, që përfundimisht mundëson kapërcimin e madh dhe ndryshimin e nevojshëm për vendin tonë”, u shpreh Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Në PDK thonë se elektorati i tyre nuk ka pasur vullnet për koalicion parazgjedhor me Nismën. Zëdhënësi i partisë, Avni Bytyçi thotë për KosovaPress se Nisma Socialdemokrate dhe partitë e tjera të vogla, janë në shuarje e sipër dhe se ata kanë menduar përmes koalicioneve parazgjedhore të shpëtojnë veten.

“Nga viti 2017 shumë parti politike, duke përfshirë edhe Nisma Socialdemokrate dhe AAK-ja e kanë shfrytëzuar platformën dhe fuqinë tonë politike për t’u rritur. Nuk ka pas as vullnet dhe dëshirë që PDK-ja kësaj radhe të ofrojë hapësirën për parti tjera, e kemi bërë të qartë se PDK-ja garon për qytetarët me një platformë dhe kandidat, i cili besoj që është kandidati më i mirë se të tjerët. Nisma Socialdemokrate, AKR dhe parti tjera duket se janë në shuarje e sipër, nëse ata kanë menduar se përmes koalicionit parazgjedhor me PDK-në të shpëtojnë veten, kjo ka qenë kalkulim i gabuar. Në fund ne jemi parti politike dhe garojmë për vota dhe mbështetjen e qytetarëve”, tha ai.

Por, anëtari i kryesisë së Nismës, Zafir Berisha u shpreh kritik ndaj PDK-së duke thënë se ka munguar vullneti nga ana e tyre për koalicion parazgjedhor, derisa thekson se nuk ka asnjë mundësi që Nisma të përfshihet në listën zgjedhore të PDK-së.

“Nuk ka, ne sot sapo e përfunduam mbledhjen me kryetarët e degëve. Deri të premten e kemi listën gati prej 110 kandidatëve. Nuk ka më kohë të eksperimenteve të njerëzve të cilët nuk kanë treguar përgjegjësinë e duhur në këto rrethana”, thotë ai.

Ndërkaq, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli u shpreh për KosovaPress se kanë insistuar për koalicion parazgjedhor klasik me LDK-në, mirëpo të njëjtin nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.

“Kërkesa jonë ka me qenë me shkua në atë koalicionin klasik, mirëpo kërkesa tjetër nga LDK-ja ka qenë që ne të hymë në listë, e cila është vendosur dje. Kohën e fundit kemi pas kontakte dhe diskutime, mirëpo është vendosur në fund që ne të jemi në listën e LDK-së dhe do të marrim në zgjedhje ashtu”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme në vend pritet të mbahen më 14 shkurt, ndërsa partitë politike kanë kohë deri të shtunën në orën 18:00 për dërgimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara