Lajmet

​Osmani për “kornizën e re” të dialogut: Idetë që nuk sjellin njohje reciproke nuk kontribuojnë për paqe afatgjatë

Presidentja Novak ofroi mbështetjen për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se idetë ose gjysmë zgjidhjet që nuk kontribuojnë në arritjen e njohjes reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk sjellin paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologen e saj hungareze, Katalin Novak, Osmani, tha se mirëpresin përkushtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macorn për dialogun dhe paqen në rajon.

Ajo tha se vizita e dy këshilltarëve franko-gjermanë tregon qëllimin për dinamizëm të procesit të dialogut.

Duke folur për paralajmërimin për një “kornizë të re” të dialogut Kosovë-Serbi për të cilën deri më tani ka folur vetëm presidenti serb Aleksandër Vuçiq por pa dhënë shumë detaje, Osmani tha se qëndrimi i Kosovës mbetet i njëjtë se vetëm njohja reciproke është zgjidhja përpara.

Ne i falënderojmë kancelarin Scholz dhe presidentin Macron për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Fakti që ekipet e tyre më të afërta merren me paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë tregon përkushtimin e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Sa i përket asaj që po diskutohet, natyrisht vet ardhja e tyre në Kosovë kishte për qëllim dinamizmin e procesit. Kosova edhe një herë iu ka dëshmuar të gjithë partnerëve tanë brenda BE-së, por edhe jashtë BE-së, veçanti ShBA-së që ne jemi pala konstruktive në këtë proces, pala që gjithnjë ka vazhduar të bëjë propozime që sjellin paqe dhe stabilitet në rajon. Por çdo zgjidhje duhet të jetë për paqe dhe stabilitet afatgjatë sepse gjysmë zgjidhjet ose idetë të cilat nuk kontribuojnë drejt njohjes reciproke asnjëherë nuk mund të kontribuojnë as në paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Andaj qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që keni qëndruar vazhdimisht, ai që është rikonfirmuar edhe në letrat e presidentit Biden dhe deklaratat publike të kancelarit Scholz, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, njohja reciproke sjell paqen dhe stabilitetit afatgjatë”, tha ajo.

Për dialogun Kosovë-Serbi, foli edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, e cila tha se i njëjti duhet të vazhdojë dhe se palët duhet të kërkojnë zgjidhje kompromisi.

Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, normalisht se duhet të vazhdohet dhe është me rëndësi që ky mos të ndalet. Palët negociuese duhet të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të arrijnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni. Sidomos tash kur ka luftë në Ukrainë dhe është me rëndësi që dialogu të vazhdojë. Është e qartë se ka lehtësues të dialogut, roli i të cilëve është të gjejnë kompromisin, por qëllimi duhet të vjen nga palët negocuese që kërkojnë zgjidhje”, vijoi ajo.

Krahas kësaj, presidentja Novak ofroi mbështetjen për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Ndërkohë, theksoi se do të bëjë çmos që Bashkimi Evropian të jep dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën kemi qenë në favor të saj që prej ditës së parë. Duam që ato të hiqen sa më shpejtë që është e mundur, zonja presidente mund të llogarisë tek unë. Ne do të bëjmë çdo gjë në fuqinë tonë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sa më shpejtë që është e mundur”, theksoi Novak.

Lidhur me liberalizimin e vizave, presidentja Vjosa Osmani tha se Bashkimi Evropian duhet t’i mbajë premtimet e veta dhe se i njëjti duhet të ndodh gjatë këtij viti, nën presidencën çeke.

Kosova vërtet të ketë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj gjatë këtij viti, presidencës ceke. Është koha që edhe Bashkimi Evropian t’i mbajë premtimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, Osmani, përsëriti aspiratat e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në këtë organizatë multilaterale evropiane.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara