Lajmet

​Osmani në takim me kryeministren e Bangladeshit, kërkoi mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Bangladeshit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në New York ka takuar kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed.

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë vlerësuar miqësore, teksa Presidentja Osmani ka theksuar domosdoshmërinë e avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Në përpjekjen e Kosovës për konsolidimin e pozitës ndërkombëtare, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e sheh Bangladeshin një aleat, ndaj kërkoi ndihmën e këtij shteti për njohje nga vendet fqinje të tij.

Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Bangladeshit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të bëj përpjekje për rritjen e shkëmbimit tregtar me këtë shtet.

Në takim me znj. Sheikh Hasina u diskutua edhe për një sërë marrëveshjes, të cilat pritet të nënshkruhen ndërmjet dy shteteve, në mesin e të cilave edhe ajo për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.

Live

Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Letonisë, reagon NATO

Published

on

Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë njoftoi se avionët ushtarakë rusë shkelën shkurt hapësirën ajrore lituaneze sonte, duke shkaktuar një reagim të shpejtë nga avionët e NATO-s që ndodheshin në patrullën rutinë.

“Forcat tona vepruan shpejt me ndihmën e avionëve luftarakë të NATO-s në patrullë. Lituania është e fortë dhe gati. Çdo centimetër e vendit tonë është e mbrojtur”, njoftoi ministria në X.

Presidenti Gitanas Nauseda e dënoi ashpër incidentin duke thënë se paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit territorial të Lituanisë.

Dy aeroplanët, një luftarak Su-30 dhe një cisternë karburanti Il-78, me shumë gjasa ishin në një mision stërvitjeje për furnizim me karburant kur fluturuan 700 metra në Lituani nga rajoni i Kaliningradit, tha ushtria.

Ata qëndruan mbi hapësirën e Lituanisë ​​për 18 sekonda. Kryeministrja lituaneze, Inga Ruginiene, tha në Facebook se incidenti tregon edhe një herë se Rusia po sillet si një shtet terrorist, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë e vendeve fqinje.

Incidenti pasoi një incident të ngjashëm në shtator, kur tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo dhe qëndruan për 12 minuta. Incidenti shkaktoi reagime të ashpra nga Talini dhe NATO, të cilat e përshkruan fluturimin si të papërgjegjshëm.

Shkeljet e hapësirës ajrore të Baltikut nga avionët rusë janë shumë të ndjeshme, veçanërisht pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Në fund të shtatorit, Lituania autorizoi forcat e saj të armatosura të rrëzonin dronët që hyjnë në hapësirën e saj ajrore, pasi disa dronë rusë u rrëzuan në territorin lituanez pranë kufirit.

Misioni i Mbikëqyrjes së Hapësirës Ajrore të Baltikut i NATO-s operon nga bazat ajrore në Shiauliai – Lituani dhe Amari – Estoni, duke siguruar mbrojtje ajrore të përhershme për tri shtetet baltike.

Aktualisht, misioni komandohet nga Forcat ajrore të Spanjës, të cilat kanë vendosur 8 avionë Typhoon në Shiauliai. Avionët Typhoon italianë janë të vendosur në bazën estoneze Amari, ku ofrojnë mbështetje të shpejtë shtesë në rast incidentesh./S.K/KP/

 

 

 

Continue Reading

Botë

Dita Ndërkombëtare e OKB-së

Published

on

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e OKB-së, oganizatës ndërkombëtare më të madhe dhe më të rëndësishme në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945. Qëllimi kryesor i OKB-së është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë.

Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.

Iniciatorë të krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, ShBA dhe Britania e Madhe, të cilët në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord që pas luftës do të krijohej një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme.

Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit antifashist dhe antinazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.

Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të ShBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943.

Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks (lokalitet afër Uashingtonit), që u zhvillua nga 21 gusht deri më 29 shtator të vitit 1944, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.

Në shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Roosevelt, Stalin dhe Winston Churchill. Ajo hodhi bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në këtë konferencë u ri-diskutua dhe u ra dakord përfundimisht për krijimin e OKB si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdhenj e të vegjël.

ShBA-të thirrën Konferencën e San Franciskos, ku do të merrnin pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca e San Franciskos i zhvilloi punimet e saj nga 25 prilli 1945 deri më 26 qershor të vitit 1945. Ajo pranoi dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore.

Më 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi më 24 tetor 1945./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Parashikimi i motit

Published

on

Mëngjesi i kësaj së premte ka filluar me reshje shiu të cilat kanë qenë edhe gjatë natës.

Sipas IHMK, temperaturat minimale zbresin në 11C e 13C dhe të reshurat pritet të pushojnë orëve të para të ditës, e më pas do të mbretëroj mot kryesisht me diell, por me erë më të theksuar që frynë nga jugperëndim.

Temperaturat maksimale lëvizin nga 17-20 gradë Celcius..

Reshje dëbore fillojnë zonave malore, me rënie të temperaturave gjatë mbrëmjes./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën CIGRE Kosova mbi “Formësimin e fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës”

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga CIGRE Kosova, me temën “Formësimi i fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës në sektorin e energjisë”. Në këtë ngjarje u bashkuan ekspertë të energjisë, akademikë dhe përfaqësues të industrisë, për të diskutuar ndikimin e transformimeve teknologjike në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se universitetet duhet të kenë një rol udhëheqës në përgatitjen e fuqisë punëtore të digjitalizuar, duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis arsimit, inovacionit dhe industrisë. Ai nënvizoi rëndësinë e edukimit ndërdisiplinar dhe zhvillimin e programeve studimore që përfshijnë fusha si energjia e zgjuar, inteligjenca artificiale, teknologjia 5G dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve.

Rektori Hajrizi po ashtu theksoi rëndësinë e studimeve të doktoratës dhe akreditimit të programeve në këtë nivel, si domosdoshmëri për zhvillimin e kërkimit shkencor të avancuar dhe përgatitjen e ekspertëve të nivelit të lartë që i nevojiten tregut të punës. Ai potencoi se akreditimi i doktoraturave në fushat e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit është një hap i rëndësishëm për të forcuar lidhjen mes universiteteve dhe industrisë, si dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme të zhvillimit akademik dhe profesional.

Gjithashtu, Rektori prezantoi arritjet e UBT Smart City, e cila ka integruar teknologjinë 5G dhe sistemet e mençura të energjisë, duke e bërë UBT-në një ndër institucionet e para në rajon që po e zbatojnë në praktikë konceptin e qytetit të mençur (Smart City). Këto zhvillime lidhin drejtpërdrejt kërkimin shkencor me nevojat e ekonomisë moderne dhe krijojnë terren të përshtatshëm për përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në projekte të avancuara.

Rektori theksoi se sektori i energjisë është ndër më dinamikët në procesin e digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të mençura, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet universiteteve dhe industrisë, si dhe për krijimin e vendeve të punës të orientuara drejt inovacionit, qëndrueshmërisë dhe kërkimit shkencor të avancuar.

Konferenca CIGRE Kosova shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, nxitjen e kërkimit shkencor dhe forcimin e partneriteteve ndërmjet akademisë dhe sektorit energjetik, në funksion të përgatitjes së brezave të rinj për tregun dinamik të punës së së ardhmes.

Continue Reading

Të kërkuara