Lajmet

​Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe në Koshare

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Galuk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te kompleksi Memorial “Dëshmorët e Koshares”. Të tre vlerësuan rëndësinë e kësaj beteje për çlirimin e vendit dhe thanë që themelet e shtetësisë burojnë edhe në këtë vend.

E para e shtetit, Vjosa Osmani tha se është borxh i institucioneve që sakrificën sublime të dëshmorëve ta shndërrojnë në forcim të shtetit.

“Të gjithë ata që ranë në Betejën e Koshares sot kanë themelet e tyre, kanë ndërtuar bazamentin tonë, prandaj edhe ky shtet që sot e gëzojmë e ka bazamentin aq të fortë sepse është ndërtuar mbi gjakun e të gjithë dëshmorëve të cilët sot po i kujtojmë bashkërisht. Është detyrë e jona, është borxh i yni, andaj atyre që bënë sakrificën e tyre sublime për liri që sot shtetin ta forcojmë ta bëjmë të tillë çfarë e ëndërruan të gjithë dëshmorët e kombit dhe ta bëjmë të tillë në të cilën do të krenohen gjithë qytetarët tanë”, tha ajo.

Luftën e ashpër në këtë betejë e përkujtoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se shembja e kufirit tregoi që kombi shqiptar në luftën çlirimtare është i bashkuar dhe është një.

“Beteja e Koshares është njëri prej momenteve më të rëndësishme të luftës së UÇK-së. Brigada 138 në krye me këta dy heronj dhe plotë dëshmorë që dhanë jetën e shembi gurin e kufirit dhe tregoi që kombi shqiptar në luftën çlirimtare është i bashkuar dhe është një”, tha ai.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se 9 prilli i Koshares është dëshmi e historisë së Kosovës.

“Sot është edhe 9 prilli i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mirëpo edhe 9 vite para këtij e kemi 9 prillin e Koshares që është përplot gjak të derdhur të dëshmorëve që janë dëshmi e historisë sonë të lavdishme dhe krenare, por edhe çmimit të madh që e kemi paguar për lirinë e vendit tonë, për pavarësinë e vendit tonë dhe përparimin e të gjithëve. Dëshmorët nuk kanë nevojë për neve, ne kemi nevojë për ata dhe përmes tyre ne bëjmë politika të mira qeveritare dhe institucionale, pasi përkushtimi për ta shndërrohet në përgjegjësi institucionale për fëmijët”, tha ai.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendi

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Vendi

BBC Sport: Kosova e mposht Irlandën me meritë në Prishtinë dhe nis mbarë UEFA Nations League

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundur fushatën e saj në Grupin B3 të UEFA Nations League, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat 1–0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo fitore e merituar erdhi pas një paraqitjeje dominuese nga dardanët, ndërsa rrjeti prestigjioz britanik BBC Sport raporton se vendasit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Kosova tregoi energji të lartë që nga fillimi i takimit, duke e vënë vazhdimisht në presion mbrojtjen irlandeze. Rreziku kryesor erdhi përmes Baton Zabergjës nga krahët dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili krijoi probleme të njëpasnjëshme për mysafirët.

Vendimi i ndeshjes erdhi vetëm shtatë minuta para fundit. Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit që u kthye nga traveza, Muriqi reagoi më së shpejti duke shënuar me kokë për 1–0 dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Edhe pse lojtarët irlandezë pretenduan për një faull gjatë aksionit, goli u konfirmua pas rishikimit nga sistemi VAR.

Në krahun tjetër, BBC e përshkroi paraqitjen e Irlandës si mjaft të dobët në sulm, me vetëm një goditje në kuadrat përgjatë tërë ndeshjes. Rastin më të mirë për mysafirët e shpërdoroi Chiedozie Ogbene në pjesën e parë, kur goditi mbi travezë.

Pas ndeshjes, edhe vetë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, pranoi superioritetin e vendasve. “Ata e merituan fitoren, po të jam plotësisht i sinqertë. Nuk kishte asgjë që nuk e dinim për mënyrën se si do të luanin, por ishte një ditë e dobët për shumë nga lojtarët tanë,” u shpreh ai.

Me këtë fitore, Kosova merr tri pikët e para në grup, ndërsa Irlanda mbetet pa pikë pas xhiros së parë. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Të kërkuara