Lajmet

​Osmani: Asociacioni i dëmshëm edhe për BE-në

Osmani mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian.

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Komisioni Evropian ua ka dërguar edhe një rikonfirmim të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian rreth kritereve për viza duke vlerësuar edhe reformat e ndërmarra në një vit e gjysmë. Gjithashtu ajo tha se për Asociacionin e Komunave Serbe vlen vetëm vendimi i Kushtetutës dhe nuk është në të mirën e askujt ngritja e një “Republike Srpska” në Kosovë.

Osmani mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian, i quajtur ndryshe si Samiti i Pragës dhe pas takimeve të së enjtes, ajo mbajti edhe një konferencë për media në të cilën tregoi edhe për takimet që kishte zhvilluar në Çeki.

Presidentja nuk e takoi homologun serb, Aleksandër Vuçiq, për të cilin tha se kësaj radhe nuk ishin në tryezën e njëjtë porse Kosova ishte në tryezën që vërtet e meritonte, aty ku u fol për paqen dhe sigurinë.

“Nuk e kam takuar presidentin Vuçiq sepse ka një platformë të re për dialog politik në baza të barabarta ku të gjithë diskutuam si të barabartë. Ishte iniciuar me idenë ku ne kemi diskutime të hapura me grupe më të vogla dhe kemi qenë në grupe të ndryshme kësaj radhe, unë isha tek tryeza e ‘Paqes dhe sigurisë’. Nuk e di se ku ishte presidenti Vuçiq por Kosova vërtetë e meritonte të ishte në tryezën për paqen dhe sigurinë sepse është një shtet që vërtetë kontribuon për paqen dhe sigurinë”, deklaroi Osmani.

Megjithatë Osmani u takua me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, me të cilët është diskutuar çështja e liberalizimit të vizave dhe ajo e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Por, Osmani tha se të dy liderëve evropianë iu ka treguar edhe vijat e kuqe të Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Aty në radhë të parë kam ngritur çështjen e shtyrjes përpara të liberalizimit të vizave dhe së dyti çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës si dy tema që domosdoshmërish duhet të shtyhen përpara në mënyrë që Kosova të ketë progres konkret dhe pastaj natyrisht kemi diskutuar edhe për dialogun. Ju e dini që Franca dhe Gjermania në nivele më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut dhe natyrisht ne nuk kemi asgjë kundër që të intensifikohen përpjekjet për një zgjidhje por si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetin e vendit, kushtetutshmërinë dhe po ashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, të mos lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme sesa sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon”, tha Osmani.

Duke u ndalur te Asociacioni i Komunave Serbe, Osmani tha se Kushtetua është e qartë në vendimin e saj dhe se një “Republika Srpska” në Kosovë do të ishte e dëmshme për vetë Bashkimin Evropian. Ajo hodhi akuza në drejtim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se po mbështet bandat kriminale në veri të vendit.

“Modalitet për ne është kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ajo është alfa dhe omega e secilit veprim tonin, prandaj është vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai i cili e trason rrugën përpara, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai i cili përcakton që mekanizmat e tillë nuk mund të jenë as një etnik e as të kenë kompetenca ekzekutive, dhe as nuk mund të krijojnë një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes e cila do të bindte ndesh me kushtetutën. Këto janë parimet tona, ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve se sa më rëndësi është që të mos shkojmë përtej kësaj sepse nuk është në interes të askujt, më së paku të Kosovës, por as të rajonit si tërësi e as të BE që të kemi ndonjë ‘Republika Srpska’ apo modele të ngjashme që nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë sepse më shumë krijojnë probleme sesa qetësi e paqe e stabilitet”, vijoi Osmani.

Sa i përket liberalizimit të vizave, presidentja Osmani tha se Komisioni Evropian si dhe shtetet skeptike kanë vlerësuar reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe se kjo i është konfirmuar edhe asaj në takime bilaterale.

“Një rivlerësim ose rikonfirmim i Komisionit Evropian i është dërguar të gjitha shteteve anëtare, është jashtëzakonisht pozitiv dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmim i Komisionit Evropian rreth kritereve për viza ku i njofton të gjitha shtetet anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer për një vit e gjysmë duke i vlerësuar ato jashtëzakonisht si reforma pozitive dhe në të gjitha takimet që kam pasur siç e përmenda në mbi 25 takime të gjithë e kanë potencuar se sa shumë i vlerësojnë reformat që Republika e Kosovës i ka ndërmarrë gjatë këtij një viti e gjysmë dhe sidomos për shtetet skeptike që kanë qenë sa i përket vizave, kjo ka qenë çështje determinuese në vendimin e tyre dhe këtë e kanë thënë secili prej tyre në këto takime”, u shpreh Osmani.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor. Presidenca çeke e BE-së ka kërkuar konsensus të brendshëm nga të gjitha vendet anëtare për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vendi

DASH për REL: Dialogu Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.

Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë – një proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

 

Kur dhe pse u pezullua Dialogu Strategjik me Kosovën?

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

Në atë kohë, Ambasada tha se vendimi është marrë për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Ato, po ashtu, kritikuan publikisht Gjykatën Kushtetuese të vendit për një vendim lidhur me mandatin e deputetëve.

Uashingtoni i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet politike dhe vështirësuan bashkëpunimin, ndërsa Qeveria në detyrë tha se ato ishin “të ligjshme dhe kushtetuese”.

 

Çfarë pritet nga Kosova në raport me serbët?

Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ato përfshijnë, mbi të gjitha, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Po ashtu, Perëndimi kërkon që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit. /REL/

Foto: Getty images

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohet në Prizren i dyshuari për keqpërdorim të të dhënave bankare të shtetasve amerikanë

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.

Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Vendi

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Të kërkuara