Lajmet

​Osmani: Amerikanët nuk duan “Republikë Serbe” në Kosovë, fajin e kanë ish-kryeministrat

Ajo theksoi se ish-kryeministrat e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme.

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se propozimet për të cilat po përflitet, për autonomi të zgjeruar apo Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, nuk i janë prezantuar institucioneve të Kosovës.

Presidentja Osmani ka folur sot para takimit që do të ketë me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Unë do t’i takoj sot ata rreth orës 16:00 (Escobarin dhe Lajçakun). Megjithatë unë dua ta qartësoj qysh tani që propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.

Osmani gjatë homazheve që bëri sot në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë, theksoi se ish-kryeministrat e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive.

“Ajo që është problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra duhet ta themi një realitet që është, sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë. Dhe rrjedhimisht këto tendencat që pastaj të gjuhet përgjegjësia te komuniteti ndërkombëtar dhe të fshihen parapa komunitetit ndërkombëtar nuk i bëjnë nder Kosovës. Si përfaqësues të Republikës së Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë sakrificë, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional”, deklaroi ajo.

Osmani, e pyetur rreth raportimeve se “do të ketë propozime për një asociacion të një forme tjetër me atë që ka qenë deri më tani dhe një propozim për një lloj autonomie në pjesën veriore të Kosovës”, tha se Escobar ka deklaruar se kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republika Sbrska”.

Më tej Osmani tha se qëndrimet e Kosovës sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave serbe mbesin të njëjtat.

“Besoj që ju e keni dëgjuar edhe ambasadorin e ri të ShBA-së, edhe Escobar në intervistën e fundit, duke thënë që kërkesa e tij është e kundërta e asaj që e përmendët, që mos të implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republika Srbska” të re, pra që nuk kërkohen kompetenca ekzekutive, e as që nuk kërkohet një model që do të shndërronte këtë Asociacion në një nivel të ndërmjetëm apo të tretë të qeverisjes, që do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta, nuk është që janë befasi për ndokënd, përfshirë edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, prandaj ne jemi duke diskutuar me ta si ta shtyjmë përpara procesin e dialogut, drejt asaj që është zgjidhja e vetme, e qëndrueshme jo vetëm për ne si Kosovë, por për gjithë rajonin, e që është njohja e ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani.

Derisa, kryeministri Albin Kurti theksoi se me diplomatin Escobar nuk është takuar asnjëherë, por vetëm ka biseduar në telefon.

Kurti tha se më e drejtë është që qëndrimet dhe mendimet rreth takimit me diplomatët, të jepen pasi të zhvillohet takimi.

“Unë me përfaqësuesin e posaçëm e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Escobar, takohem sot për herë të parë, kam biseduar dy herë në telefon me të, por nuk jam takuar deri tash. Sot do ta kem takimin e parë me të dhe përfaqësuesin e posaçëm e BE-së, besoj se pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë të japim qëndrimet dhe mendimet tona”, theksoi Kurti.

Dy emisarët do të takohen në ora 16:00 me presidenten Vjosa Osmani, ku mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, e më pas do të ketë komunikatë për media.

lajme

Protesta në Prishtinë vazhdon për të shtatën ditë kundër aktgjykimit të Speciales

Published

on

By

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Lajmet

Rama shkarkon Vlora Hysenin pas hetimeve të SPAK-ut për skandalin e AKSHI-t

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New York-u lidhur me masën e “arrestit shtëpiak” të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke njoftuar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Hyseni po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet për zbulim të sekretit shtetëror, ndihmë ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si dhe për përfshirje në skandalin e korrupsionit me tenderët 59-milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Lidhur me këto akuza, Rama theksoi se çdo dyshim i organit të akuzës duhet të hetohet e të zbardhet deri në fund përmes një procesi të pavarur gjyqësor, duke nënvizuar se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se pavarësia e organeve të drejtësisë është një rrugë pa kthim dhe se fajësia apo pafajësia mbetet përgjegjësi individuale e çdokujt para gjykatës.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur, qëndrimi im mbetet i njëjtë: kjo shumicë nuk bën avokatinë e askujt”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Rama kritikoi reagimet e opozitës dhe medias, duke e quajtur të pashmangshme që çdo hetim ndaj personave publikë të kthehet në “gjyq mesjetar” përpara se gjykata të thotë fjalën e saj përfundimtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara