Lajmet
Opozita kërkon dorëheqje morale për vrasjen e shtatzënës para Klinikës së Gjinekologjisë
Këtë kërkesë ata e paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiDorëheqje morale për rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë kanë kërkuar sot deputetët e dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tyre kjo vrasje ka ndodhur brenda këtij institucioni publik të ShSKUK-së.
Këtë kërkesë ata e paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale para të cilit sot po raportonte ushtruesja e detyrës së ministritë të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku bashkë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu.
Përkundër që në komision çështje diskutimi ishte ndarja buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2023 për dikasterin e shëndetësisë, ishte vetë ushtruesja e detyrës së kreut të shëndetësisë kosovare, Dafina Gexha-Bunjaku e cila fjalimin e saj para ligjvënësve e nisi duke shprehur ngushëllime për vrasjen e shtatzënës para Gjinekologjisë.
Por, me këtë ngushëllim nuk u mjaftua, pasi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili u shpreh se jo për shkak të përgjegjësisë, por pasi vrasja ka ndodhur brenda hapësirave të QKUK-së duhet të ketë dorëheqje morale.
Zemaj madje kërkoi dorëheqje dhe për rastin e keqtrajtimit psikologjik nga një logoped, për të cilin sipas tij si rast ShSKUK u munda ta mbajë të fshehtë.
“Rasti i mbrëmshëm do të ishte pak thirrje morale dhe thirrje të ndërgjegjes morale të pozitave çfarë mbani, sepse është privuar nga jeta një zonjë në pritje të fëmijës në derë të Klinikës, jo në oborrin e QKUK ashtu siç e keni thënë në deklaratë dhe që keni thënë se ka ndodhur një vdekje, fatkeqësisht, kështu nuk duhet të apostrofohen gjërat as me nguti…Pavarësisht peshës së rëndë, mendoj që njëra pozitë do të duhej sot të dorëhiqej ose dje në kuptim e asaj që ka ndodhur, jo në atë të përgjegjësisë të drejtpërdrejtë që e keni, por të përgjegjësisë morale brenda institucionit të shëndetësisë që ju e udhëhiqni”, u shpreh Zemaj.
Por ishte kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku që ia ndërpreu fjalën Zemajt duke i thënë të fokusohet te çështja për çka është ftuar kjo mbledhje.
Kërkesë për dorëheqje morale kishte edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili tha se dorëheqje morale do të duhej të jepte drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, por edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së. Sipas tij, kjo paciente, e cila kishte ardhur për ndihmë mjekësore, u vra në dorën e mjekëve.
“Një paciente e pranuar në Klinikën e Gjinekologjisë në prag të lindjes, e cila është vrarë bashkë me fëmijën e pa lindur, a ka ndonjë përgjegjësi të drejtorit? Si lihet një nënë e pacientit vetëm, e cila ka qenë nën mbrojtje të shtetit nëse nuk ka përgjegjësi dhe dorëheqje morale të drejtorit të Gjinekologjisë të tuajën se nuk po e kërkoj prej ushtrueses së detyrës, sepse kjo nga dorëheqja është zëvendësministër, por të kishte pasur ministër të Shëndetësisë do t’ia kërkoja dorëheqjen morale, sepse në kujdesin e shtetit ku pacientja ka shkuar të merr shërbimin e nevojshëm, kujdesin e nevojshëm shëndetësor është vrarë në dorën e mjekëve”, tha ai.
Sa i takon çështjes së buxhetit, ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku se buxheti i këtij dikasteri për vitin 2023 është rritur për mbi 27% dhe si i tillë është koncentruar kryesisht në përmirësim të cilësisë së shërbimeve aktuale, por edhe në ofrim të shërbimeve të reja.
Sipas saj, krahas investimeve kanë paraparë edhe shtim të 299 profesionistëve shëndetësorë, por edhe të 42 trupave inspektues me qëllim të rriten inspektimet në institucionet shëndetësore.
“Pra, kemi një rritje 27.62%, në ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës dhe pajisjeve për vitin 2022 kanë qenë 10 milionë e 63 mijë për investime kapitale, për vitin 2023 do të jetë 18 milionë e 403 mijë që kemi një rritje prej 83%… Do t’i shtohen edhe 42 inspektorë shëndetësorë dhe farmaceutikë, dhe me këtë synohet të rritet dhe trefishohet edhe numri i inspektimeve, duke bërë inspektime të rregullta dhe permanente në institucione shëndetësore. Po ashtu, nga lista esenciale e barnave për MSH buxheti në 2022 ka qenë 11 milionë e 180 mijë, ndërsa për vitin 2023 është 21 milionë e 161 mijë e 734 dhe kjo rritje e buxhetit krahasuar me vitin 2022 është 89.9%… Sa i përket listës së pritjes dhe diagnostikës, ky buxhet parasheh përmirësimin e cilësisë së shërbimeve aktuale por edhe për sa na lejon buxheti edhe krijimi i shërbimeve të reja. Lista e pritjes do të jetë, por për ofrim të cilësisë kur rritet cilësia sigurisht që nuk ofrohen shërbimi për 5 minuta që ta zvogëlojmë listën e pritjes”, u shpreh ajo.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu u shpreh se në vitin 2023 ky institucion gëzon buxhetin më të madh, i cili kryesisht është i koncentruar në modernizimin dhe funksionalizimin e Klinikave.
Sipas saj, në vitin e ardhshëm synojnë edhe funksionalizimin e Spitalit të Podujevës, derisa u shpreh se investime po planifikojnë edhe në spitalet tjera regjionale. Ajo si projekt të reja ajo përmendi spitalin e nefrologjisë dhe hematonoligjisë, pastaj përfundim të objektit të Ortopedisë por edhe investime në Klinikën e Gjinekologjisë.
Si risi u.d. e drejtorit të ShSKUK-së përmendi edhe shërbime me IVF-së dhe Klinikën Ditore.
Si plan i ShSKUK është që në vitin e ardhshëm t’i vënë në shërbim 5 aparatura të rezonancës magnetike, për çka Zejnullahu si sfidë paraqiti trajnimet e profesionistëve shëndetësor në këtë aspekt, por edhe mirëmbajtjen e tyre.
“Si ShSKUK buxheti i alokuar 10 milionë më tepër me theks të veçantë në listën esenciale të barnave që është kruciale. Plus edhe 100 numra shtesë për funksionalizimin në vitin e ardhshëm të spitalit të Podujevës që do të jetë i ri… Planifikimi për bunkerin për akselerator, sepse e kemi bërë kontratën dhe e kemi futur në kuadër të buxhetit, por për shkak të bunkerit e kemi futur dhe do ta përfundojmë edhe bunkerin dhe kjo pjesë në Onkologji do të përfundohet… Është një risi që kem bë planifikim bashkë me menaxherët e klinikave dhe si domosdoshmëri dhe vizion tjetër është krijimi i spitaleve për trajtim ditor, të cilët do të punohet në kuadër të kodit buxhetor për modernizimin e QKUK. Këtu nënkupton fillimi i Klinikës ditore për pacientët klinikë-urologjikë, atyre me sëmundje të mushkërive dhe në gjinekologji do të fillohet me renovim të spitalit… Çka janë risi edhe të cilat janë buxhetuar është pjesa e parë e projektit të IVF-së siç e dini ndërtesa ka përfunduar dhe këtë vit do të filloj ardhja e pajisjeve për IVF dhe risi tjetër është fillimi i aktivizimit të njësisë spinale është bërë edhe buxhetimi”, u shpreh ajo.
Pas shpalosjes së planeve për buxhetin 2023 në shëndetësi nga u.d. e udhëheqësve në këtë sektor, ishin deputetët kryesisht të opozitës që kritikuan qeverisjen me këtë sektori dhe ngritën si shqetësim ikjen e mjekëve, mungesën e investimeve, listën e gjatë të pritjes por edhe mungesën e barnave nga lista esenciale.
Ishte deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj i cili u shpreh se ajo që është shpalosur si plan për vitin 2023 është më shumë dëshirore, por mungon strategjia.
“Po kjo nuk është asgjë e çuditshme kur shembull jemi pa ministër të Shëndetësisë dhe kjo e definon hapur që MSh nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie. Përshëndes rritjen e buxhetit, por buxheti nuk është rritur në segmentet e identifikuara nga shoqëria civile që janë identifikuar si probleme. Shkaku kryesor që 69% e mjekëve e kanë lëshuar institucionet publike dhe kanë dal në private ose e kanë lëshua krejt Kosovën 69% ka qenë problem paga”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kryeson Komisionin për Shëndetësi, Fatmir Kollçaku kërkoi më shumë inspektim në spitalet private, derisa tha se ato me pagat e larta që po ua ofrojnë profesionistëve shëndetësor po e shantazhojnë shtetin.
“Normal që me një shumë 3000-5000 euro ky është shantazh ndaj shtetit nëse t’i e ofron një pagë me kushte të Kosovës”, u shpreh ajo.
Kritika pati edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se dy komponentët kryesore si sistemi informativ shëndetësor SISH-i dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk janë përfshirë në buxhet.
“Kjo përqindje është e barabartë me vitin 2009, atëherë kur ka qenë 3.2 projektbuxheti për shëndetësisë në përqindje të GDP në vend. E thamë edhe te MSH, e potencuat se fare nuk potencohet sistemi informativ shëndetësor (SISH) as ju në fjalën tuaj, por as Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe këto janë dy elemente kyçe edhe në avancim të shërbimeve por edhe në realizim të sistemit shëndetësor në vend edhe planifikimet, edhe investimet do të ishin të karakterizuara në koordinim të plotë edhe të SISH edhe të Fondit këtu nuk ka… Të gjitha projektet janë vazhdimësi e viti 2022 po të kishte qenë viti 2022 efikas sigurisht që kishte me pas më shumë projekte të reja”, tha ai.
Po ashtu edhe deputeti tjetër opozitar, Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së tha se me këtë rritje buxhetore për shëndetësinë më shumë po bëhet propagandë me shifra.
“296 milionë euro buxhet më i madhi ndonjëherë siç po thonë këta të pushtetit, por a keni shikuar buxhetin e vitit 2021 seriozisht a keni shikuar këtë buxhet sa ka qenë 296 milionë e 300 mijë euro, buxheti 272 milionë euro buxheti i viti 2020. Ky buxhet është rritur për 38 milionë krahasuar me vitin 2022. Propaganda bëni, e drejtë e juaja është, por mos ejani t’ua fyeni inteligjencën këtyre deputetëve të mazhorancës, mua kurrë, që e përcjelli këtë sektor me shifra dhe të dhëna”, tha ai.
Vendi
UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”
Published
3 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.
Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.
Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.
Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.
Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.
Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Vendi
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës
Published
3 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.
I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.
Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.
Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.


Vendi
Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova
Published
7 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.
Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:
- Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
- Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
- Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
- Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)
Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.
UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.
Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.
Lajmet
Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale
Published
21 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.
Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.
Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.


UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës
Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova
Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale
Studentja dhe kampionia olimpike Nora Gjakova publikon studimin shkencor mbi rikuperimin e shpejtë pas lëndimit të hamstringut
Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së
Siemens Healthineers viziton UBT-në, theksohet potenciali për bashkëpunim në mjekësinë digjitale
Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio
Gjykata Supreme rrëzon tarifat e Trump
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
