Aktualitet

​OAK takohet me Odën Ekonomike të Malit të Zi, dakordohen për projekte të përbashkëta

Palët u dakorduan për organizime e aktivitete me qëllim të ndërlidhjes së bashkëpunimit mes bizneseve që të dy odat përfaqësojnë.

Published

on

Me qëllim të njoftimit reciprok, krijimit të linjave të komunikimit mes tyre e ndërlidhjen dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, Oda e Afarizmit të Kosovës u takua me Odën Ekonomike të Malit të Zi, në Podgoricë.

Me këtë rast, kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi, falënderoi për pritjen dhe uroi Nina Drakiqin për përzgjedhjen e saj si presidente e Odës Ekonomike të Malit të Zi, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të ngushtë mes të të dy odave në fushat me interes reciprok.

Në kuadër të këtij takimi njoftues, palët u dakorduan për organizime e aktivitete të përbashkëta me qëllim të ndërlidhjes së bashkëpunimit mes bizneseve që të dy odat përfaqësojnë, si dhe implementimin e ideve dhe projekteve konkrete në këtë drejtim në mënyrë që të kenë një bashkëpunim më të madh me vendet në rajon.

Presidentja Drakiq falënderoi kryetarin Krasniqi dhe përfaqësuesit e OAK-së për vizitën, dhe uroi që ky takim të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit të ngushtë mes të të dy odave. 

Lajmet

Aktakuza për krime lufte ndaj 6 ish-gardianëve për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në rastin e parë, aktakuza është ngritur ndaj J.J. dhe A.S., ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Ata gjithashtu akuzohen se i kanë kanosur seriozisht me vrasje.

Ndërkaq, në rastin e dytë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër ish-gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan: L.S., D.L., S.A. dhe B.S.

Sipas aktakuzës, të pandehurat, në bashkëkryerje me të akuzuarën N.C., gjatë periudhës së luftës 1998-1999 kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

Me këto aktakuza, Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurit të gjykohen në mungesë, në përputhje me legjislacionin në fuqi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Diskutimet kyçe nga paneli i parë i Konferencës Ndërkombëtare

Published

on

By

Në panelin e parë të Konferencës së Lidershipit me temën: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e cila u zhvillua në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u vendos fokusi në vëmendjen e institucioneve, e cila shpesh mbetet vetëm te zbatimi teknik, duke lënë anash strategjinë dhe menaxhimin e mençur të këtyre sistemeve.

Pjesë e panelit, Prof. Dr. Blerton Abazi – Dekan i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, vuri në dukje se valët e shpejta të inovacionit gjatë dekadës së fundit kanë ndryshuar rrënjësisht terrenin operacional. Profesor Abazi tërhoqi vëmendjen se sistemet e vjetra nuk ishin projektuar me mendësinë e mbrojtjes kibernetike ndaj këtyre sfidave dhe kërkoi që fokusi të zhvendoset drejt lidershipit.

“Që nga viti 2013 e këtej, ne kemi pasur disa ndryshime të mëdha, si Internet of Things, Cloud Computing, Data Science, siguria kibernetike dhe së fundi inteligjenca artificiale. Ne zakonisht diskutojmë për aspektin e implementimit teknik, e shumë pak për aspektin e lidershipit dhe përdorimit sa më të mençur të këtyre sistemeve”, shprehet Abazi.

Në të njëjtën linjë, panelisti dhe profesori i UBT-së, Florin Aliu, potencoi se rrugëtimi teknologjik ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke kulmuar sot me Inteligjencën Artificiale.

Profesor Aliu ftoi për më shumë maturi, duke argumentuar se e ardhmja mbetet e panjohur sepse varet nga vendimet njerëzore, dhe se të dhënat apo teknologjia nuk e zëvendësojnë dot qeverisjen e duhur.

“E ardhmja është e panjohur sepse varet nga vendimet e qeverive dhe njerëzve. Kush mund ta parashikonte krizën financiare të viteve 2008-2009 në SHBA, edhe pse atje janë universitetet dhe kërkuesit më të mirë? Inteligjenca artificiale po përmirëson disa gjëra, por le të mos mbështetemi verbërisht tek ajo sepse ka edhe efekte anësore”, tha Aliu.

Nga këndvështrimi institucional, drejtori i Departamentit të TI-së në ATK, Prof. Agron Hamiti, nënvizoi se procesi i digjitalizimit nuk lë hapësirë për ngurrim, por kërkon një përgatitje të thellë të strukturës organizative dhe menaxhimit të të dhënave. Ai bëri të ditur se po hidhen hapat e parë konkretë për krijimin e një divizioni të dedikuar posaçërisht për inteligjencën artificiale.

“Digjitalizimi nuk lë vend për ngurrim. Ne kemi hartuar dokumente që gjenerohen prej strategjisë së përgjithshme, ku një prej tyre është ajo për menaxhimin e të dhënave. Kemi bërë edhe freskimin e strukturës organizative dhe parashohim krijimin e një divizioni që do të merret veçanërisht me pjesën e inteligjencës artificiale (AI)”, sipas Hamiti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut

Published

on

Ekrem Bajroviq është shpallur fajtor edhe në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Saradran të Istogut.

Sipas aktakuzës, Bajroviq, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëpunim me të tjerë, më 8 maj 1999 kishte ndaluar një kolonë civilësh shqiptarë që po lëviznin drejt Shqipërisë. Nga ajo kolonë ishin marrë 16 burra, të cilët fillimisht ishin dërguar në një shtëpi ku ishin rrahur dhe keqtrajtuar.

Më pas, sipas aktakuzës, viktimat janë dërguar një nga një dhe janë pushkatuar, ndërsa i mbijetuari i vetëm ka qenë N.E., i cili kishte pësuar lëndime të rënda dhe ishte gjuajtur si i vdekur në mesin e trupave të tjerë.

Gjithashtu, Bajroviqi ngarkohet edhe për pjesëmarrje në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë më 7 maj 1999 në fshatin Saradran, të cilët fillimisht ishin plaçkitur dhe më pas dërguar në Gurrakoc, ku ishin maltretuar dhe torturuar.

Ndërkohë, dëshmitarët e rastit kanë shprehur pakënaqësi me dënimin prej 12 vitesh burg, duke e konsideruar atë të pamjaftueshëm për krimet e kryera gjatë luftës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dëshmitarët e masakrës së Saradranit shprehin pakënaqësi me dënimin ndaj Ekrem Bajroviqit

Published

on

Dëshmitarët e masakrës së Saradranit në Istog kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës, e cila në rigjykim shpalli fajtor dhe dënoi me 12 vjet burgim ish-pjesëtarin e ushtrisë serbe, Ekrem Bajroviq, i akuzuar për pjesëmarrje në pushkatimin e 15 shqiptarëve në vitin 1999.

I mbijetuari i vetëm i masakrës, Naim Elshani, ka shprehur pakënaqësi me vendimin, duke thënë se dënimi është i pamjaftueshëm dhe nuk përfaqëson drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre. Ai ka folur edhe për vuajtjet e tij të vazhdueshme gjatë 27 viteve të fundit, duke theksuar mungesën e mbështetjes institucionale për dëshmitarët e krimeve të luftës.

“Ende sot plagët më kullojnë gjak… 12 vjet burgim është shumë pak… nuk shoh drejtësi,” është shprehur Elshani, duke kritikuar edhe mungesën e mbrojtjes dhe përkrahjes institucionale për dëshmitarët.

Pakënaqësi me vendimin ka shprehur edhe dëshmitari Ylber Lipa, i cili theksoi mungesën e përkrahjes shtetërore për dëshmitarët, duke kërkuar më shumë kujdes institucional dhe mbështetje për personat që dëshmojnë për krimet e luftës.

Ai shtoi se dëshmitarët përballen me vështirësi të shumta, përfshirë pasoja shëndetësore, trauma psikologjike dhe mungesë të mbështetjes logjistike, duke shpresuar që drejtësia të vendoset plotësisht, edhe pse me vonesë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara