Kulturë

​Nxënësit e Deçanit përmes ekspozitës nderojnë të rënët për liri

Published

on

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Deçanit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kësaj komune kanë organizuar një ekspozitë përmes së cilës përkujtohen figurat kombëtare të historisë sonë.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se është krenar që nxënësit e shkollave të Deçanit, përmes kësaj ekspozite kujtojnë figurat kombëtare dhe historinë e kaluar dhe të lavdishme të popullit tonë.

“Deçani ka vendos që me një datë të caktuar t’i përkujtojë dëshmorët dhe martirët e kombit. Është një vendim që e kemi marr në fund të vitit 2019 dhe e kemi zbatuar në vitin 2020, mirëpo për shkak të pandemisë nuk kemi mundur të bëjmë ndonjë organizim të dinjitetshëm edhe pse në kushte pandemike në këtë rast u bë diçka përtej me një numër tepër modest të pjesëmarrësve. Është një simbolikë ku neve na përkujton të kaluarën tonë historinë tonë. Unë ndjehem krenar kur nxënësit e shkollës së mesme të ulët memorizojnë figurat kombëtare dhe historinë e kaluarës tonë”, tha ai.

Duke vlerësuar lart angazhimin e nxënësve, drejtori i Arsimit, Bekim Vishaj tha se kjo ekspozitë me piktura të nxënësve të Deçanit ka për qëllim përkujtimin e dëshmorëve të rënë në këtë komunë. Ai tha se përvec që kjo ekspozitë simbolizon respektin ndaj atyre që ranë për lirinë e Kosovës, do të shërbejë edhe si një hapësirë për nxënësit që të tregojnë talentin e tyre në fushën e artit.

“Është merita më e madhe e nxënëseve që janë akterë të kësaj ngjarje kryesore… ky aktivitet ka vend ne kalendarin shkollor… Motivi për organizimin e kësaj ekspozite në fillim ka për qëllim përkujtimin e dëshmorëve në këtë rast të komunës sonë, që është me rastin e Ditës së Dëshmorëve 5 dhe 6 maj. Është ekspozitë që simbolizon kujtesën, simbolizon respektin për ata qe ranë për liri të Kosovës, njëkohësisht u japin hapësirë talentit të nxënësve që në të ardhmen ndoshta do të ndjekin këtë rrugë dhe do të bëhen artistë të mirëfilltë të artit”, tha ai.

Ekspozita e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme do të mbetet e hapur tri ditë në oborrin e objektit të Komunës së Deçanit.

Lajmet

“Shame and Money” triumfon në Tetovë me katër çmime

Published

on

Filmi “Shame and Money” ka fituar katër çmime në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tetovë (TIFF ODA).

Filmi është shpërblyer në kategoritë Filmi më i mirë, Skenari më i mirë, Aktorja më e mirë dhe Aktori më i mirë.

Çmimin për Aktoren më të Mirë e ka fituar Flonja Kodheli, ndërsa Astrit Kabashi është vlerësuar si Aktori më i Mirë.

“Shame and Money” u vlerësua gjithashtu me çmimet për Skenarin më të Mirë dhe Filmin më të Mirë, duke marrë gjithsej katër çmime në festival./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në Prishtinë nis sot Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë

Published

on

Sot, më 23 shtator, në orën 11:00, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nis edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.

Për pesë ditë, festivali do të sjellë libra, aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative për fëmijë dhe familje.

Ceremonia e hapjes do të shoqërohet me fjalë rasti nga organizatorët, mbështetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere, ndërsa do të ndahen edhe çmimet për “Lexuesit e Vitit” nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.

Programi i ditës së parë përfshin aktivitete të ndryshme për fëmijë, ndër to “Palaço me shokë”, promovime librash, aktivitete STEM, kërcim dhe aktivitetin “Një ditë me zjarrfikësit”.

Gjatë gjithë ditës do të jetë i hapur edhe Panairi i Librit për Fëmijë, ku do të prezantohen botime nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Festivali organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministria reagon pas incidentit me alpinistët pranë “Liqenit të Zemrës”

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar pas rastit të raportuar në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit dhe janë përballur me fjalë dhe kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.

Ministria ka bërë të ditur se për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit ka kërkuar informacione nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Komunën e Junikut.

Sipas Ministrisë, është e rëndësishme që destinacionet natyrore dhe turistike të jenë të qasshme për qytetarët, turistët dhe vizitorët, duke respektuar njëkohësisht të drejtat, sigurinë dhe rregullat që vlejnë për të gjithë.

Ndërkohë, Komuna e Junikut ka reaguar më herët duke bërë thirrje që rasti të trajtohet nga organet kompetente. Komuna ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Junikut.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se në zhvillimin e turizmit duhet të respektohen të drejtat dhe siguria e vizitorëve, por edhe e banorëve dhe komuniteteve lokale.

Rrethanat e incidentit pritet të sqarohen nga institucionet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara