Sport

​Nënkryetari i Yllit paralajmëron rivalët: Duam titullin kampion, do të sjellim lojtarë të huaj

Palushi flet rreth rrugëtimit të skuadrës.

Published

on

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli këtë edicion ka për mision mbrojtjen e titullit kampion në Superligën e Kosovës. Fillimi tejet i dobët i sezonit vuri në dyshim serioz arritjen e këtij objektivi, por situata ndryshoi për të mirë pas xhiros së katërt.

Nënkryetari i klubit, Lendrit Palushi thotë se humbjet e njëpasnjëshme në fillim të sezonit, lanë shije të hidhur te tifozët e skuadrës, por ato nuk i kishin shqetësuar drejtuesit e klubit, pasi ata ishin të kënaqur me përkushtimin dhe punën e trajnerit dhe të lojtarëve.

“Pas një fillimi jo të mirë, edhe pse për mendimin tim nuk ka qenë fillim jo i mirë shkaku që humbjet që kanë ardhur, kanë ardhur kryesisht prej ekipeve pretendente këtë vit, përveç Rahovecit, i cili në mungesë të trajnerit tonë na ka mposhtur, humbjet tjera kanë ardhur ndoshta jo me meritë, por jemi mposhtur nga ekipet me kualitet përafërsisht të njëjtë…Ato humbje neve nuk na ka çuar peshë shumë, neve si klub, edhe pse si qytetarë të Suharekës, kemi pasur gjithmonë kritika, por kryesorja ka qenë ne të jemi të kënaqur me ekipin, me trajnerin dhe po shihet, kemi nëntë fitore me radhë, të cilat kanë ardhur pikërisht ndaj kundërshtarëve kryesor për titull”, tha Palushi.

Palushi tha se pas nisjes së dobët të sezonit, trajneri Adis Beçiragiç kërkoi që të largohet, gjë të cilën nuk e pranuan drejtuesit e klubit.

“Pas humbjes nga Peja trajneri kërkoi që të largohet, mirëpo e kemi parë të rrugës që nuk ishte trajneri fajtori kryesor, aty sa ishim ne të klubit, pasi që i lamë të largohen dy ndër lojtarët kryesorë në Kosovë, por arritëm që edhe këtë vit ta mbajmë trajnerin dhe besoj që nuk e di, por në bazë të asaj çfarë kemi biseduar me të, trajneri ndoshta është i gatshëm edhe vitin e ardhshëm të qëndrojë”, theksoi Palushi.

Rikthimi në rrugën e fitoreve dhe rezultateve pozitive e ka futur sërish Yllin në luftë për titull, por Palushi thotë se ky objektiv do të jetë jashtëzakonisht i vështirë që të arrihet për shkak të konkurrencës së madhe.

“Nuk ka qenë e lehtë as dy vitet e kaluara, por ky vit besoj që do të jetë pak më i vështirë, pasi që kualiteti i lojtarëve është rritur edhe organizimi në klube është shumë më i madh. Nuk e di, si pretendent kryesor deri tani çfarë kemi parë është Trepça, Prishtina dhe Peja”, ka thënë Palushi.

Përtej kampionatit vendor, numri dy i KB Yllit pranon se nuk është i kënaqur me ecurinë e skuadrës në garat evropiane.

“Si vit i parë i pjesëmarrjes ka qenë një vit ndoshta i mirë, edhe pse kemi mundur t’i arrijmë edhe ndoshta një fitore apo dy të tjera, por nuk e di, nuk ishim edhe shumë të gatshëm për garat evropiane, të jemi konkurrues sepse nuk është më e rëndësishme të marrim pjesë, e rëndësishme është te kemi sukses dhe rezultat. Këtë vit, nuk e di, nuk na e deshi, kishim probleme edhe me lëndime”, theksoi tutje Palushi.

Përveç anës sportive, Palushi flet edhe për gjendjen financiare të klubit. Derisa vlerëson lartë ndikimin e ligjit të sponsorisimit dhe të mirat e tij, ai thotë se 70 përqind të buxhetit të klubit e mbulon kompania që e drejton, Golden Eagle Ylli.

“Klubi i Yllit 70 përqind të buxhetit e mbulon kompania jonë, Golden Eagle, kurse pjesa tjetër, nuk është një pjesë e vogël sigurohet prej sponsorëve të tjerë. Sporti në përgjithësi është mjaftë i zorshëm ta menaxhosh, por të gjitha përvojat që i kemi pasur në kompani i kemi përcjellë edhe në menaxhimin e klubit, përzgjedhjen e njerëzve adekuat”, ka shtuar ai.

Për të konsoliduar radhët e skuadrës dhe për t’i arritur objektivat e sezonit, Palushi thotë se klubi mund të transferojë edhe disa lojtarë të huaj.

“Disa biseda që i kemi pasur me trajnerin, ai ka kërkuar njëherë ta mbajë këtë ekip. Ndoshta aty tek mbyllja ë xhiros së tretë, aty kemi mundësi të sjellim lojtarë të huaj sepse për vendorë ka përfunduar afati kalimtar. Nuk e di, ndoshta do të sjellim edhe pse vet nuk e di në cilat pika kemi nevojë më shumë, por me kalimin e kohës do t’i shohim edhe mangësitë që i ka klubi”, tha Palushi.

Nënkryetari i klubit nga Suhareka u shpreh i shqetësuar me incidentet ndërmjet tifozëve në palestrat sportive. Sipas tij, është përgjegjësi e Federatës së Basketbollit dhe vet klubeve që organizimin e garave dhe ndeshjeve ta marrin më seriozisht dhe raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë.

Sport

Asllani reagon pas barazimit me Austrinë: “Pas vështirësisë vjen lehtësimi”

Published

on

By

Fisnik Asllani ka reaguar pas barazimit 1-1 të Kosovës ndaj Austrisë, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sulmuesi i Kosovës ishte një nga protagonistët kryesorë të “Dardanëve”, pasi u inkuadrua në lojë në minutën e 67-të dhe vetëm tri minuta më vonë shënoi golin e epërsisë 1-0.

Asllani përfitoi nga një asistim i Edon Zhegrovës për ta dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë Kosovës avantazhin në pjesën e dytë. Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta ruanin epërsinë deri në fund, pasi Christoph Lang barazoi rezultatin në minutën e 85-të.

Pas përfundimit të ndeshjes, Asllani reagoi përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe periudhës së vështirë që ka kaluar.

“Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”, shkroi Asllani.

Goli ndaj Austrisë ishte një tjetër moment i rëndësishëm për sulmuesin në fanellën e Kosovës, ndërsa kombinimi i tij me Zhegrovën i dha “Dardanëve” epërsinë në pjesën e dytë.

Megjithëse Kosova nuk arriti ta merrte fitoren, paraqitja e Asllanit dhe goli i tij mbeten ndër momentet pozitive të kësaj ndeshjeje.

D.L

Continue Reading

Sport

Tuttosport vlerëson lart Zhegrovën pas paraqitjes ndaj Austrisë

Published

on

By

Edon Zhegrova ka marrë vlerësime të larta nga mediumi i njohur italian Tuttosport pas paraqitjes së tij në ndeshjen e Kosovës ndaj Austrisë, e cila u mbyll me rezultat 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në raportimin për sfidën, mediumi italian e veçoi anësorin kosovar, duke e cilësuar paraqitjen e tij si të shkëlqyer dhe duke e konsideruar ndër lojtarët më aktivë të Kosovës.

“Zhegrova dha një asistim dhe luajti shkëlqyeshëm, gjithmonë në qendër të aksionit. Ai ishte më aktivi nga shokët e tij të ekipit, me shumë aksione cilësore”, shkruan Tuttosport.

Zhegrova ishte protagonist në golin e Kosovës. Në minutën e 70-të, ai asistoi për Fisnik Asllanin, i cili sapo kishte hyrë në lojë, duke i dhënë Kosovës epërsinë 1-0.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta ruanin avantazhin deri në fund. Austria barazoi në minutën e 85-të përmes Christoph Lang, pas asistimit të Sasa Kalajdzic.

Tuttosport thekson gjithashtu se Zhegrova, i cili tashmë aktivizohet te Juventusi, luajti për 81 minuta, para se të zëvendësohej nga Milot Krasniqi.

Pas katër ndeshjeve, Kosova ka grumbulluar pesë pikë, ndërsa Austria kryeson Grupin 3 të Ligës B me tetë pikë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kosova barazon me Austrinë dhe mbetet në vendin e dytë në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim 1-1 kundër Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas një pjese të parë të tensionuar dhe me raste nga të dyja palët, “Dardanët” kaluan të epërsi në minutën e 70-të kur Fisnik Asllani shënoi pas asistimit të bukur të Edon Zhegrovës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Milot Rashica pati mundësinë të dyfishonte rezultatin por goditi shtyllën.

Kur dukej se fitorja ishte afër, Austria barazoi shifrat në minutën e 85-të përmes një goli me kokë të Lang nga rivendja anësore, duke bërë që ndeshja të mbyllet baras.

Me këtë pikë, Kosova ngjitet në kuotën e pesë pikëve si e dyta në grup, tri më pak se Austria, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllë në nëntor me ndeshjen ndaj Izraelit në shtëpi dhe udhëtimin në Irlandë. /E.A/

 

Continue Reading

Sport

Zhegrova “E dua Juventusin dhe dua të bëj gjëra të mëdha me këtë klub”

Published

on

By

Edon Zhegrova luajti vetëm rreth 15 minuta në fund të ndeshjes së Kosovës ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0-0 në kuadër të Ligës së Kombeve. Në një intervistë ekskluzive për “Sportmediaset”, anësori kosovar foli për përballjen e fundit me Dardanët, të ardhmen e tij te Juventusi dhe objektivat e klubit italian.

“Fakti që nisa nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të startoj dhe të luaj”, deklaroi Zhegrova për “Sportmediaset”.

Kosova në ndeshjen e radhës do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht kryeson grupin.

“Unë besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, u shpreh ai.

Zhegrova foli edhe për eksperiencën e tij te Juventusi, duke theksuar se ndihet shumë i lumtur që është pjesë e klubit torinez.

“Jam shumë i lumtur që jam te Juventusi. Është një klub i shkëlqyer dhe nuk mund të mos jem i lumtur me shokët e mi të skuadrës, trajnerin, stafin dhe të gjithë ekipin. Është një privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi dhe do të jap më të mirën time sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha Zhegrova.

Gjatë verës, emri i tij ishte lidhur me një largim të mundshëm nga Juventusi, por kosovari vendosi të qëndrojë në Torino.

“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë, pa lënë gjurmën time. Kështu që doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, deklaroi ai për “Sportmediaset”.

Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Europa League, një vendim që sipas tij i takon trajnerit Luciano Spalletti.

“Është zgjedhja e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën time për klubin dhe respektoj çdo vendim”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.

I pyetur nëse Juventusi mund ta fitojë Scudetton, Zhegrova u shfaq optimist për potencialin e skuadrës.

“Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të mirë. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se kemi cilësinë e nevojshme. Në fund do t’i nxjerrim përfundimet”, tha ai.

Në fund, Zhegrova u pyet edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi të Italisë, duke e mbyllur intervistën me një përgjigje me humor.

“A jemi më të fortë se ata? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova me buzëqeshje.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara