Lajmet

​Ndërron jetë mikja e madhe e shqiptarëve të Kosovës, Madeleine Albright

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton.

Published

on

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare amerikane e Shtetit, një mike e madhe e popullit shqiptar të Kosovës, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, si dhe u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Ajo ishte një fytyrë e politikës së jashtme të SHBA-së në dekadën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe luftës kundër terrorit të shkaktuar nga sulmet e 11 shtatorit 2001, një epokë e paralajmëruar nga presidenti George H.W. Bush si një “rend i ri botëror”.

SHBA, veçanërisht në Irak dhe Ballkan, ndërtuan koalicione ndërkombëtare dhe herë pas here ndërhynë ushtarakisht për të rrëzuar regjimet autokratike, dhe Albright, një “idealiste pragmatike” e vetidentifikuar që shpiku termin “multilateralizëm pohues” për të përshkruar politikën e jashtme të administratës Clinton, mori nga përvoja e saj duke u rritur në një familje që iku nga nazistët dhe komunistët në Evropën e mesit të shekullit të 20-të për të formësuar botëkuptimin e saj, shkruan CNN.

Ajo e shihte SHBA-në si “kombin e domosdoshëm” kur ishte fjala për përdorimin e diplomacisë të mbështetur nga përdorimi i forcës për të mbrojtur vlerat demokratike në mbarë botën.

Lajmet

Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Published

on

By

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.

Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.

Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.

Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme

Published

on

By

Burime të “Indeksonline”, brenda Kuvendit, bëjnë të ditur se seanca mund të ftohet në ora 13:00 ose në orët e mbrëmjes, raporton Ekonomia online.

Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president.

Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Të kërkuara