Lajmet
Ndahen edhe mbi 2.2 milionë euro për RTK-në
Boletini tha se këtë vit ka pasur kursime të mjeteve buxhetore.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPërkundër disa kritikave nga deputetët e pozitës për mos realizimin e planit të të hyrave nga marketingu, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2022.
Me kërkesë të Bordit të këtij mediumi publik, komisioni në fjalë ka miratuar edhe Programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 në shumën 2 milionë e 240 mijë euro.
Për raportin e shpenzimeve, drejtues të mediumit publik kanë thënë se gjatë kësaj periudhe kanë shpenzuar 93 për qind të buxhetit total prej 2 milionë e 240 mijë eurosh.
Për paga dhe shtesa kanë shpenzimet ishin 2 milionë e 177 mijë e 907 euro që përbën 92 për qind të pagesave të përgjithshme.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit theksoi se për dallim prej viteve të kaluara, në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së. Ai ka thënë se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars të këtij viti dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në.
“Në këtë fazë konsiderojmë që kemi rreth 79 mijë euro kursime në muaj. Gjithashtu kemi bërë ulje të shpenzimeve në masë të madhe ku nuk kemi asnjë shpenzim për reprezentacion, për dallim prej herëve të kaluara. Po ashtu, kemi bërë edhe tkurrje të shpenzimeve tjera të vogla si përdorimi i veturave zyrtare brenda një perimetri prej 1 km. Disa menaxherë që kanë qenë me paga shumë të larta janë risistemuar dhe është bërë një ulje e pagës. Gjatë këtij tremujori jemi përballur me disa vështirësi, kryesore ka qenë trokitja në derë nga përmbaruesit privat. Ne kemi rreth 1.6 milionë euro borxhe dhe disa prej përmbaruesve tashmë kanë ardhur t’i kërkojnë paratë, si dhe kërcënimet”, theksoi Boletini.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Armend Muja vlerësoi se pas një dekade për herë të parë transmetuesi publik nuk ka operuar me humbje në tremujorin e parë 2022.
“Po thuajse që nga 2012 ka pasur minus, a mund të konstatojmë se në tremujorin e parë 2022, është hera e parë pas një dekade që RTK-ja nuk operon me humbje…”, theksoi ai.
Duke iu përgjigjur deputetes Duda Balje mbi kontratat me shërbime të veçanta, Boletini theksoi se ka ende punëtorë në RTK me kontratë mbi vepër, sipas tij janë dy kontrata të tilla.
“Sa i përket kontratave për shërbime, ka ende. Por kontrata për shërbime që konsiderohen të rregullt nuk ka dhe nuk do të ketë. Aktualisht i kemi dy kontrata të tilla, janë dy prej prezantuesve të lajmeve Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu. Pikërisht për këto pozicione vlejnë kontratat për shërbime, sepse ata vijnë një herë ose dy herë në javë japin lajmet dhe kanë një orë punë”, tha Boletini.
Sa i përket borxheve të RTK-së, kryetari i Komisionit, Armend Muja përmendi disa prej borxheve për dreka dhe darka, i cili pati një pyetje interesante: “S’e di, a ka mundësi me ngrenë bukë borxh, a? Kjo është tepër keq”.
“Një borxh që zakonisht më vjen në raport është ndaj një restoranti, 871 euro. Logjikisht nuk hyhet borxh të hahet peshk, kjo veç në RTK… Liburnia 2500 euro, prapë borxh, s’e di a ka mundësi me ngrënë bukë borxh a, një institucion publik? Kjo po duket mjaft keq”, tha Muja.
Për këtë, Muja mori një përgjigje nga kryetari Boletini, dhe theksoi se kjo është një abuzim që ka ndodhur me buxhetin e RTK-së ndër vite.
“Këto shpenzimet, besoj që s’do të ndodhin më, dhe çështjet e reprezentacionit dhe drekave e darkave nëpër restorantet e peshqve dhe të tjera, s’do të ndodhin më. Kjo është një prej formave të abuzimit me buxhetin e RTK-së që ka ndodhur ndër vite. Kështu që kjo nuk do të ndodhë më”, tha Boletini.
Ndërkaq, në këtë raportim zyrtari financiar në RTK, Halil Brahimaj tha se vetëm 26 për qind e planit të të hyrave nga marketingu është realizuar.
“Për këtë tremujor kanë 276 mijë euro dhe i kemi realizuar vetëm 26 përqind”, tha Bajrami.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica, e quajti “huq” një planifikim të tillë.
“Ju prej 270 mijë euro i keni realizuar 70 mijë. Unë konsideroj se kjo është një huqje jashtëzakonisht e madhe e të hyrave, kështu që do të duhej të synohej deri 80-90 për qind, sepse nuk është që nuk keni mjete dhe nuk keni njerëz. Ideja është që ta realizoni planifikimin që e bëni përmes buxhetit, sepse ato janë të hyra që ju pastaj synoni shpenzime të caktuara”, tha Korenica.
Përveç kësaj deputeti Korenica ngriti edhe çështjen e një lëshimi në mediumin publik më 1 prill. Ai ka pyetur drejtuesit e televizionit publik se a është e vërtetë dhe a kanë marrë masa për lajmin e rremë të transmetuar në RTK më 1 prill për emërimin e Edi Ramës në krye të NATO-s.
“Lajmi i rremë më 1 prill, Edi Rama në krye të NATO-s, çka keni ndërmarrë për me i parandaluar rastet e tilla?”, tha Korenica.
Për këtë, Boletini pranoi se ka ndodhur një lëshim i tillë dhe tha se ka kërkuar të merren masa, ashtu siç janë marrë masa ndaj një postimi që ka qenë javë më parë i publikuar në ueb-sajtin e RTK-së, dhe për këtë arsye është suspenduar kryeredaktori i ueb-sajtit.
“Kur ka ndodhur rasti (i publikimit për presidenten Vjosa Osmani), unë i kam drejtuar një e-mail ushtruesit të detyrës së drejtorit dhe i kam kërkuar që të merren masa konform rregulloreve në fuqi dhe që rastet e tilla të sanksionohen me një standard të njëjtë. Pra, edhe në rastin e tillë (në televizion) është vepruar në mënyrë të njëjtë. Kështu që ky është një standard i ri i vendosur në RTK, është keq dhe skandaloze çka ka ndodhur, por masat janë marrë dhe do të merren në vazhdimësi për çfarëdo lloj shkeljesh që do të ndodhin në RTK”, u shpreh Boletini.
Për këtë lëshim, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, u tha se ka pasur një dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit.
Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, është shtyrë për javën e ardhshme.
Familjarët e akademikut Rexhep Qosja kanë njoftuar se ai u nda nga jeta këtë të enjte. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit të të ndjerit tashmë ka përfunduar, në përputhje me vullnetin e tij për një lamtumirë private.
Në njoftim theksohet se, duke respektuar dëshirën e fundit të akademikut, familja nuk do të organizojë ceremoni pritjeje (të pame) dhe nuk do të jetë pjesë e organizimeve institucionale.
“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja po ashtu nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në kumtesën e shkurtër të familjarëve.
Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
2 hours agoon
April 23, 2026By
UBTNews
23 prill 1993
Lajm i plotë:
Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova
Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në konferencën për gazetarë sot në Prishtinë, i komentoi ngjarjet më aktuale në Kosovë dhe rreth Kosovës.
Në fillim të konferencës, kryetari Rugova tha se edhe gjatë javës që shkoi ishte shumë i theksuar represioni kundër shqiptarëve në Kosovë. Krahas maltretimeve, po vazhdon ndjekja e të rinjëve për t’i dërguar me dhunë në ushtrinë serbe. Më parë u janë dërguar shumë ftesa të rinjëve për ushtrinë serbe, ndërsa tash po marrin kend po munden, sidomos në vendet publike, me qëllim që të bëhet presion mbi të rinjtë shqiptarë. Represioni po vazhdon në të gjitha trajtat. Rektori i Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovci ende po mbahet në burg (dr. Statovci u lirua sot nga burgu- shënim i redaksisë) si edhe Blerim Shala, gazetar i revistës “Zëri”.
Gjatë javës që shkoi, u shfaq edhe problemi me refugjatët shqiptarë të Kosovës që u detyruan të kthehen nga Suedia. Refugjatët patën probleme me policinë maqedonase. U bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase, që të sillen në mënyrë më njerëzore ndaj refugjatëve fatkëqinj, pasi edhe policia serbe po u nxjerr probleme atyre. Ne kemi kërkuar nga Suedia dhe shtetet tjera evropiane që t’u lejojnë qëndrim të përkohshëm shqiptarëve të Kosovës, sidomos të rinjëve, që janë strehuar në ato vende duke ikur nga dhuna dhe nga ushtria serbe. Ne do të bëjmë çka është e mundur, bashkë me Byronë e Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë në Prishtinë, që të evitojmë maltrerimin e njerëzve që janë të detyruar të kthehen në Kosovë, theksoi dr. Rugova.
Në vazhdim, dr. Rugova, përshëndeti vizitën e Atit të Shenjtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, ku do të pritet nga shumë shqiptarë edhe nga Kosova, të cilët do të shkojnë në Shqipëri pavarësisht prej rreziqeve. Kjo do të jetë një vizitë e rëndësishme për Shqipërinë, për popullin shqiptar, për Kosovën, si dhe për rajonin në tërësi. Vizita do t’i kontribuojë paqes dhe njohjes së rolit stabilizues të shqiptarëve në rajon.
Kryetari Rugova, tërhoqi vërejtjen se sipas disa informatave ende të pavërtetuara, po parapërgatitet mobilizimi i shqiptarëve, i cili do të çrregullonte edhe më shumë situatën në Kosovë. Mobilizimi, natyrisht mund të bëhet vetëm me përdorimin e forcës, pasi shqiptarët nuk do t’u përgjigjen këtyre mobilizimeve.
Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova i vlerësoi si shumë të rëndësishme dy vizita të parlamentarëve amerikanë e rus në Kosovë. Gjatë javës, patëm vizitën e rëndësishme të delegacionit të Kongresit amerikan, përkatësisht delegacionin e Senatit amerikan, me në krye senatorin De Konsini, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin Amerikan. Ne biseduam për gjendjen dhe situatën në Kosovë. Poashtu patëm edhe një vizitë të rëndësishme të delegacionit të Parlamentit të Rusisë, të udhëhequr nga z. Igor Mozgov, përgjegjës për ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Delegacioni pati mirëkuptim për pikëpamjet tona dhe për situatën në Kosovë. Ata insistuan në zgjidhjen paqësore, me mjete politike të çështjes së Kosovës, në mënyrë që assesi të mos vijë deri te konflikti. Ne do të jemi në kontakte me Parlamentin dhe institucionet e Rusisë, theksoi kryetari Rugova.
Ai mbështeti Rezolutën e Këshillit të Sigurimit për forcimin e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, por përsëriti kërkesën që Kosova të veçohet nga këto sanksione përmes ndihmave humanitare dhe ndihmave në forma të tjera, shumë të nevojshme për popullin e Kosovës. Natyrisht, tash edhe Kosova po vuan nga sanksionet pa kurrfar faji.
Kryetari Rugova, kërkoi edhe njëherë që Kosova sa më parë të vihet në rend të ditës në OKB dhe të votohet Rezoluta preventive për Kosovën, e cila në këtë moment do të ndikonte që të mos keqësohet ende gjendja.
Në pyetjen se a e vlen ideali i pavarësisë një luftë të popullit të vogël shqiptar, e cila do të zgjaste disa vite, siç po shihet në rastin e Bosnës, aq më tepër kur Ju jeni i njohur si kryetar i paqjes, dr Rugova tha se Kosova ishte pjesë e shtetit që u shkatërrua, prandaj është e natyrshme që të mendojmë për ardhmërinë tonë. Ne e shohim tragjedinë në Kroaci dhe në Bosjë, prandaj kemi bërë këtë politikë për të evituar konfliktin që e kemi vazhdimisht mbi kokë, prandaj do të bëjmë përpjekje që edhe pavarësinë ta arrijmë me paqe. Kemi kërkuar mbikëqyrje dhe preventivë mbi Kosovën. Ne shpresojmë se do të ndryshojë koshienca politike të serbët, e jo vetëm regjimi. Me këtë rezistencë, dëshirojmë që ta arrrijmë pavarësinë, edhepse është mjaft vështirë.
Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka hasur në përkrahje Plani Paqësor, kryetari Rugova tha se pikat kryesore të Planit Paqësor, siç është vendosja e trupave preventive të OKB-së në Kosovë, çështja e protektoratit dhe prania e më shumë monitorëve në Kosovë, si edhe ndihmat humanitare, po hasin gjithnjë e më shumë në mirëkuptim, pasi të gjithë angazhohen që të mos shpërthejë konflikti në Kosovë.
Duke u përgjigjur në pyetjen se sa e njohin rusët çështjen e Kosovës, kryetari Rugova tha se ata e njohin mirë gjendjen. Pas vizitës që i bëri Kosovës një delegacion i Parlamentit të Rusisë, ata do të dinë edhe më shumë. Në planin e integrimeve të përgjithshme në Ballkan dhe në Evropë, e, edhe në vetë ish-BRSS, ku ka edhe dezintegrime, ata e kuptojnë mirë edhe problemin e Kosovës. Ata e krahasuan problemin e Kosovës me problemin e Moldavisë.
Në pyetjen se si e komenton letrën e shkrimtarëve sllovenë dërguar intelektualëve serbë, me kërkesë që të heqin dorë publikisht nga Memorandumi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Serbisë, si burim i të gjitha të këqijave, dr. Rugova tha se thirrjen e kupton si një thirrje kolegiale. Ky është një gjest i intelektualëve sllovenë, që thërret individët serbë të deklarohen kundër atij dokumenti që ka sjellë kaq shumë tragjedi.
Në pyetjen se si e komenton thirrjen e Vacllav Havelit për ndërhyrje ushtarake kundër forcave serbe, kryetari Rugova tha se Haveli këtë thirrje e ka bërë si burrështetas.
Në pyetjen se a pret që në ndonjë rezolutë të OKB-së të përkrahet Plani Paqësor, dr. Rugova shfaqi mendimin se një rezolutë të OKB-së do të bazohet në kërkesat kryesore të Planit Paqësor.
Në pyetjen se sa ka të vërteta në një shkrim që u botua kohëve të fundit për organizatën lobistike Ruder-Finn, e cila, siç thuhet, planifikon veprimtarinë e udhëheqjes së Kosovës, kryetari Rugova tha se këto pohime nuk janë të vërteta. Ruder-Finn është një agjenci me të cilën kemi kontakte. Planet dhe programet tona janë formuluar para se të themelohet ajo agjensi. Ndërsa është krijuar pa bazë edhe miti për Lobin Shqiptar në Amerikë. Natyrisht, shqiptarët në SHBA, si qytetarë amerikanë, angazhohen, janë të interesuar dhe kanë kontakte me Kongresin Amerikan dhe administratën amerikane, ku i shfaqin probelemet e etnitetit dhe etnikumit të tyre, si edhe serbët, kroatët e të tjerët. Ndërsa Ruder-Finn është më shumë organizatë për publikime, dhe asgjë më shumë.
Në fund, lidhur me porosinë e Pen Qendrës Shqiptare, dërguar Kongresit të Penit Botëror në Hvar, kryetari Rugova tha se shkrimtarëve shqiptarë duhet t’u ndihmohet në këtë situatë të vështirë. Porosia jonë është që organizata evropiane dhe ajo botërore të aktivizohen më shumë. Një shembull i mirë është angazhimi i intelektualëve në Francë lidhur me situatën në Bosnë, në Kroaci dhe në Kosovë. Është me rëndësi të madhe që intelektualët në Evropë të angazhohen më shumë dhe të dalin nga kjo situatë pak a shumë e burokratizuar, theksoi në fund kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Lajme të tjera:
Bill Klintoni bisedoi me Aleksandër Meksin
Dr.Fehmi Agani bisedoi me Bjorn Uokmanin
Doli nga burgu dr. Ejup Statovci
Imzot Nikë Prela: Populli im e ka ndërgjegjën e pastër
Bernar Anri Levi: “Kujdes, mos e prekni Kosovën!”
Verner: Serbët do ta paguajnë çmimin e agresionit
Kundër serbëve – edhe vetë ebrejët
Policia maqedonase plaçkiti rreth pesëdhjetë refugjatë shqiptarë që u kthyen nga Suedia
Ekspeditë e policisë në fshatin Llozhan të Pejës
U dëbua me dhunë nga banesa
Në fshatin Graboc të Pejës policia serbe bastisi dhe rrahu disa qytetarë
Në Prishtinë u arrestuan katër të rinj
Është ngritur padia kundër Shefket Kërciqit
Në Baçkë ushtrojnë 350 “sokola serbë”
23 prill 1994
Lajmet kryesore:
Ultimatumi i dytë i NATO-s kundër forcave të serbëve të Bosnjës
Këshilli i Sigurimit për zgjidhje globale në ish-Jugosllavi
Letër e dr. Bukoshit e botuar në gazetën “The Washington Post”
Kërkohët përjashtimi i prokurorit dhe zëvendësprokurorit të instaluar serbë
U paraburgosen edhe dy të rinj me pretekst se janë stërvitur në Labinot të Shqipërisë
Sërish botohet gazeta e studentëve “Bota e re”
Ndarjet e partive në grupe që nuk synojnë identitet të ri politik
Një grup refugjatësh shqiptarë u kthye nga Suedia
Iu dorëzuan thirrjet për rekrutim 125 të rinjve në Malishevë
Në Lipjan një familje shqiptare u nxor me dhunë nga banesa
Represioni në Kosovë
Në Pejë pesë veta u dënuan për drogë
Gligorovi për vendosjen e trupave të OKB-së edhe në Kosovë
Pse u merren pasaportat shqiptarëve që vizitojnë Shqipërinë
Kërkohet Fidaim Potoku
23 prill 1997
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti Majkëll Mekllellenin
U promovua kompleti i veprave të At Gjergj Fishtës
Azem Hajdari: Të shpallen të paligjshme “komitetet e shpëtimit”
Shoqata për të mbyturit e Otrantos i drejtoi një letër Parlamentit të Shqipërisë
Teknikë të TV italian RAI u sulmuan në Vlorë
Në Gjilan filloi aksioni “T’i pasurojmë bibliotekat tona”
Si u kthye një refugjat nga Gjermania?
Shqiptarët i pret burgu nëse i blejnë pronat e serbëve në Kosovë
Në Doblibare të Gjakovës persona të maskuar plaçkitën pronarin e agjencisë “Rajmonda-tours”
Në Bllacë të Suharekës policia serbe plaçkiti pronarin e firmës “Dent”
Suharekë: Të rinjtë shqiptarë thirren për rekrutim në ushtrinë serbe
Policia e Kamenicës kërkon armë nga shqiptarët e Bujanocit
Fërçkovski: Maqedonia është kundër mini-aleancave
Avdi F. Abdullahu ndodhet në Tiranë
23 prill 1998
Edicioni i parë (Ora 9:00)
Lajm i plotë:
Forcat serbe vazhduan sot në orën 7:00 me granatimin e Baballoqit
Forcat serbe filluan sot në orën 7:00 granatimin e sërishëm të fshatit Baballoq të komunës së Deçanit.
Kryetari i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan i tha QIK-ut se në qytezë po dëgjohej jehona e shpërthimeve të fuqishme nga fshati.
Mbrëmë rreth orës 19:00 kishte pushuar granatimi i fshatit. Nga njoftimet e komisioneve për informim të Degës së LDK-së në Deçan dhe në Gjakovë bëhej me dije se një pjesë e madhe e fëmijëve, grave e pleqve nga fshatrat Baballoq, Gramaçel, Dubravë, Glloxhan, Shaptej, Prekollukë, Irzniq, Rastavicë e Radoniq ishin larguar nga shtëpitë e tyre nga frika prej masakrave serbe.
Nga Baballoqi u njoftua mbrëmë se forcat serbe kishin qëlluar në së paku gjashtë shtëpi. Mirëpo, nuk ka njoftime për të vrarë ose të plagosur.
Një gjendje e rëndë u krijua në Deçan mbrëmë rreth orës 18:00 nga dezinformatat që u përhapën për gjoja një sulm që pritej të bëhej së shpejti nga forcat serbe në qytezë. Nga frika dhe në një gjendje paniku, shumë qytetarë braktisën shtëpitë e veta dhe u nisën në drejtim të Pejës.
Gjendje e rrezikshme mbretëron sidomos edhe rreth pendës së liqenit artficial të Radoniqit. Popullsia druan nga dëmtimi i qëllimshëm ose i rastësishëm i pendës që do të shkaktonte katastrofë në këtë anë.
Gjatë ditëve të kaluara dhe dje ka pasur njoftime për koncentrime dhe ripozicionime të forcave ushtarake serbe përgjatë gjithë zonës kufitare me Shqipërinë.
Sulmi kundër fshatit Baballoq filloi pardje në orën 10:45 dhe zgjati deri në orën 20. Sulmi vazhdoi edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, duke u zgjeruar edhe në disa fshatra përrreth.
Pas masakrës së familjeve shqiptare në Likoshan, Qirez e Prekaz i Ulët në Drenicë dhe sulmit në Glloxhan më 24 mars, fëmijët, gratë e pleqt janë larguar nga fshatrat, ndërsa burrat po bëjnë përpjekje për të mbrojtur shtëpitë e veta.
Dega e LDK-së në Deçan edhe sot i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtarë, udhëheqjes së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë që të bëjnë krejt çka është e mundur për të ndërprerë sulmet e forcave serbe dhe një masakrim të popullsisë.
Edicioni i dytë (Ora 12:00)
Lajmet kryesore:
Ushtria shtin me armë të rënda afër fshatit Zhdrellë të Gjakovës
Nuk ka lajme për të vrarë apo të plagosur
Vazhdon sulmi mbi Baballoq
Lipjan: Civilëve serbë u shpërndahen armë dhe uniforma policie
Edicioni i tretë (ora 13:30)
Lajmet kryesore:
Ushtria serbe po sulmon Sukën e Cërmnjanit
Parakalime të ushtrisë edhe në Prishtinë
Istog: Armatosen dhe uniformohen civilët serbë
Shkrimet luftënxitëse antishqiptare të shtypit serb
Gjendje e rëndë në terrenin që përfshin Kodra e Trimave
Të burgosurve në Gjilan u ofrohet të votojnë për referendumin serb
Nesër në Hagë mbahet një demonstratë e shqiptarëve
Gjashtë ditë burg pse vendosi lule në vendin ku policia vrau Avdi R. Nezirin
Gazeta serbe “DT” shkruan se ushtarët serbë “vranë” dy e “plagosën” shtatë sulmues shqiptarë
Përfundoi greva e urisë e gazetarëve të “Flakës së vëllazërimit”
Gazetares së “Rilindjes” iu mor pasaporta në Han të Elezit
Dhuna e përditshme në Kosovë
Edicioni i katërt (Ora 16:00)
Lajmet kryesore:
Njoftohet për një të vrarë në Kosharë të Gjakovës
Forca të mëdha serbe po bombardojnë Sukën e Cërmjanit
Gjendje e rëndë dhe e rrezikshme në komunën e Deçanit
KRNE: Mbi 500 të ikur mbërritën në Gjakovë – nuk mund të depërtohet në fshatrat që po sulmohen
“Koha jonë”: “Arrijnë 20 refugjatët e parë nga Kosova”
Apel i LDK-së drejtuar faktorëve ndërkombëtarë për ndërprerjen e operacioneve militare serbe
Drejtues të LDK-së njoftuan Zyrën Amerikane me gjendjen në Gjakovë e Deçan
Shëtitjet protestuese vazhduan edhe sot në ditën e katërmbëdhjetë
Në Vushtrri policia legjitimoi disa kalimtarë
Aeroplanë ushtarakë fluturuan mbi Mitrovicë
Në Mitrovicë vazhdon keqtrajtimi i qytetarëve me pretekste të ndryshme
Suharekë: Qytetarët serbë u mobilizuan dhe u bashkuan me forcat e rregullta të policisë serbe
Organet e instaluara serbe hapën vendvotimet në dy shkolla shqipe të Zhurit
Edicioni i pestë (Ora 16:00)
Lajmet kryesore:
Forca të policisë serbe shkuan drejt Rekës së Keqe
Klinë: Një aeroplan fluturoi ulët mbi fshatin Cerovik
Paraqitje e suksesshme e delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Evropës
Asambleja Parlamentare e KE-së miratoi një dokument që ka të bëjë edhe me zgjidhjen e çështjes së Kosovës
Foto: Baballoqi
Vendi
Kuvendi miraton Ligjin për çmimet tavan pa përkrahjen e opozitës
Published
2 hours agoon
April 23, 2026By
UBTNews
Me votat e shumicës parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ndonëse pushteti i dha dritën jeshile kësaj nisme, partitë opozitare abstenuan ose votuan kundër, duke drejtuar kritika të ashpra mbi formën se si do të intervenohet në treg.
Nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa u shpreh se nuk janë kundër parandalimit të abuzimeve, por kundër mjegullës ligjore që lë ky projektligj. Sipas tij, dokumenti ka paqartësi të theksuara.
“Nuk jemi kundër një ligji që pengon apo ndalon abuzimet në treg. Mirëpo mënyra si është formuluar ky ligj lë hapësirë për arbitraritet. Është e paqartë se në cilat raste do të ndërhyhet në treg. Si do të përcaktohet arsyeshmëria e çmimeve që caktohen me këtë ligj. Po lihet hapësirë një bordi jo të pavarur për të intervenuar në treg”, ka thënë Mustafa.
Edhe LDK-ja ka shprehur dyshime për ndikime politike, duke vlerësuar se vërejtjet e tyre për metodologjinë dhe pavarësinë e bordit u injoruan. Janina Ymeri theksoi rrezikun e furnizimit joadekuat.
“Për shkak që ky ligj mund të jetë i ndikuar edhe nga interesa tjera private personale dhe partiake dhe rrezikon të jetë komplet i kapur nga partia në pushtet, ndikon në furnizim joadekuat dhe në stabilitetin ekonomik dhe ne nuk e përkrahim ligjin. Jo për iniciativën por për formulimin e ligjit”, u shpreh Ymeri.
Në anën tjetër, Besnik Tahiri nga AAK-ja ka akuzuar ekzekutivin se po krijon institucione paralele për të ndërhyrë në treg. Sipas tij, nëse Qeveria do të kishte vullnet të vërtetë për t’i ndihmuar qytetarët, do të ndërhynte direkt në uljen e akcizës dhe TVSH-së, në vend që t’i merrte kompetencat ministrisë përmes një bordi të ri.
Pavarësisht këtyre akuzave, Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka sqaruar se ligji nuk do të prekë të gjitha produktet, por vetëm ato bazike.
“Ky ligj është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produktet e caktuara në ligj të shportës bazë. Nuk është projektligj që i hyn listës së të gjitha produkteve që gjenden në market dhe ua cakton çmimet. Ideja dhe moduli më i qasshëm dhe lehtë i zbatueshëm dhe kushtetues ka qenë bordi që përzgjidhet me konkurs të hapur dhe me votim nga kuvendi”, shpjegoi Kusari-Lila.
Lajmet
Arrestohet një person, i gjendet substancë e dyshuar narkotike në veturë dhe shtëpi
Published
2 hours agoon
April 23, 2026By
UBT News
Mbrëmjen e 22 prillit sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 21:00, në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë një kontrolli i janë gjetur substanca narkotike.
Fillimisht, gjatë kontrollit në veturën e tij, janë zbuluar tri qese me marihuanë me peshë rreth 15.57 gram. Pas kësaj, policia ka vazhduar me kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Aty është gjetur edhe një sasi tjetër marihuane prej rreth 1.41 gram, një peshore digjitale, para të gatshme rreth 485 euro, si dhe një telefon mobil.
I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 prill, në vitet nëntëdhjetë
Kuvendi miraton Ligjin për çmimet tavan pa përkrahjen e opozitës
Rihanna në kopertinën e “W”, shfaqet me vajzën në fotosesionin e ri
Arrestohet një person, i gjendet substancë e dyshuar narkotike në veturë dhe shtëpi
Prizren: Arrestohen dy persona për posedim narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje
Grabitje në Prishtinë – viktima sulmohet me sprej, i merren para të gatshme
Policia konfiskon tri armë brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës, arrestohet një person
23 Prilli – Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
