Lajmet

​Mungesa e kategorizimit efikas të të dënuarve, problem thelbësor i drejtësisë në Kosovë

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti dha edhe një rast.

Published

on

Mungesa e kategorizimit efikas të të dënuarve është një nga problemet kryesore me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kjo pasi si rezultat i vendosjes së të dënuarve me moshë madhore në një vend me të mitur paraqet mundësi për keqtrajtimin e këtyre të fundit, gjë që lë pasoja të mëdha.

Kështu u tha në tryezën “Vendosja dhe trajtimi i të miturve gjatë zbatimit të masës së paraburgimit, dënimit me burgim për të mitur si dhe masës edukative korrektuese” të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), me ç’rast u pubklikuan edhe të gjeturat e monitorimit të të miturve në institucionet korrektuese.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se vendosja e të dënuarve me moshë madhore, sidomos e atyre të dënuar për vepra penale në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, është një nga të gjeturat më shqetësuese të monitorimit.

“Një nga të gjeturat shqetësuese është vendosja e të dënuarve me moshë madhore në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ndër ta të dënuar edhe me afat të gjatë për vepra të rënda penale si vrasje e rëndë, dhunë në familje, por diçka për neve që ka qenë më shqetësuese ka qenë vendosja e një personi, i cili paraprakisht është dënuar për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare. Do të thotë vendosja e tij, që është njohur në shoqëri dhe është ndëshkuar për keqpërdorim ndaj të miturve dhe me u vendos ku ka të mitur, mendoj që i tejkalon të gjitha përmasat. Rrethana të tilla, për më shumë bien ndesh edhe me ligjin”, tha ajo.

Se mungesa e kategorizimit të të dënuarve paraqet problem të madh, Rushiti tha se e dëshmon një rast që kishte ndodhur vjet më parë, kur në Burgun e Dubravës ishte vendosur një person i moshës 21-vjeçare, e që ishte privuar nga liria në pamundësi për të paguar një gjobë për kundërvajtje në trafik.

Vendosja e këtij të fundit në një hapësirë të përbashkët me persona më dënim të zgjatur, siç tha Rushiti, ka përfunduar shumë keq për shkak të keqtrajtimit që i është bërë, duke e lënë këtë të fundit me pasoja sot e kësaj dite. Ajo kritikoi edhe stafin e atëhershëm, për të cilët tha se nuk i kanë dalë në ndihmë të riut, përkundër britmave dhe dhunës që ka ndodhur aty.

“Është një djalë, i cili ka qenë relativisht i ri, mosha 21-vjeçare, ai në atë periudhë kur e ka bërë ‘krimin’ e tij, ka qenë një kundërvajtje në trafik, fatkeqësisht nuk ka arritur me e pagu atë kundërvajtje dhe si rezultat është dashtë me shku me e mbajt dënimin dy javë. Gjatë mbajtjes së dënimit në Dubravë, në 2015-ën, është vendosur me persona me dënim të zgjatur dhe fatkeqësisht ky person ka ra pre e dhunimit, ka përfunduar keq, dhe është raportuar edhe nga shërbimi shëndetësor i Dubravës, edhe ne si organizatë e kemi parë, e kemi ndjekur dhe sot e asaj ditë personi si i tillë nuk mundet me pasë një jetë normale. Ai ka arritur të martohet, me e pas një fëmijë, veç para dy jave rastësisht kishte ardhur me e marrë një shërbim tek ne, derisa rrëfeu edhe njëherë, i zhgënjyer plotësisht prej gjykatës, pat një gjendje shumë të rëndë, i humbi ndjenjat, do të thotë jeta ka përfunduar. Për çka, për një dënim dy javë, dhe për moskategorizim efikas. Dhe, duhet me pas kujdes edhe institucioni, sepse ai person ka bërtitur, ka qajtë sepse ka qenë një akt i dhunshëm, nuk i është ofruar ndihma adekuate prej gardianëve”, tregoi Rushiti.

Rushiti bëri të ditur se edhe zyrtarisht kanë kërkuar nga Qendra korrektuese rishikimin e procedurave për transformimin e të dënuarve madhor në një qendër për të mitur dhe shfuqizimin e një rregullorje që e përcakton një gjë të tillë aktualisht, pasi siç tha ajo kjo i bën dëm institucionit.

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale për të Mitur bëri të ditur se sipas disa hulumtimeve që ka bërë në vitin 2018, të rinjtë e Kosovës marrin pjesë deri në 10 përqind të kriminalitetit të përgjithshëm. Porse paralajmëroi se ky numër mund të rritet dukshëm viteve në vijim. Derisa foli edhe për Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

“Kodi i Drejtësisë për të Mitur i jep përparësi absolute zbatimit të masave të diversitetit dhe të masave edukative, maksimalisht, ku është e mundur duhet të shqiptohet. Mund të shqiptohen edhe gjoba si dënim. Karakteristikë tjetër e Kodit për të Mitur që është në fuqi, është se organet e ndjekjes, prokurorit, gjykatave etj., u janë dhënë autorizime të gjera me rastin e hetimit të procedurës dhe zgjedhjes së masave të dënimit, këto autorizime nuk i kanë për dënimet për të rritur… 30:21 Për shkak të specifikave dhe masave të dënimeve që mund të ekzekutohen ndaj të miturve, Kodi i Drjetësisë për të mitur, me kapituj dhe nene të veçanta rregullon çështjen e ekzekutimit të masave dhe dënimeve, por kjo duhet të rregullohet edhe me akte nënligjore”, tha ai.

Drejtori i Keshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala tha se në Qendrën Korrektuese të Lipjanit ka hapësirë të mjaftueshme për sistemimin e të miturve.

“Në Lipjan, jo vetëm që ka vend me i sistemu ata të mitur, të cilët janë prej 40-50, aty mundemi me ua kriju kushtet me qenë distanca sociale 500 metra larg prej njëri-tjetrit. Ka aq hapësirë të pashfrytëzuar dhe në përgjithësi shërbimi korrektues nuk i shfrytëzon as 50 përqind të kapaciteteve që i ka, do të thotë 50 përqind mbeten të pashfrytëzuara dhe i shkaktojnë shpenzime të panevojshme shërbimit korrektues, sepse ato duhet të mirëmbahen. Nuk ka pasur asnjëherë planifikim strategjik. Ndër të parët kanë insistuar që të ndërtohet qendra e paraburgimit, jo në Gjilan, në Prishtinë, që ëshët dështim absolut, kështu që e kanë kriju një perceptim që Kosova është një vend i krimit. Ne angazhohemi me çdo kusht që masa e shqiptimit të paraburgimit të jetë masa e skajshme”, tha ai.

Megjithatë, Shala shtoi se Kosova i ka tejkaluar standardet minimale për trajtimin e personave të privuar nga liria, për çka theksoi se qëndron më mirë se vendet e rajonit.

Ndërsa Ali Gashi, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk mohoi asnjë nga kritikat. Derisa bëri të ditur se edhe në Qendrën Korrektuese për Femra qëndron aktualisht një e mitur.

“Nga të gjeturat e Qendrës Kosovare për Rehabilitim dhe QKRMT dhe rekomandimet e tyre i kemi marrë dhe do t’i shqyrtojmë me seriozitetin më të madh, sepse rekomandimi i tyre kryesor ka qenë që në një institucion korrektues të mos jenë të miturit me të rriturit, aq më tepër kur këta të rritur janë të dënuar për vepra penale, qoftë vrasje, grabitje, dhunim seksual etj. 11 persona aktualisht i kemi. Ne kemi ndërmarrë veprime në bashkëpunim me drejtorët e qendrave korrektuese që sa më parë të përgatitet dokumentacioni dhe të tillat t’i transferojmë në qendrat tjera korrektuese… Kështu që krejt atë që e thatë ju është e vërtetë”, tha ai derisa shtoi se do të provojë të gjejë një zgjidhje për të gjitha problemet dhe vërejtjet.

Në kuadër të kësaj tryeze nga të pranishmit u tha po ashtu se mungesa e kategorizimit efikas të të dënuarve, është problem thelbësor i drejtësisë në Kosovë, pasi që mund të shkaktojë edhe rritje të numrit të recidivistëve. 

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara