Lajmet

​Mocioni për shkarkimin e bordit të ZRrE-së nuk kalon në Komisionin për Ekonomi

Ndonëse opozita ishte “pro” shkarkimit, kjo nuk u përkrah nga deputetët anëtarë të mazhorancës.

Published

on

Me 6 vota kundër, Komisioni për Ekonomi hodhi poshtë mocionin e dhjetë deputetëve të LDK-së për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) me arsyetimin se ky institucion ka dështuar në menaxhimin e krisës energjetike dhe nuk ka qenë transparent me këtë komision parlamentar. Ndonëse opozita ishte “pro” shkarkimit, kjo nuk u përkrah nga deputetët anëtarë të mazhorancës.

Ne emër të deputetëve propozues, Valentina Bunjaku-Rexhepi deklaroi se bordi i ZRrE-së nuk është treguar bashkëpunues si dhe është treguar i papërgjegjshëm.

“Kjo ka qenë një mos përgjegjësi e ZRrE-së, realisht ZRrE nuk ka bashkëpunuar me neve si Komision për Ekonomi, Tregti dhe Industri, dhe ka qenë jo transparent karshi komisionit dhe karshi qytetarëve, ju e dini që rryma është rritur 100% dhe ZRrE ka bërë shkelje ligjore… Bordi i ZRrE-së në takimet tona si komision ka qenë jo transparent, arrogant dhe nuk ka bashkëpunuar absolutisht, as me ne dhe as me qytetarët, transparenca e tyre i ka dëmtuar edhe qytetarët, unë në emër të kërkesës së LDK-së, si përfaqësuese e LDK-së në këtë komision, kërkoj që të votohet shkarkimi i bordit të ZRrE-së. Besoj që një bord tjetër do ta kryejë punën me ndershmëri, ka me qenë më efikas dhe ju e keni shumicën besoj ta përkrahni”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Mirëpo, deputetja e Lëvzjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e ka kundërshtuar një gjë të tillë pasi që sipas saj, nuk ka arsyetime të bazuara se ZRrE ka dështuar në menaxhimin e krizës me energjinë. Ajo ka pyetur se posë nuk është shkarkuar në të kalurën bordi i ZRrE-së kur kanë ndryshuar tarifat dhe për veriun.

“Nuk pajtohem me vlerësimin se tarifat janë diskriminuese se nuk e përfshin veriun, a mundet dikush këtu prej deputetëve, qofshin në këtë mandat, në mandatin e kaluar apo katër-pesë mandate më herët, të thotë ose të tregojë, sa ka qenë rryma e paguar apo sa ka qenë realizimi i pagesës për rrymën në veri para pesë viteve kur janë ndërruar tarifat, në kohën kur ka qeverisur LDK-PDK, a është dashur atëherë të shkarkohet bordi i Zyrës së Rregullatorit për arsye se ka pasur tarifa të parealizuara”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Por Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ZRrE ka bashkëpunuar me qeverinë për të vendosur për tarifat e shtrenjta të energjisë.

“Ata nuk kanë qenë transparent me neve, dhe raporti që e kanë sjelle ata, d.m.th në raportin e ZRrE-së kanë qenë të planifikuara subvencionimi që është bërë nga qeveria realisht ata nuk janë të pavarur, ata kanë bashkëpunuar me qeverinë dhe raportin e tyre kanë qenë mjetet e parapara që janë marrë vesh me qeverinë, qytetarët janë dëmtuar dhe ai bord nuk është transparent dhe bashkëpunues me neve”, ka këmbëngulur Bunjaku-Rexhepi.

Edhe Pal Lekaj nga AAK ka thënë se qeveria ka treguar afërsi me ZRrE-në dhe, qytetarët janë diskriminuar, për këtë edhe e ka përkrahur rrëzimin e bordit të ZRrE-së.

“Ata janë bukur të afërt me qeverinë dhe nuk kanë treguar autonomi të vetën, kanë krijuar konfuzion mjaft tek qytetarët sepse kanë vepruar jo në mënyrë të barabartë sa i përket çmimit të energjisë dhe pagesës, kanë thënë dhe prap insistoj, se kjo është një diskriminim për qytetarët e Republikës së Kosovës e sidomos kur kemi qenë tek shtrenjtimi në këtë situatë të vështirë për qytetarët tanë të cilët e kanë rënduar jetën mjaftë dhe kushtet e tyre… Ne si grup parlamentar i AAK-së e përkrahim shkarkimin e bordit”, tha Lekaj.

Përkrahje për shkarkimin e bordit të ZRrE-së ka dhënë edhe kryetari i këtij komisioni, njëherit deputet i PDK-së, Ferat Shala, që tha se me ligj Zyra e Rregullatorit duhet të ishte një institucion i pavarur nga politika, por në praktikë është e kundërta.

“Një institucion i cili me ligj është qartë i definuar që është i pavarur ai na del që 100% është i politizuar sepse dokumentet e tij të nxjerra publike janë të varura dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionin ekzekutiv qeveritar këtë s’mund ta mohojmë dhe e ardhmja ka me vërtetu dhe gjykatat do ta vërtetojnë këtë shkelje ma të madhe se me hup pavarësinë vendimmarrëse në planifikime, arsyetim dhe në veprim dhe me pasoja diskriminuese për qytetarët dhe me pasoja të larta financiare për buxhetin e vendit arsyeje më të forta me shkarkua këtë bord nuk ekzistojnë”, ka thënë Shala.

Të gjitha akuza t në drejtim të pushtetit i ka hedhur poshtë Kusari-Lila, që tha se nuk duhet të mbështetet shkakrimi i bordit të ZRrE.

“Nuk ka asnjë sens politik as për opozitën as për pozitën, prandaj është shumë e rëndësishme që ky propozim natyrisht të mos mbështetet”, tha Kusari-Lila.

Pas kësaj mbledhjeje, edhe KOSTT ka raportuar në këtë komision për operimin e tregut dhe për pasqyrat financiare e që sipas bordit, vetëm në vitin 2020 KOSTT ka pasur detyrime 127 milionë e 398 mijë ndërsa në vitin 2021 181 milionë e 689 mijë euro.

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara