Aktualitet

​Mbrojtja e Shalës kërkon që të dihen emrat e viktimave për të cilët akuzohet ai

Published

on

Në seancën paragjyqësore për ecurinë e çështjes së Pjetër Shalën, mbrojtja e tij ka kërkuar nga Zyra e Prokurorisë Speciale që të mos redaktohen emrat e viktimave, sidomos të atyre që kanë vdekur.

Komandant “Ujku” gjatë kësaj seance nuk ishte i pranishëm në sallë, por ai seancën e përcolli përmes platformës Zoom.

Avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gillissen tha se deri tani ka qenë një procedurë e njëanshme, por tani ka kërkuar të jenë në procedurë ballafaquese të dyja palët.

“Një problem i madh sipas mendimit tim është nxjerrja e materialeve në mbështetje të aktakuzës në bazë të rregullës 102, sepse ne e kemi marrë propozimin nga prokuroria dhe ne kërkojmë që provat në mbështetje të aktakuzës të na vihen në dispozicion sa më shpejt që të jetë e mundur maksimumi brenda 30 ditësh pas paraqitjes paraprake të të akuzuarit. Deri më tani ka qenë një procedurë e njëanshme dhe e kuptojmë, por tani dëshirojmë që të kemi një procedurë ballafaquese pra me pjesëmarrjen e të dyjave. Dëshirojmë që të marrim parashtrimet e protokolluara dhe transkriptimin e seancës të procedurave të kryera në të shkuarën për të pasur informacion të plotë për procedurën, dëshirojmë që të marrim materialet lidhur me aktakuzën pa redaktime me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me dëshmitarët. Por jemi të mendimit që emrat e viktimave sidomos ata të cilët pretendohen se kanë vdekur është shumë e rëndësishme t’i di zotëri Shala. Prandaj, dhe dëshirojmë që me përjashtim të redaktimeve që kanë të bëjnë me dëshmitarë duam që të kemi një procedurë të pakushtëzuar me ballafaqim në mes dy palëve”, tha ai.

Avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gillissen deklaroi se mbrojtja ende nuk ka një afat kohor të përcaktuar se kur do të kryejë hetimet e veta.

“Mbrojtja konfirmon se synon që të kryejë hetimet e veta, por hë për hë nuk mund t’u japim datë një informacion sa i takon kohëzgjatjes që parashikojmë për aktivitetet tona hetimore. Mbrojtja nuk është në gjendje të bëjë të ditur nëse do të jap apo jo njoftimin të alibis apo arsye të tjera për përjashtim të përgjegjësisë penale, por sigurisht do të qëndrojmë në kontakt me gjykatën dhe prokurorinë për ta dhënë informacion në momentin kur ne mësojmë më shumë për këtë. Konfirmojmë gjithashtu se kemi ndërmend të bëjmë kategorizimin specifike për këtë çështje. Dëshirojmë që të propozojmë disa nënkategori të tjera shtesë, konteksti i elementeve penale dhe e dyta tek vendndodhjet tjerë. Mbrojtja është e gatshme që të shqyrtojë çdo model të propozuar për tabelën e konsoliduar për nxjerrjen e materialeve”, tha ai.

Ndërsa, Prokurorja e Specializuar deklaroi se në materialin mbështetës të aktakuzës janë paraqitur 4 dëshmitarë, por parashikojnë që të prezantojnë edhe tetë të tjerë.

“Na kanë mbetur shumë pak hapa hetimor në këtë proces ne nuk parashikojmë që këto hapa t’i vonojmë më tej procesin. Ne do të prezantojmë, në fakt kemi paraqitur 4 dëshmitarë me materialin që mbështesin aktakuzën dhe parashikojmë që të prezantojmë maksimumi 8 dëshmitarë të tjerë shtesë. Kjo gjithashtu është pjesë e informacioneve që ju kemi dorëzuar dje me shkrim. Kemi paraqitur një zbërthim të asaj se çfarë përmbajnë materialet mbështetëse në thelb më së shumti këto janë deklarata të dëshmitarëve disa dokumente të tjera që përfshijnë raporte, urdhra dhe materiale të tjera. Presim që materialet të tjera të cilat do prezantohen pas nxjerrjes së materialit mbështetës së aktakuzës do jenë në ngjashmëri me këto”, tha prokuroria.

Zyra e Prokurorisë Speciale ka bërë të ditur se po planifikojnë që nxjerrjen e materialeve ta bëjnë deri më 30 korrik 2021.

“ZPS-ja planifikon ta mbyll detyrën e saj në bazë të rregullës 102 lidhur me nxjerrjen e materialeve deri më 30 korrik 2021 gjithsesi 30 ditë përpara se të filloj çështja e prokurorisë në varësi të përkthimeve që jemi duke pritur .Numri i dëshmitarëve nuk duhet të jetë më shumë se 8 dhe presim që dokumentet shtesë nuk besoj të jenë më shumë se 54, duke përfshirë dhe materialet mbështetëse të aktakuzës lidhur me përkthimet, por vazhdojmë shqyrtimin e dokumenteve. Presim që materialet që futen në deklaratat e dëshmitarit të përkthehen deri në afatin që është caktuar. Lidhur me pikën e fundit, nëse parashikojmë redaktime dhe masa mbrojtëse, ne besojmë që disa prej materialeve që lidhen me dëshmitarët dhe dokumente tjera mund të futen në llogarinë që kërkojnë masa mbrojtëse apo redaktime, apo mund të futen në kategorinë që kërkojnë masa të posaçme”, u shpreh prokuroria.

Zyra e Prokurorisë Speciale deklaroi se parashikojnë që lista të përfshijë jo më shumë se 3 mijë dokumente.

Lidhur me përkthimin e materialeve në gjuhën shqipe nga ZPS-ja, kanë deklaruar se janë përfunduar disa prej dokumenteve por disa përkthime nuk janë bërë ende dhe presin të bëhen brenda afatit ligjor 30 ditor.

Mbrojtja e Pjetër Shalës dhe ZPS kanë bërë të ditur se sa i përket regjimit të redaktimit janë të pajtimit që të ndiqet regjimi i përdorur në çështjen Gucati e Haradinaj.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021. Shala i cili është i njohur në luftë si “Komandant Ujku”, para Gjykatës Speciale ka deklarua se është i pafajshëm për të gjitha akuzat që ngarkohet. 

Lajmet

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit

Published

on

By

Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.

Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.

*****

Pjesë nga intervista:

Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?

Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja.  Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.

Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?

Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.

Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?

Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.

Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?

Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.

Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?

Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.

Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?

Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.

Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?

Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.

Continue Reading

Botë

Trump: Putini ‘mund’ të jetë duke e ndihmuar Iranin

Published

on

By

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke e ndihmuar Iranin të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit.

Komentet e tij vijnë pasi informacionet e reja të inteligjencës treguan se Rusia i ka dhënë Iranit informacione që mund ta ndihmojnë Teheranin të godasë anijet luftarake, avionët dhe asete të tjera amerikane në rajon, transmeton Klankosova.

“Mendoj se ai mund t’i ndihmojë pak, po, mendoj”, tha Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News, e cila ende nuk është transmetuar.

“Dhe ai ndoshta mendon se ne po e ndihmojmë Ukrainën, apo jo?”.

“Po, ne po i ndihmojmë edhe ata”, vazhdoi Trump.

“Dhe kështu ai e thotë këtë, dhe Kina do të thoshte të njëjtën gjë, e dini. Është si, hej, ata e bëjnë dhe ne e bëjmë me gjithë drejtësi”. /Fox News/

 

Continue Reading

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.

Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.

Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara