Këngëtarja Duffy ka njoftuar se do të mbajë koncertin e saj të parë pas më shumë se 15 vitesh, pasi më herët kishte zbuluar se një sulm seksual dhe rrëmbim e kishin detyruar të tërhiqej nga jeta publike.
Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja uellsiane ka bërë të ditur se më 5 korrik në Londër do të organizojë një “koncert të fshehtë dhe intim”, ku do të interpretojë edhe këngë të reja për fansat.
Duffy u bë e njohur në vitin 2008 me albumin e saj debutues “Rockferry”, i cili i solli tre çmime BRIT, një Grammy dhe një Ivor Novello Award.
Në mars, u bë e ditur se ajo do të jepte intervistën e saj të parë të thelluar për një dokumentar të Disney+, ku do të flasë për ngjarjet që e larguan nga industria muzikore për një periudhë të gjatë.
Artistja kishte zbuluar më herët se ishte sulmuar, droguar dhe dërguar në një vend të huaj, ku kishte përjetuar dhunë seksuale, një përvojë që sipas saj i kishte shkaktuar trauma të rënda psikologjike.
Në një njoftim të fundit në Instagram, Duffy ka bërë të ditur se koncerti do të jetë me numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe do të përfshijë edhe materiale të reja muzikore, duke shënuar rikthimin e saj gradual në skenën muzikore.